Dora qe qendron pas sulmeve ne Maqedoni
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, ka reaguar ndaj incidenteve të ditëve të fundit në Maqedoni. Në një deklaratë për mediat, PDIU shprehet se kushdo qoftë pas këtyre incidenteve, veçanërisht mbi fëmijët shqiptarë, do bëhet përgjegjës për pasojat e spirales së dhunës ndëretnike. PDIU thekson se shqiptarët janë të interesuar për ekzistencën e Maqedonisë, por nëse vetë maqedonasit nuk janë të interesuar, atëherë ky është një skenar i paparashikueshëm! Në deklaratë thuhet se mbrapa sulmit ndaj fëmijëve, ngjan se ka diçka që është rreptësisht e planifikuar. PDIU thotë se në të gjithë rastet, kush qëndron prapa sulmeve, nuk ka llogaritur si duhet reagimin e shqiptarëve si komb ndaj provokimeve kësisoj. PDIU thekson se qeveria maqedonase që ka në dorë ndëshkimin e fajtorëve dhe është përgjegjëse për ruajtjen e stabilitetit, duhet të ndërhyjë me forcë dhe me drejtësi që këto akte të marrin fund, përndryshe nesër do të jetë vonë.