E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, jo e keqja më e vogël

Redi Gjuzi 

Kanë ndryshim vetëm për talentin. Njëri ka më shumë talent se tjetri në formimin e fjalive. Në thelb të dy janë njësoj, të ashpër dhe dredhacakë, si ta dojë stina politike. Dje, Edi Rama e vërtetoi me kthimin e përgjigjes për Sali Berishën, me po të njëjtën tallje për inteligjencën e shqiptarëve. Në fjalimin e tij, ai tregoi se ka të njëjtin mentalitet, si ai i akuzuar prej tij, për shtetin dhe moralin.
Është vërtetë jo normale që Kryeministri të akuzojë biznesmenë, të cilët kanë ndërtuar në Tiranë, me leje ndërtimi të firmosura dhe të dhëna, në mënyrë ligjore (duke ju besuar fjalëve të Edi Ramës). Por është e pamoralshme të mbrosh shitjen e 1300 metrave katrorë tokë në qendër të Tiranës, me vlerën e një apartamenti 100 metra katrorë, mu përballë tokës. Ligjërisht, çdo biznesmen e ka të fituar betejën me Berishën në gjykatë, por moralisht je i humbur si mbrojtës i kësaj beteje. Dhe Rama, ashtu si Berisha kanë shumë në krahun e vet, që kanë privatizuar me çmime qesharake pronat e këtij vendi, në mënyrë ligjore, por aspak të moralshme. Dhe e gjitha kjo është njësoj si kërkesa për hapjen e kutive. Rama, si mbrojtës i tezës së grabitjes së votave, e di që gjykata i ka dhënë të drejtë Berishës, por gjëmon përditë, në emër të moralit, që gjykata e ka gabim. Dhe mund të ketë të drejtë. Njësoj siç mund të ketë të drejtë Berisha për tokën në qendër të Tiranës. E vetmja gjë e pamoralshme është dërgimi në gjykatë i një dosjeje, kur akuzuesi nuk i beson vendimit të gjykatës. Është vërtet jo normale që kryeministri të akuzojë biznese për veprimtarinë e tyre në Tiranë apo në vende të tjera. Është absurde të mendosh se këto biznese do të trajtohen, pas akuzave të Berishës, si armiq nga e gjithë administrata shtetërore, vetëm se kanë lidhje politike me PS. Por të njëjtën gjë bëri edhe Rama në fjalimin e vet si përgjigje, kur përmendi koncensione dhe investime turistike të dhëna gjatë këtyre katër viteve, për bizneset pranë PD. A nuk është kjo një hakmarrje, sot me fjalë, nesër me pushtet? Kjo nuk e bën Ramën një të keqe më të vogël. Është jo normale që qeveria në kohë krize të ulë në 5 milionë lekë xhiron vjetore të një biznesi, për ta taksuar me TVSH. Po kjo nuk i shërben rritjes së biznesit dhe lehtësimin e tij fiskal në kohë krize. Por është mashtrim, që hallin këtij biznesi t’ia qajë kreu i Bashkisë së Tiranës. Se në pesë pikat e ankesave të tij, është edhe mosaprovimi i uljes me disa fish i taksës së pastrimit dhe gjelbërimit, që paguajnë këto biznese. Para janë, edhe kur shkojnë për TVSH edhe kur shkojnë për taksën e gjelbërt apo pastrimin apo tabelës. Prandaj Rama akoma nuk është e keqja më e vogël dhe as po mundohet të jetë. Është vërtet jo normale që Berisha në mes të Parlamentit të merret me historitë, me nënën dhe të afërmit e Ramës. Është anormale që politika të hyjë deri në qelizën e familjes. Rama është i besueshëm, kur ndjehet i fyer dhe me dhimbje për nënën e tij. Por vetëpërgënjeshtrohet, në po të njëjtin fjalim kur thekson për bashkëshorten e Berishës se është “e padeshifrueshme” dhe “rri statujë pranë burrit”. Rama mashtron me standardet e etikës, brenda vetë fjalimit të vet, se është ndryshe nga Berisha. Se, edhe Berisha e ka grua Lirinë, ashtu siç e ka Rama nënë Anetën. Kur shahen, shahen të dy me libër shpie. Dhe mundet që Rama të ketë të drejtë, njësoj si Berisha, kur flet për familjen e tij. Është vërtet jo normale që tuneli i rrugës së Kombit, të shembet (sipas Ramës nga nxitimi i Berishës për ta hapur para fushatës). Është e fyese për koston miliardëshe që po paguajnë qytetarët dhe bizneset e këtij vendi. Por është e pamoralshme që akuzën ta bëjë kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili e mbaroi Bulevardin “Zogu i Parë”, para fushatës së vitit 2007, dhe për dy vite rresht, si dhe dje në mbrëmje, punonjësit e Bashkisë së Tiranës të shkojnë ta meremetojnë se ç’bëhet sa herë bie shi. Krahasimi mund të jetë i ndryshëm në vlerë parash, por është i njëjtë në vlerë administrimi.
