E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria shpall ‘gjendjen e fatkeqësisë natyrore për verilindjen dhe juglindjen’, shpëtimi i jetëve njerëzore dhe pasurive, detyra madhore e Shtabit të Emergjencës”

13-02-2012 / Gazeta 55

S’ndalen reshjet e dëborës. Berisha: S’ka vend për panik - mobilizim maksimal për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve 

“Ata që nga strofulla e tyre fërkojnë duart dhe gëzojnë duke vjellë vrer nga mëngjesi deri në darkë me shpresën që mund të qëmtojnë vota mbi mundimin dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë e krijuar nja një situatë natyrore e paparë, 45 vjetët e fundit dëshmojnë se jetojnë në shpellën e primitivizmit të tyre”

Qeveria shpalli dje në një mbledhje të jashtëzakonshme, gjendjen e “fatkeqësisë natyrore”, në qarkun Kukësit, Shkodrës, Korçës, Dibrës si dhe në rrethin e Librazhdit. Kryeministri Berisha kërkoi mobilizim maksimal të Shtabit të Emergjencës, për t’iu ardhur në ndihmë me çdo kusht qytetarëve në nevojë.
Për Kryeministrin Berisha, të gjitha autoritetet shtetërore nga ministritë, qarqet, prefekturat dhe komunat, janë në gatishmëri të plotë, për dhënien e ndihmës për banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore. “Shpallim sot gjendjen e emergjencës së fatkeqësisë natyrore në Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin e Librazhdit. Por, edhe çdo lokalitet do e ndihmojmë, por këto janë më problematiket”, u shpreh kryeministri Berisha, duke informuar anëtarët e kabinetit, për situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura të dëborës, që vazhdojnë të bien në gjysmën e territorit, prej 12 ditësh me radhë.
“Bora me mbi 2.5 metër lartësi përbën një problem real të lëvizjes, furnizimit me ushqime, ndaj dhe duke shpallur gjendjen e ‘fatkeqësisë natyrore’ në këto zona nënkupton ndërmarrjen e përgjegjësive për hapjen e rrugëve në të gjitha komunat e izoluara si kusht i të gjitha kushteve për shpëtimin e banorëve të kërcënuar. Problem janë orteqet, por edhe çatitë, ndaj në emër të qeverisë duke shprehur solidaritetin më të madh banorëve me zona me probleme të mëdha, ju bëj thirrje në mënyrë të programuar se do bëjmë gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim dhe humbje jete, duke shmangur rreziqet më eminente. Dhe një nga rreziqet janë shembja e çative nga sasitë e mëdha të dëborës. Shpall ‘gjendjen e fatkeqësisë’ për komunat dhe zonat, me reshje të mëdha bore”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se qeveria po përballon me sukses agresivitetin e motit.
“E mblodha qeverinë për shkak të gjendjes së krijuar. Nga dje deri më sot orteqet kanë bllokuar rrugë kombëtare, si Bajram Curri -Fierzë, Krumë-Kukës dhe rrugë të tjera, për të cilat ministri do informojë. Qeveria mendoj se ngriti në kohë komitetin dhe e trajtoi problemin në të njëjtin standard të një emergjence civile. Gjatë javës që kaloi ka pasur angazhim total të qeverie vendore, këshilla së kryepleqve në qarqe. Një angazhim total të komiteti të emergjencave civile të kryesuar nga ministri Nishani, të forcave të armatosura të ministrisë së Shëndetësisë, pra situata me gjithë agresivitetin e saj është përballuar”, tha Berisha.
Ndërkohë, kryeministri Berisha akuzoi kreun e opozitës Edi Rama se po tenton të përfitojë nga fatkeqësia natyrore që ka mbërthyer vendin. “Ata që nga strofulla e tyre fërkojnë duart dhe gëzojnë duke vjellë vrer nga mëngjesi deri në darkë me shpresën që mund të qëmtojnë vota mbi mundimin dhe sakrificën e qytetarëve shqiptarë e krijuar nja një situatë natyrore e paparë, 45 vjetët e fundit dëshmojnë se jetojnë në shpellën e primitivizmit të tyre”, theksoi Berisha.
Gjendja e “fatkeqësisë natyrore”, do të thotë disbursim i fondeve për çdo komunë që të kontraktojë mjetet për hapjen e rrugëve brenda komunave.
Kreu i qeverisë bëri thirrje për dhënien e fondeve për çdo komunë për hapjen e akseve rrugore të bllokuara. “Fonde për çdo komunë që do kontraktojnë mjete për hapjen e rrugëve. Në Kukës i gjeta kryetarët e komunave në lartësinë e detyrës dhe më garantuan se më këtë masë, ne me kapacitetet lokale, garantojmë kalueshmërinë e rrugëve të komune dhe fshatrave të tyre”, tha më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›