E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Në kohë reale” në RTSH siguron foton e autorit të dyshuar për përdhunim në Tiranë, zbardhet dëshmia: Vajza donte vetë

Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në kryeqytet, ku një 31-vjeçar, i identifikuar si Armando M., është vënë nën hetim me dyshimin se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një 29-vjeçareje.

Detaje të reja mbi rastin u dhanë nga gazetarja e RTSH, Flutura Tota, në emisionin “Në Kohë Reale”, ku nga stafi i emisionit u publikua edhe fotoja e autorit të dyshuar që ndodhet në krahun e djathtë.

Viktima e dyshuar ka bërë denoncimin në Polici, duke deklaruar se abuzimi seksual ndodhi në automjetin e partnerit të saj, Armando M., në një zonë periferike të Tiranës.

Gazetarja Tota, duke cituar burime nga grupi hetimor, shpjegoi se ngjarja ka ndodhur pas disa orësh që dy personat kishin kaluar bashkë për kafe dhe drekë.

“Vajza ka deklaruar se ai ka abuzuar seksualisht me të përmes dhunës,” raportoi Tota. Ajo theksoi se vajza nuk e ka konfirmuar nëse gjatë aktit ishte përdorur edhe armë zjarri për kërcënim.

Pas ngjarjes, 31-vjeçari dyshohet se është larguar dhe ka shkuar në një lokal, ku më pas është arrestuar nga shërbimet policore.

Mohimi nga i dyshuari

Ndërsa 29-vjeçarja denoncon abuzimin me dhunë, personi i dyshuar ka mohuar akuzat. Sipas gazetares, Armando M. ka deklaruar se marrëdhënia intime kishte qenë “me konsensus”, duke theksuar se kishin 2-3 muaj që njiheshin.

Çelësi i hetimit, rezultati i ekspertizës

Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës po vijon punën për të faktuar denoncimin. Menjëherë pas raportimit, është kryer ekspertiza mjeko-ligjore.

“Deklarimet e vajzës duhet të faktohen. Këtë e bën të mundur një ekip mjekësh të specializuar, të cilët kanë kryer ekzaminimet dhe pritet që shumë shpejt të dalë rezultati, përmes të cilit të faktohet nëse është abuzuar apo jo,” raportoi gazetarja Tota.

Aktualisht, 31-vjeçari ndodhet në masë sigurie. Fati i çështjes do të varet nga rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, të cilat pritet të mbërrijnë së shpejti për të konfirmuar apo hedhur poshtë akuzat e denoncimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›