Mbyllet projekti, internet në 2107 shkolla të vendit
Në 2107 shkolla 9-vjeçare e të mesme në të gjithë vendin është instaluar interneti. Për qeverinë shqiptare ky është një nga projektet më madhorë në fushën e arsimit. “Sot bëhet realitet, ajo që vetëm 4–5 vjet më parë ishte një ëndërr për thuajse gjithë nxënësit e Shqipërisë, mësimi me kompjuter dhe lundrimi në internet. 2107 shkolla janë pajisur me kompjuter dhe lidhur në internet. Rreth 500 mijë nxënës fillojnë të mësojnë me kompjuter dhe internet në shkollë. Investimi total për infrastrukturën hard dhe lidhjen e internetit arrin vlerën 15.45 mln USD”, tha dje në aktivitetin e organizuar për mbylljen e projektit, Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në ceremoni, theksoi se udhëtimi për moshën dixhitale nuk do të ndalet. “Këtë vit buxheti për moshën dixhitale është 5-fishuar e se vitin e ardhshëm do të 10-fishohet, ndërsa në vitin 2012 do të 15-fishohet”, tha Berisha. Në fund të fjalës së tij, kryeministri Berisha pati edhe një bisedë on-line me anë të internetit, me fëmijë nga shkolla të ndryshme të vendit, ku u shprehu në mënyrë të drejtpërdrejtë premtimin e tij se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka, që në vitin 2013 fëmijët shqiptarë do të kenë internet në shtëpi, pavarësisht gjendjes ekonomike. Lidhja e shkollave në internet është pjesë e projektit “Cilësi dhe Barazi në Arsim” (CBA) që bashkëfinancohet nga Qeveria Shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës. Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) ka mbështetur hartimin e “Master Planit për programin e E-shkollave në Shqipëri”. Projekti CBA ka filluar në tetor 2006 dhe synon përmirësimin dhe fuqizimin e kapaciteteve menaxhuese të sistemit arsimor, pajisjen me kabinete informatike dhe kompjutera të të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit. Investimi për pajisjen me kompjuter dhe lidhjen e internetit në të gjitha shkollat e vendit arrin vlerën 15,45 mln USD. Pajisja me kompjuter dhe lidhja në internet e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme krijon bazën e nevojshme për shtrirjen e teknologjisë së informacionit në programin mësimor dhe modernizimin e funksionimit të të gjithë sistemit arsimor në vendin tonë. Albtelekom është kompania zbatuese e projektit për lidhjen e internetit.