Itali, Lidhja e Veriut, fituesja e vërtetë e zgjedhjeve lokale
Kryeministri Silvio Berluskoni ka arritur fitore në zgjedhjet lokale, duke i marrë katër rajone opozitës, ndërkohë që Lega e Veriut, forca anti-emigracion, ka dalë si forcë edhe më e madhe në koalicionin e qendrës së djathtë. Pavarësisht rritjes së papunësisë dhe ecjes së ekonomisë me ritme shumë të ulëta, ndër më të ulëtat e periudhës së pasluftës botërore, opozita e copëzuar italiane e qendrës së majtë ka marrë vetëm 11 vende dhe thuajse është nxjerrë jashtë nga Veriu i pasur i vendit. Për sa i përket Partisë së Berluskonit, Populli i Lirisë, ajo e ka dyfishuar numrin në katër rajone, ndërsa Lega e Veriut, partnerja e koalicionit, mori dy rajone. Sipas komenteve të Kryeministrit, rezultati do të kontribuojë në perspektivën e një sistemi stabël politik dhe do të forcojë shanset e vazhdimit të pjesës së dytë të mandatit të qeverisë. Vendimi i Berluskonit për të dalë në fund në fushatë për të mobilizuar zgjedhësit, duket se deri në njëfarë niveli ishte i suksesshëm, edhe pse sasia e votave të partisë së tij ishte më e vogël. Sipas disa analistëve, fitorja e së djathtës ka të bëjë edhe me një lloj shpërblimi për manovrat e ndërmarra nga ministri i Ekonomisë, Xhulio Tremonti, i cili mendohet se ka shmangur një krizë të rëndë për Italinë, në të cilën aktualisht janë zhytur shumë vende në Europë, kryesisht në Mesdhe. Qendra e majtë, e cila u mund nga Berluskoni në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2008 dhe që nuk po gjen stabilitet me liderët e saj, vazhdoi që të mbante zonat e saj në Italinë Qendrore dhe një pjesë në Jug të saj. Lega e Veriut, e cila bën fushatë për të braktisur pagesat ndaj Jugut të prapambetur dhe dembel, arriti që të merrte dy rajone për herë të parë. Ajo fitoi rajonin verior të Venetos, duke u shndërruar në partinë më të madhe në rajon, por gjithashtu doli para qendrës së djathtë në Piedmont dhe pati shumë afër partinë e Berluskonit në Lombardi, zemrën industriale të vendit. “Njerëzit duan federalizëm dhe do t’ua japim atë shumë shpejt”, ka deklaruar lideri i Legës, Umberto Bosi, duke premtuar që do të vazhdonte përpara me ndërmarrjen e reformave në rajonet e pasura të Veriut, të cilat i kontrollon. “E majta nuk ekziston më në Veri”, deklaroi ai.
Shumë italianë, veçanërisht në Jug, kanë ngritur alarmin për politikat që ka ndjekur dhe kërkon të ndjekë Lega e Veriut dhe për përparimin dhe mbështetjen që ajo po merr, madje edhe në pjesët e Italisë së Mesme. Pas kësaj fitoreje ajo pritet që të kërkojë poste të tjera në kabinetin qeveritar. “Ky po bëhet një problem serioz, sepse Italia po ndahet në dy pjesë dhe shumë shpejt i takon që ne jugorët të zhvendosemi në Spanjë për t’u ndierë më mirë”, ka deklaruar një banor i Jugut. Rreth 41 milionë italianë ishin të aftë për të votuar në 13 nga 20 rajonet e vendit. Pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët në krahasim me votën e fundit të vitit 2005. Në këto votime morën pjesë 64% e popullsisë. Niveli i lartë i abstenimit flet për largësinë që kanë njerëzit në përgjithësi ndaj politikës dhe ndaj sjelljeve të të gjithë politikanëve, pavarësisht përkatësisë partiake që janë përfshirë nga skandale korruptive.
#