E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitojnë nga protestat

Policët të cilët kanë protestuar për katër ditë radhazi kanë ndërprerë protestën.

Protesta është ndërprerë pas një takimi maratonik ndërmjet Këshillit Protestues, ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti dhe drejtorit të Policisë, Sheremet Ahmeti.

“Është marrë vendim që të bëhet rishikimi për një ngritje pagash. Diku rreth 3,5 milionë do të ketë shtesë për implementim të pagave”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë thënë se policët grevistë janë njoftuar se do të rishikohen dhe korrigjohen të gjitha gabimet që janë shfaqur në sistemin aktual të pagave nga një grup punues, duke përfshirë edhe kompensimin në mënyrë retroaktive.

Gjithashtu sistemi i pagave do të rishikohet dhe do të bëhet implementimi i ngritjes së pagës bruto, sipas së cilës, zyrtarët policorë patrullues do të marrin 355 euro, plus ndërrimi i natës, zyrtarët policorë në administratë do të marrin 320 euro, zyrtarët policorë në hetime do të marrin 395 euro, njësitet speciale operative 395 euro, njësitë e specializuara 415 euro dhe Njësiti special intervenues, 430 euro.

Policia ka njoftuar se të gjithë zyrtarët policorë, pavarësisht gradës, do të marrin rritjen në pagë varësisht nga njësitë ku punojnë. “Synimi i menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës është që në kuadër të kornizave ligjore dhe në bashkëpunim me të gjitha rajonet, stacionet, njësitë dhe departamentet të vazhdohet me përmirësimin e kushteve të punës të zyrtarëve policorë”, thonë ata.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, toger Baki Kelani ka treguar se tashmë është arritur një marrëveshje mes policëve grevistë dhe MPB-së dhe që nga orët e pasmesnatës të gjitha njësitet e specializuara janë tërhequr nga greva.

“Që pas mesnate, policët e kanë ndërprerë grevën, pasi është marrë vendim që të ketë rishikim për një ngritje pagash, por edhe disa rishikime të tjera që kanë kërkuar njësitet e specializuara. Detajet e tjera do të dihen më vonë”, ka thënë Kelani.

Katër ditë radhazi me kërkesat për ngritje të pagave dhe zbatimin e Ligjit për Policinë, më shumë se 10 njësi të specializuara të policisë e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre përmes grevës, ndërsa kanë kërkuar rritje të pagave dhe ndryshim të kontratave.

Me kërkesat për ngritje të pagave dhe zbatimin e Ligjit për Policinë, për katër ditë, katërmbëdhjetë njësi të specializuara të policisë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre përmes grevës, ndërsa kanë kërkuar edhe rritje të pagave prej 100 për qind dhe ndryshimin e kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme.

“Ne presim zbatimin praktik, në mënyrë që të kemi personel policor më të motivuar dhe kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në ngritjen e efikasitetit të policisë. Synimi i menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës është që në kuadër të kornizave ligjore dhe në bashkëpunim me të gjitha rajonet, stacionet, njësitë dhe departamentet të vazhdohet me përmirësimin e kushteve të punës të zyrtarëve policorë”, thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, Këshilli protestues i Policisë që kanë protestuar është shpërndarë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes me zyrtarët qeveritarë.

Askush prej tyre nuk ka pranuar të flasë duke thënë se për çdo detaj mund të pyeten zyrtarët për media në polici.

Me protestuesit policë ishin solidarizuar edhe disa kolegë të tyre nëpër stacione të ndryshme të komunave të Kosovës.

Protestuesit ishin përkrahur moralisht nga disa parti opozitare.

Kjo është hera e parë që pjesëtarë të Policisë së Kosovës protestojnë dhe bojkotojnë punën duke shprehur pakënaqësitë e tyre me pagat dhe Ligjin për Policinë, edhe pse në Ligjin për Policinë një gjë e tillë nuk u lejohet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›