Interpoli kërkon Kelmendin e Jasharin

Ndonëse janë arrestuar e dënuar nga autoritetet e drejtësisë, ata ende figurojnë në listën e Interpolit si të kërkuar për krime të kryera në Kosovë.
Elvis Kelmendi, djali i Naser Kelmendit, ka nëntë muaj që është arrestuar dhe një muaj që është shpallur fajtor dhe i njëjti ende nuk është larguar nga Interpoli si person në kërkim.
Edhe Adnan Jashari, vrasësi i Diana Kastratit, i cili u raportua që është arrestuar këtë muaj në Spanjë, vazhdon t’a ketë të publikuar fotografinë në faqen e internetit të Interpolit, e cila mban të dhënat e personave më të kërkuar në botë.
Elvis Kelmendi, i cili është arrestuar me 22 shtator, është ndjekur penalisht nga një ekip i përzier i prokurorëve të EULEX-it dhe atyre vendor, ku me 13 maj të këtij viti u shpall fajtor dhe u dënua me katër vjet burgim.
Kelmendi u akuzua fillimisht nga prokuroria për tentim vrasje të rëndë, të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2010 kundër Elvis Hoxhiq.
Ndërsa me 7 qershor, është arrestuar Adnan Jashari, i dyshuar për vrasjen e Diana Kastratit. Arrestimi është bërë në Valencia të Spanjës. Jashari i moshës 31 vjeç, dyshohet për vrasjen e kryer më 18 maj 2011 në Prishtinë, Që nga vrasja, Jashari ka qëndruar në arrati, ndërsa ai ishte edhe në kërkim të Interpolit.
Sipas një përllogaritje që ka bërë Indeksonline, në listën kryesore të Interpolit figurojnë 48 kosovarë në kërkim dhe shumica e të ndjekurve janë moshë madhore dhe të ngarkuar me vepra të rënda penale, vrasje, tentim vrasje, grabitje të rënda.
Shumica prej tyre janë më urdhër arreste të lëshuara nga autoritetet vendore, por ka edhe të atillë që janë në kërkim në llogari të vendeve të tjera për veprat të kryera jashtë vendit./V.K/Indeksonline/