Është jo normale që Shqipërinë e vitit 2009, ta drejtojë një ish-anëtar i Partisë së Punës. Ndjehesh keq po ta besosh fjalinë e Ramës, se kryeministri i vitit 2009 ka internuar një familje mjekësh në vitet e komunizmit. Por, është e vështirë ta besosh se Rama e dënon këtë akt, kur thekson me krenari se është Edi Kristaq Rama. Të paktën Kryeministri (po të jetë e vërtetë fjala e Ramës) nuk ka firmosur për t’i pushkatuar. Dhe akuza e bërë nga Rama, në një sallë plot emra baballarësh, sigurisht nuk e bën atë të keqen më të vogël. Është e vërtetë dhe krejt normale, që opozita të jetë pro liberalizimit të vizave, edhe pse protestat dhe dalja nga Parlamenti, në hapin final të vizave nuk i shërben fort këtij procesi. Është e vërtetë, se sipas Ramës “ka prej nesh këtu që e kanë kërkuar qysh atëherë kur Sali Berisha ishte ende një sekretar aq i zellshëm i Partisë së Punës”. Po, realisht ka. Por është e pabesueshme kur këtë fjali e dëgjon nga kryetari i një partie, që ka “bashkëpunëtorin më të afërt në krye të partisë”, ministrin e fundit komunist të Shqipërisë. Nuk ka qytetar, sado i varfër dhe hallexhi qoftë, të besojë se Gramoz Ruçi, të jetë nga ata burra të Shqipërisë që e kanë kërkuar heqjen e vizave që në vitet 1990. Prandaj janë të pabesueshme fjalët, dhe prandaj nuk je e keqja më e vogël.
Është jo normale, që zgjedhjet në një vend të NATO, dhe aspirante për në BE, të vidhen (sipas Ramës). Është jo normale, që pushteti, qeveria t’i gënjejë (sipas Ramës) shteteve më të civilizuara të Botës, që t’i njohin këto zgjedhje. Liderët e PS përditë po bërtasin, se vendet e BE janë mashtruar. Por këto vende jo vetëm që nuk po e besojnë, por ata e ftojnë Ramën në Kuvend. Ne si komb jemi mashtruar njëherë nga fuqitë e mëdha, në vitin 1913, kur na copëtuan dhe për pak na zhdukën. Më pas e përgënjeshtruam Evropën dhe BE për 45 vite, nga njerëz që Rama i ka shumë afër edhe sot. Në rast se Shqipëria e mashtroi Evropën, dhe ajo ja njohu zgjedhjet, atëherë kush humbi? Në logjikën e Ramës, ne duhet t’i themi Evropës se je mashtruar, dhe me siguri ministrat e BE do ta rishikojnë edhe njëherë vendimin për hapjen e zarfit të kërkesës për anëtarësim. Me siguri që ministrat e brendshëm dhe të jashtëm do të vendosin shtyrjen e afatit për heqjen e vizave, se një vend që nuk bën dot zgjedhje, nuk mund të ketë popull të barabartë, qoftë edhe për nga lehtësia e lëvizjes, me atë të BE. Dhe Rama këtë po mundohet të bëjë. Ti tregojë BE, se qeveria nuk është legjitime, se votat u vodhën, dhe më e keqja se qeveria ju mashtroi. Edhe pse BE insiston se i vetmi person që nuk do të besojë është Edi Rama. Kjo është arsyeja, që debatin politik, akuzat monstruoze të barabarta, por me stile të ndryshme, qytetarët shqiptarë i shohin me zemër në dorë nga ekranet e televizioneve. Nuk kanë hallin se kush merr pushtetin. Kanë frikë se nga acarimi i krizës, gjërat mos shkojnë më keq (dhe politika shqiptare e ka çuar vendin në luftë nga acarimi i fjalorit). Kanë frikë, se mos Berisha i ka vjedhur votat dhe BE e zbulon mashtrimin. Kanë frikë se mos Rama e do aq shumë pushtetin, sa të mos pyes deri në fund për BE. Sepse në fund, sikur Rama të ketë të drejtë, BE do ja heqë vizën qeverisë, do i shtojë vizat për shqiptarët, dhe ka shumë mundësi që socialistët të marrin pushtetin. Por a është kjo e keqja më e vogël?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›