Në lojë me monumentet e komunizmit
Heronjtë e Vigut, Lenini, Ushtari i Panjohur, Njeriu i ri socialist...Për të gjithë tingëllojnë të njohur. Janë monumente të krijuara gjatë Shqipërisë komuniste, të vendosura anembanë vendit e të ardhur deri në ditët e sotme. Madhështia e tyre, ideologjia dhe historia që mbartin ka qenë një ngacmim i mjaftueshëm për piktorin Ardian Isufi për t’i risjellë artistikisht në tablo herë të mëdha e herë të vogla, një lojë metaforike që kërkon të vërë në një dialogim të hapur mitin. “Umbrarum Theatrum”(Teatri i Hijeve), kuruar nga Edi Muka do të çelet sot paralelisht në dy galeri arti: në galerinë “Fap” të Akademisë së Arteve në orën 18.00 dhe në galerinë “Zeta” në orën 19.00. Rreth 20 punë, mënyra e ekspozimit të të cilave të jep përshtypjen e një instilacioni, marrin referencë objekte apo edhe fenomene të së shkuarës për të vënë pikëpyetje të mëdha mbi ekzistencën e tyre, funksionalitetin dhe duke nxitur një autokritikë apo reflektim në të tashmen. Veç monumenteve, Isufi është ndalur në sheshet kryesore, tashmë me një identitet të caktuar, duke i propozuar ata në marrëdhënie ku herë ndihet ironia, herë metafora e herë të tjera një reflektim artistik.
“Teatri i hijeve” nuk është një ekspozitë në kuptimin klasik. çfarë synoni ju si artist në këtë angazhim?
Titulli dhe përmbajtja e këtij aktiviteti është fryt i një bashkëbisedimi të gjatë dhe konstruktiv që kam pasur me kuratorin Edi Muka. është një ekspozitë që lidhet me një pjesë të krijimtarisë sime të dy viteve të fundit ku u jam referuar elementeve të historisë sonë duke i vënë në një diskutim të hapur për publikun, i cili mund të ngrejë pikëpyetje, t’i rishikojë, të ngacmohet e të kërkojë përgjigje ndërmjet historisë, religjionit, politikës, kontekstit social etj. Mbi të gjitha, elementi qendror i kësaj ekspozite është monumenti i parë si koncept i mitit. Monumentet para viteve ’90 kanë qenë pjesa më e rëndësishme vizuale, sepse ato e kanë deklamuar dhe reklamuar fort politikën e kohës. Në vetvete ata janë objekte që ne kërkojmë t’i kemi, një lloj ikone tek e cila kemi nevojë të besojmë. Duke i risjellë artistikisht, unë dua të vë në pikëpyetje vërtetësinë e tyre, përse na duhen dhe përse ne hiperbolizojmë ngjarje apo personazhe të caktuara që mund të jetë pika kyçe në histori, por që mbartin në vetvete si anët pozitive ashtu edhe ato negative. Ky është thelbi i ekspozitës.
Në përzgjedhjen tuaj ju ka udhëhequr ideologjia apo historia e këtyre monumenteve?
Në përgjithësi më ka udhëhequr ideologjia, por pavarësisht kësaj, te to gjendet e ndërthurur edhe historia. Disa punë që kanë pasur për referencë objekte religjioni mbartin në vetvete jo vetëm rrugëtimin historik, por edhe ndërhyrjen e fortë që u bë në të drejtat dhe liritë e individit për të besuar. Gjen pastaj punë në formën e artifaktit, të cilat janë dëshmi reale. E tillë është vepra “Njeriu i ri socialist”, i Qazim Kërtushës dhe Luan Bërhamit, të cilën unë e kam gjetur në oborrin e Muzeut Arkeologjik në Durrës dhe e kam sjellë si një artifakt për të kuptuar ç’është miti dhe ç’është rënia e mitit. Ekspozita vjen si një e tërë ku veprat bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, ku ti futesh në një ngjarje dhe del në një tjetër të lidhura përmes një filli të vetëm.
Nga konstatimi juaj, a ka ndryshuar koncepti për mitet pas viteve ’90?
Nuk ka ndryshuar thelbësisht, por çdo kohë prodhon mitet e saj dhe unë në thelb merrem me këtë çështje, vë në diskutim këtë problematik pavarësisht se marr si referencë pjesën më të madhe nga e kaluara jonë e afërt ku fuqizimi i mitit ishte parësor. Ne vazhdojmë ndoshta edhe pa dashje të jemi një lloj pengu i atij mentaliteti që kaluam, jemi peng i atij kornizimi që ka monumenti si përmbajte e asaj kohe. Sot ka një vazhdë që nuk është e plotë sa atë kohë, por ndihet. çdo gjë që prezantohet ka doza të një mentaliteti postkomunist, ka doza të një mentaliteti që nuk i shkëputemi për ta parë historinë jo në formë komunitare, por në formën ku individi urdhëron dhe tregon.
Në këtë riciklim të miteve, a keni ju një qëndrim tuajin?
Unë nuk definoj në ekspozitën time, kjo është shumë e rëndësishme. Unë hedh në treg disa pyetje dhe ia lë publikut të krijojë një mendim të tijin. Ekspozita nuk ka karakterin e një mesazhi të mbyllur, por sugjeron rishikim të pikave tona të referimit. Ne kemi mësuar një histori që në pjesën më të madhe është e shpikur, një histori, pikat më të forta të së cilës janë dobësuar për shkak të politikës që ne kaluam dhe sot miti deri diku është pjesë e njëshit, e personit të dorës së fortë. Unë mendoj se në një shoqëri demokratike, ku individi ka rol jo vetëm publik, por ka komunitar, miti duhet të jetë një element i cili nuk duhet të hiperbolizohet. Në përgjithësi duhet të kemi një autokritikë dhe një autorefklesion, me të vërteta të thëna troç dhe me nota të forta që i bëjnë mirë shoqërisë.
Si nisi ngacmimi për këtë ekspozitë?
është hulumtim i imi. Ngacmimi i parë ka qenë një udhëtim për të parë monumentet në Shqipëri. Kam qëndruar edhe përballë shesheve që te ne kanë një identitet të caktuar dhe jam munduar të kem një sensibilitet dhe shkarkim më të madh psikologjik. Kjo ndoshta është edhe një reflektim në përgjithësi i të parit të gjërave në një frymë postmoderne. Për arsye të asaj që kaluam, ne akoma kemi një lloj keqkuptimi mes modernizmit dhe postmodernizimit dhe mendoj se edhe një artist duhet të vazhdojë në atë autorefleksionin e fort që ka postmodernizmi si kohë, si periudhë dhe si një tendencë e madhe në çdo fushë të jetës. Në këtë mes, arti ka rolin qendror, sepse merr pak nga të gjitha dhe e trajton në një rivlerësim për të gjetur sa më mirë pikat ose piketat e ardhshme.
Ju keni zgjedhur të bëni një lojë me përmasat e objekteve të paraqitura ashtu si edhe me mënyrën e ekspozimit. është edhe kjo një zgjedhje për dialogim?
Në vetvete loja me përmasat e objekteve, ku diku janë minimizuar e në të tjera raste janë hiperbolizuar, si edhe mënyra e ekspozimit të tyre bartin gjuhë metaforike. Vepra duhet të jetë si një metaforë e madhe dhe jo vetëm si një mënyrë klasike ekspozimi.
#