E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Duhet të rinisë dialogu politik. Shqetësim funksionimi i institucioneve

Intervista Komisioneri i Zgjerimit në BE lëshon paralajmërimin e radhës ndaj Tiranës zyrtare

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, ka deklaruar dje nga Brukseli se është shumë i shqetësuar për mungesën e stabilitetit të institucioneve në Shqipëri dhe mungesën e dialogut politik. Në një intervistë për gazetën online “Euroaktiv”, dhënë për gazetarin Georgi Gotev, Fule thekson se kriteri politik do të jetë vendimtar për integrimin në BE, ndaj Shqipëria duhet të japë prova...

Ju vizituat Ballkanin së fundmi, ndërmjet të tjerëve edhe Shqipërinë, një vend i cili duket i padukshëm në suazën e lajmeve ndërkombëtare. Që prej zgjedhjeve politike të qershorit të shkuar, opozita ka bojkotuar Parlamentin, gjë që nuk është një ogur i mirë për procesin e Stabilizim-Asocimit. Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat, por atje ka probleme reale. Cili është mesazhi juaj për Tiranën?

Mesazhi im për Tiranën ishte shumë i qartë. E para, unë shpreha vlerësimin në lidhje me progresin që është bërë: Shqipëria është vend i NATO-s dhe Këshilli Europian i ka kërkuar Komisionit të përgatisë opinionin për këtë vend. Por gjithashtu, theksova rëndësinë e kriterit politik të Kopenhagës. Unë shpreha shqetësim në lidhje me stabilitetin e institucioneve demokratike dhe mungesën e dialogut politik në Parlament. Unë nënvizova rëndësinë e këtij procesi dhe sigurisht të gjitha ligjet duhet të adoptohen, por nuk mund të ketë reforma pa një legjislacion të përshtatshëm. Shumica e gjërave është në dorën e shqiptarëve dhe unë shpresoj shumë që do të ketë progres dhe ata do të tregojnë se kanë një demokraci të pjekur. Përgjegjësia gjendet në dy partitë politike, si në mazhorancë, ashtu dhe në opozitë.

Shqipëria ka ndryshuar jashtëzakonisht: ishte një diktaturë gjatë kohës komuniste dhe ishte situata më e keqe se çdo vend. A mund ta vlerësoni evolucionin e Shqipërisë në këta 20 vjet? Jugosllavia ishte një shtet i suksesshëm në atë kohë dhe qytetarët e saj gëzonin lirinë e lëvizjet dhe miliona banorë punonin në Perëndim, ndërsa shqiptarët nuk e imagjinonin që të largoheshin nga vendi...

Padyshim çdo vend ka historinë e tij dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mbajnë një bagazh të madh historik. Konflikti ka mbizotëruar në rajon dhe Shqipëria veçanërisht ka një bagazh të madh në këtë aspekt. Pra jam dakord që duhet të shohim progresin e arritur në 20 vitet e fundit. Fakt është që Këshilli Europian i ka kërkuar Komisionit të përgatisë opinionin në lidhje me progresin e ndërmarrë nga Shqipëria. Por ka shumë për të bërë dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm për të gjithë vendet e Ballkanit, përfshirë dhe Kroacinë, e cila duhet që të hapë negociatat për kapitullin 23 për gjyqësorin dhe liritë thelbësore. Ky është një nga mësimet që kemi marrë nga eksperienca e vendeve të tjera që u pranuan së fundmi në BE: që duhet t’i vëmë një rëndësi thelbësore kriterit të Kopenhagës, dhe veçanërisht kriterit politik, i cili duhet të shoqërojë procesin e integrimit që nga fillimi deri në fund. Ne kemi nevojë të sigurohemi se këto vende jo vetëm kanë një legjislacion dhe institucione, por ato japin prova për zbatimin e tyre.

Një tjetër çështje e rëndësishme për Ballkanin është procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Derisa të shpallet vendimi, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë të paralizuara, ne jemi dëshmitarë të samitit të Brdos që u zhvillua së fundmi. Cili është këndvështrimi juaj për këtë bllokim? A po prisni ju vendimin e GJND-së apo do të kërkoni që Beogradi dhe Prishtina të nisin bisedimet pa u vonuar?

Pozicioni i Komisionit është ai i statusit neutral. Ne shikojmë një perspektivë europiane për të dyja vendet. Serbia ka aplikuar për anëtarësimin në BE në fund të vitit të shkuar dhe komisioni po pret dritën jeshile nga Këshilli Europian për të nisur procesin e hartimit të opinionit zyrtar. Ndërkohë, ne po punojnë fort me autoritetet e Kosovës në tri çështje specifike që të promovojmë aspiratat europiane, pasi sipas perspektivës së Komisionit, është shumë e rëndësishme që këto vende kanë kaluar periudhën e ftohtë. Bashkëpunimi në rajon dhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi rajonal është një pjesë e rëndësishme në procesin e Stabilizim-Asocimit dhe kjo duhet të jetë përfshirëse, përfaqësuese dhe efektive. Unë mendoj se konferenca e Brdos ishte një sukses, pasi për të parën herë liderët e këtyre vendeve u angazhuan për të ndihmuar njëri-tjetrin për të plotësuar kushtet për aspiratat europiane.

Marrë me shkurtime nga “Euroaktiv” Përgatiti: Ylli Pata

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›