E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kurthin e Ramës

Edi Lesi 

Akrepat e kryetarit të opozitës, Edi Rama, paçka se jo pak vetë thonë se këto ditë lëvizin në kahun e kundërt të kohës, po shënojnë në fakt orën e gjithë vendit. Nga lëvizjet e tij sot, ne kuptojmë se çfarë moti politik do të jetë nesër.
Aktualisht, kur jemi në kulmin e krizës politike, është më e lehtë të bëhet një bilanc sesa një parashikim për të ardhmen. Dhe nëse vëmë në peshore atë çfarë ka ndodhur deri tani, duhet të pranojmë se ajo anon nga kryesocialisti. Axhenda e tij personale e pas zgjedhjeve të 28 qershorit është sot axhenda e krejt Republikës, ku të gjithë aktorët janë përfshirë në të. Sigurisht nuk mund të injorohej bojkoti dhe protestat që nisi dhe po udhëheq Rama. Megjithatë është e pafalshme për mazhorancën legjitime dhe të njohur ndërkombëtarisht, që u përfshi në këtë vorbull me të njëjtin pasion si opozita. Nuk është krejt gabim nëse këtë do ta quajmë fitoren e parë të kreut të PS-së. Në vend se të lihej në aventurën e tij të rrugës, ose jashtinstitucionale, si një palë e vetme, me Brukselin kundër kësaj lëvizjeje përmes thirrjeve dhe rezolutave, tani të gjithë kanë zbritur në shesh. Aty ku fiton ai që ka më pak gjëra për të humbur. Dhe dihet se më pak gjëra për të humbur, ka ai që nuk ka fituar zgjedhjet.
Qeveria duket se kanë lënë për një moment zyrat dhe ka zbritur në bazë duke iu përgjigjur Ramës. Gjithçka ka marrë formën e personales. Akuza dhe kundërakuza nga Tirana në rrethe dhe anasjelltas. Të krijohet përshtypja se jemi tre ditë para zgjedhjeve dhe jo 6 muaj pas. Mirëpo, gjatë kësaj kohe, ekzekutivi mund të spikaste me përkushtimin institucional dhe me axhendën e administrimit, që zor se lë shumë kohë për punë të tjera ekstra-qeveritare.
Në një hierarki objektive prioritetesh, padyshim se janë disa sipërane, krahasuar me fushatën e Ramës dhe reagimin ndaj saj.
Është buxheti i shtetit një moment kulmor për një shumicë parlamentare që kërkon vëmendje maksimale. Janë kushtet teknike për liberalizimin e vizave me hapësirën Shengen, një zhvillim i epërm gjithashtu, veçanërisht kur BE konfirmoi se testi politik është tashmë i kapërcyer. Nuk është e tepërt të thuhet se këto janë çështje të rëndësisë kombëtare, që duhej të thithnin gjithë energjinë e administratës. Këto lypset të ishin dita e punës e qeverisë.
Është shumë më normale të shohim Kryeministrin Berisha në pikat kufitare, duke verifikuar nga afër aftësinë tonë menaxhuese, një kusht teknik që na çon drejt heqjes së vizave me Evropën sesa në aktivitete me degët e PD, duke u marrë me Ramën. E njëjta gjë edhe me pasaportat biometrike. Këqyrja e këtij procesi nga afër, edhe ky një kusht i patjetërsueshëm teknik që kërkon BE për vizat, do të ishte mesazhi më i mirë që mund të jepte kreu i qeverisë në këtë fundviti.

Fakti që maxhoranca dhe kreu i saj janë këto ditë të impenjuar gjetkë, nuk supozon aspak se është hequr dorë nga këto reforma. Mirëpo, duhet të pranojmë se ne nuk kemi qeveri titanësh, e cila mund të bëjë gjithçka në të njëjtën kohë. Ne kemi dhe duhet të kemi një qeveri normale që jep më të mirën e saj kur është totalisht e përqendruar në prioritete.
Nëse vendin po e mban peng një aleancë punisto-mafioze, kjo padyshim që kthehet aty për aty në përparësi. Por lidhjet e errëta që ka parasysh Berisha nuk lindën sot. Zhbërja e tyre është thjesht një detyrë e qeverisë dhe jo konstribut i saj. Aleanca punisto-mafioze nëse ekziston, duhej të ishte çmontuar me kohë, me heshtjen e zbatimit të ligjit dhe jo me fushatë të ndërkryer. Po të jetë kështu, maxhoranca duhet të japë shpjegime pse ka toleruar kaq gjatë, apo më tepër, pse ka bashkëjetuar me të keqen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›