Në luftë me vdekjen këshilltari i PS, pas atentatit me C4

Policia
flet mbi shpërthimin e tritolit në makinën e këshilltarit socialist, i ndaluar
vjet për armëmbajtje pa leje
Vlorë, 7 Shkurt NOA Anëtari i Këshillit
Bashkiak të qytetit të Vlorës, Morand Hoxha, gjendet në reanimacionin e qendrës
spitalore të Vlorës në gjendje të rëndë për jetën, bëjnë të ditur mjekët që
citon korrespondenti i agjencisë NOA.
Hoxha mbeti i plagosur rëndë në orët e vona të
mbrëmjes së djeshme, si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde plasëse pranë
automjetit të tij në çastet që po dilte jashtë.
Policia tha se dyshon shumë se bëhet fjalë për
një atentat i cili erdhi nga një sasi eksplozivi plastik C4 i telekomanduar në
distancë.
Ngjarja ndodhi në orën 21.20 në afërsi të
Kalit të Trojës, pranë shkollës 9-vjeçare Ismail Qemali në lagjen Isa
Boletini e cila gjendet në qendër të qytetit të Vlorës.
Morand Hoxha sapo ishte duke dalë nga makina e
tij, një Benz me ngjyrë të bardhë tip 2400 me targa të Vlorës, kur makina u
hodh në erë dhe sikundër shihni në foto, ajo u shkatërrua plotësisht.
Nga shpërthimi, Morand Hoxha 38 vjeçar (në
foto), mori dëmtime të shumta në trup dhe në kokë dhe në gjendje kritike për
jetën u dërgua në spital, ku mjekët thanë sot se situata është ende kritike për
shkak të plagëve serioze që ka marrë nga shpërthimi i eksplozivit plastik.
Një numër i madh forcash policore shkoi në
vendngjarje dhe ende sot disa ekspertë të policisë po përpiqen të marrin prova
dhe të dhëna për të zbardhur këtë atentat.
Morand Hoxha, që nga muaji mars i vitit 2009 u
largua nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe, në detyrën e anëtarit të Këshillit
Bashkiak Vlorë, kaloi me Partinë Socialiste.
Burimet policore i thanë agjencisë NOA se 38-vjeçari
Morand Hoxha, më datën 15 prill të viti të kaluar, ishte ndaluar në drejtorinë
rajonale policore, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Më tej ai u la i lirë pasi u vendos masa e
sigurisë detyrim paraqitjeje.
Policia thotë se ka disa pista hetimi por deri
në zbardhjen e disa hetimeve që po kryhen, nuk dëshiron të bëjë publike asnjë prej
tyre.
a.d/e.r/NOA