E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Projektimi psikologjik”

Eno Bozdo 

Sigmund Freud ka dhënë një kontribut të rëndësishëm mbi konceptin e “Projektimit Psikologjik” dhe aplikimit të tij në shkencën e psikologjisë klinike. Me fjalë të varfra, ky koncept vlerësohet si një ”mekanizëm mbrojtës”, ku individi apo grupi social projekton (transferon) dëshirat, mendimet, ndjenjat dhe motivimin nga vetvetja tek një person apo grup social tjetër. Këto ndjenja, dëshira apo qëllime janë tilla që morali shoqëror nuk i pranon dhe i refuzon apo i përbuz. Ky mekanizëm lehtëson ndjeshëm ndjenjën e fajit dhe e bën ekzistencën individuale të pranueshme, duke shmangur kështu ndjenjën e konfliktit të brendshëm që mund të rezultojë nga kjo gjendje. E pra, ndërsa shikoj reagimin politik dhe njerëzor të z. Rama gjatë këtyre muajve të fundit, fill mbas mbarimit të zgjedhjeve të përgjithshme e deri më sot, nuk mundem veçse të mendoj për fenomenin e “projektimit psikologjik”, dhe për mënyrën sesi z. Rama po e përvetëson (ndoshta në mënyrë instiktive) këtë mekanizëm. Eshtë e vërtetë që shumë analistë sjelljen e tij ia atribuojnë përgjithësisht veprimit të logjikshëm për të justifikuar veten pas humbjes në zgjedhje, për t’u rikonfirmuar në krye të partisë që ai drejton etj., por në të gjithë këtë skemë diçka nuk shkon: reagimet kapërcejnë logjikën bazike dhe racionalitetin, duke u kthyer kështu në të pabesueshme: rasti më flagrant është kërkesa paralizuese e z. Rama për të hapur me çdo kusht kutitë e votimit. Le të ndalemi pak në këtë kërkesë të tij. Z. Rama do t‘i mjaftonte një radikalizmi virtual i situatës politike në vend për të shuar zërat (jo të pakët) kundra tij brenda partisë që ai drejton, si dhe për t‘i shkëputur z. Berisha “njohjen” si kryetar legjitim i opozitës, gjë për të cilën ai ka nevojë. Por z. Rama zgjedh të bëjë një kërkesë (rihapjen e kutive) të cilën ai e di fare mire se nuk mund të realizohet, madje edhe sikur z. Berisha të ishte plotësisht dakord për këtë gjë. Kjo kërkesë praktikisht është kusht i pamundur, mbi të gjitha nga pikëpamja ligjore (por edhe politike). Realizimi i një kërkese të tillë do të vinte në dyshim principet mbi të cilat është ngritur një vend demokratik si Shqipëria, principe të cilat ndajnë dhe balancojnë pushtetet kushtetuese, si një kusht i patjetërsueshëm i një sistemi demokratik. Me pak fjalë, procesi në të cilin z. Rama ka futur veten e tij dhe forcën politike që drejton, është më shumë se sa një veprim që shërben për të konsoliduar pozicionin e tij personal. Ky veprim tejkalon kufijtë e një lufte politike madje edhe kufijtë e një loje politike vetjake, për të siguruar drejtimin e PS edhe për të paktën 4 vjet të tjera. Atëherë, përse z. Rama e bën një kërkesë të tillë, e cila dihet që nuk mund të marrë kurrë një përgjigje pozitive? Sigurisht që një shpjegim ekziston: akuzat që nuk rreshtin prej kohësh kundër z. Berisha, nëpërmjet tij personalisht apo mediave që kontrollon, janë të tilla që të bëjnë të mendosh se z. Rama është duke projektuar tek z. Berisha ekzaktësisht atë çka ai vetë po i shkakton Partisë Socialiste. Por, le të analizojmë më në thellësi se ku konsiston “mekanizmi i projektimit” si dhe shfaqjen e simptomave të tij. Z. Rama akuzon z. Berisha si (1) dhunues të zgjedhjeve, si (2) shkatërrues të shtetit dhe principeve demokratike dhe si (3) kryeministër ilegjitim. Në të vërtetë, tutje retorikes politike, z. Berisha ia doli mbanë të organizojë zgjedhje me standardin më të lartë të mundshëm, ku shumica absolute e treguesve të OSBE/ODHIR u arrit dhe ku rezultati i këtyre zgjedhjeve (nga pikëpamja e organizimit dhe standardit të tyre) u përshëndet nga të gjithë aktorët ndërkombëtare. Logjika të thotë që z. Rama këtu po projekton tek z. Berisha dhe zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti procesin fars të zgjedhjes së tij në krye të Partisë Socialiste. Z. Rama po projekton gjithashtu (2) faktin e mbylljes së gojës të kundërshtarëve të tij politike brenda partisë duke mos u lejuar të kishin madje edhe anëtarë të komisionit për numërimin e votave (siç ishte rasti i z. Malaj), tek z. Berisha nëpërmjet akuzës së “blerjes së komisionerëve”. Më tej z. Rama e akuzon z. Berisha si (3) kryeministër ilegjitim, duke reflektuar në subkonshiencë (nënndërgjegje) ndjenjën e tij të fajit, ndërsa e kupton se nuk i takon atij të jetë kryetar i PS, pasi është në shkelje të hapur të