Në maj, Universiteti Politeknik mbyll fazën e vetëvlerësimit
Procesi i akreditimit të Universitetit Politeknik të Tiranës, një nga me të mëdhenjtë në vend për numrin e studentëve, do të përfundojë brenda muajit maj. Pra, për vitin akademik 2010-2011, procesi akreditimit do të jetë i përfunduar. Kështu shprehet rektori i këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, i cili tha se tashmë ka përfunduar projekti për vlerësimin e brendshëm dhe brenda muajit maj duhet të përfundojë dhe ai i jashtëm, për sa i përket cilësisë dhe standardeve që ofron ky universitet.
“Do të kalojmë procesin e vlerësimit të brendshëm që mendojmë ta realizojmë brenda muajit maj, me të cilin do të lidhemi në një detyrim ligjor. Në bashkëpunim me MASH dhe Agjencinë e Akreditimit do të bëjmë kërkesë, në mënyrë që dhe ky proces i vlerësimit të brendshëm në institucion të ketë një kontroll nga ana e Agjencisë së Akreditimit dhe, në fund të majit, shpresoj që ne do të formatojmë kërkesën pranë MASH dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë”, thotë rektori i UPT-së, Jorgaq Kaçani.
Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës shprehet më tej se do të ishte një zgjidhje e mirë dhe e drejtë, që procesi i akreditimit të bëhej nga e njëjta agjenci akreditimi, qoftë dhe e huaj, për të gjitha universitetet publike.
"Ndoshta fakti që e njëjta agjenci akreditimi duhet të bëjë vlerësimin e jashtëm të të gjitha universiteteve, në mënyrë që ajo të jetë unike dhe të ketë një modul, ose një njësi matëse për të gjitha universitetet, në mënyrë që mbi bazën e kësaj njësie matëse, ose mbi bazën e stekës që është ngritur për cilësinë të bëhet dhe klasifikimi i universiteteve”, vijon Kaçani.
Procesit të akreditimit po i nënshtrohet dhe Universiteti i Tiranës. Ky proces përfshin vlerësimin e standardeve dhe cilësisë që ofrojnë këto universitete dhe nuk kanë lidhje me vlefshmërinë e diplomave që ato lëshojnë, pasi ato njihen nga tregu i punës.
#