statutit, të cilin ai vetë e propozoi dhe votoi disa vite më parë në kongresin e radhës të Partisë Socialiste. Pra, në të tria pikat e mësipërme, standardet që z. Rama ka vendosur në bashkësinë e tij (partinë që drejton) janë realisht mjaft më poshtë standardeve që z. Berisha ka vendosur në bashkësinë që drejton (qeveria dhe shteti). Ky është thelbi i kontradiktës. Z. Rama e konsumon çdo ditë këtë kontradiktë nëpërmjet konferencave të shtypit të tij, njësoj si pacienti përpara terapistit. Por le ta vazhdojmë analizën edhe me disa simptoma që kulmuan ditët e fundit: edhe më naivi e kupton që mbrapa një fushate gati dyvjeçare kundër familjareve të z. Berisha, fushatë e cila njohu akuza jashtë çdo lloj logjike e morali politik dhe njerëzor, qëndron z. Rama. Mediat që propagandojnë këto sulme, janë shumë të afërta me z. Rama dhe godasin në mënyrë të koordinuar, në një shënjestër të vetme. Madje, ka ditë që edhe titulli hapës i këtyre mediave është kaq i ngjashëm saqë edhe një intelekt mediokër e kupton që formulimi i këtij titulli vjen nga një njeri i vetëm. Për mendimin tim z. Rama ka qenë dhe mbetet dirigjenti i vetëm i kësaj fushate. Po perse sulmohet zt. Berisha pikërisht tek familja, kur dihet tashmë dhe pohohet edhe nga kundërshtarët e tij më të ethshëm politikë se ai përfaqëson një politikan model përsa i përket dedikimit dhe vlerave familjare? Një mendje normale do ta udhëzonte z. Rama të ndryshonte shënjestër, t‘i drejtonte bateritë jo në piken më të fortë të z. Berisha, por në pikat potencialisht të dobëta të tij. Edhe këtu ka një kontradiktë që kërkon një shpjegim! E nëse vazhdojmë të ndjekim ngjarjet me ftohtësi, do të vërejmë se pas përgjigjes se z. Berisha në Kuvend, reagimi i z. Rama përsëri nuk ishte normal: kur të gjithë prisnim që ai të jepte shpjegime për disa fakte specifike, me personazhe të njohura që u përmendën haptazi nga kryeministri, z. Rama kundërakuzoi z. Berisha si person të cekuilibruar (mos vallë i referohej ndjesisë për vetveten?). Reagimi normal në këtë çast do të kish qenë hedhja poshtë e fakteve (apo pranimi i tyre) nga z. Rama, duke dhënë shpjegime të qarta dhe justifikime bindëse mbi (pa)vërtetësinë e tyre, por ndodhi krejt e kundërta. Z. Rama jo vetëm që nuk sqaroi asgjë, por përkundrazi ai kundërsulmoi. Të nesërmen e asaj dite, ai nxori me hir apo pahir, edhe të gjitha punonjëset gra të Bashkisë së Tiranës, të cilat u shprehen të «indinjuara» ndaj fakteve të përmendura nga kryeministri një ditë më parë në Kuvend. Në fakt ishte një reagim pa vend, sepse z. Berisha iu referua pikërisht të kundërtës, ai fajësoi z. Rama për dhunim të grave, e në këtë kontekst, gratë e Bashkisë së Tiranës duhet ose të solidarizoheshin me z. Berisha (thuajse e pamundur) ose të akuzonin atë për trillues. Por ato nuk bënë as njërën e as tjetrën, por akuzuan z. Berisha për dhunë ndaj nënave dhe motrave shqiptare! Çfarë reagimi i çuditshëm!! Por në fakt ishte normal një reagim i tillë, sepse deklarata e shtypit ishte hartuar nga vetë z. Rama, i cili “projektoi” tek z. Berisha fajin dhe kompleksitetin e tij personal. Le të heqim këtu (për argument logjik) një paralele me reagimin e z. Berisha kur familjarët e tij u akuzuan për lidhje dhe ndërhyrje në çështjet e tragjedisë së Gërdecit: zt. Berisha nuk ia hodhi fajin askujt, nuk e projektoi problematiken në fjalë, por në mënyrë të shkoqitur shpjegoi përse asnjë nga familjarët e tij nuk kishin lidhje me këtë çështje, dhe besoj që ai tha atë që opinioni publik priste, pavarësisht faktit nëse individët e pëlqenin apo jo shpjegimin e tij. Pra si përfundim, edhe në këtë rast, z. Rama projekton në mënyrë të pavullnetshme kompleksitetin dhe problematiken e tij familjare drejt z. Berisha, në një përpjekje për të shtypur ndjenjën e fajit personal. Po e mbyll këtë shkrim me një reference që gjithmonë më ka bërë të mendoj: dedektivi letrar me i famshëm i kohërave, Sherlock Holmes, i thoshte dikur ndihmësit të tij Ëatson se «..kur të gjitha arsyet bien, ajo e fundit që mbetet, edhe pse më e pabesueshmja, është arsyeja e vërtetë e ngjarjes..» Arsyetimi thelbësor i këtij shkrimi mund të tingëllojë i panatyrshëm, madje disa ndoshta nuk do ta besojnë, por në fund të fundit është i vetmi arsyetim që qëndron në këmbë dhe si i tillë është argumenti shpjegues i kësaj situate paradoksale dhe të rrezikshme që kryetari i Partisë Socialiste po nxit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›