Anduel Xhindi, djali i deputetit të vrarë, në Facebook: Dua drejtësi
Djali i deputetit të vrarë, krahas rrugëve zyrtare dhe institucionale, ka marrë një nismë në faqen e internetit “Facebook”, për të kujtuar të atin, Fatmir Xhindin, duke kërkuar drejtësi. Anduel Xhindi u bën apel të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit për të zbardhur çështjen. Kur ka kaluar rreth një vit nga ngjarja e rëndë, ende policia e prokuroria nuk kanë një version zyrtar dhe përfundimtar për autorësinë e këtij atentati të pashembullt për qytetin e Fierit dhe për gjithë vendin. Familjarët, të afërmit dhe bashkëqytetarët e deputetit Xhindi vijojnë të ribëjnë apel për drejtësi. Familjarët kanë kërkuar shpesh herë hetim ndërkombëtar për vrasjen e Fatmirit. Por, asnjëherë shteti nuk e ka përmbushur këtë kërkesë, madje ka vonuar edhe në zbardhjen e ngjarjes. Djali i deputetit të vrarë, Andueli, ka shkuar edhe më tej me kërkesën e tij për drejtësi. Në faqen e tij personale në “Facebook”, ai shfaq hapur dhimbjen që e ka pllakosur pas humbjes së të atit.
Mes pak miqve, kryesisht shokë e shoqe shkolle, si dhe të afërmve të tij, Andueli bën apel për drejtësi, ndërkohë që e ka kanalizuar ngjarjen në fjalë si një fakt tronditës të jetës së tij dhe padyshim të familjes. Sipas vëzhgimit të gazetës “Shqip” në faqen personale në “Facebook”, Anduel Xhindi shfaq hapur lidhjen me të atin. Ka mundur të mbledhë materialet e shkruara dhe krijuara për të. Jo vetëm të ditës së fundit të homazheve, por edhe foto ndër vite të të atit, për t’i publikuar virtualisht. Komentet e bëra nga Anduel Xhindi flasin për një krenari që është i biri i Fatmir Xhindit. Mbi materialin e përcjelljes për në banesën e fundit të të atit, Anduel Xhindi ka shkruar “Drejtësi…”. Por, fakti më tronditës i faqes personale të Anduel Xhindit lidhet me një këngë italiane të kënduar nga këngëtari italian, De Andre, me titull “Kënga e babait”.
Vargjet e këngës flasin për një apel që familjarët i bëjnë policisë për zbardhjen e vrasjes, apel që është bërë dhe ribërë edhe nga familjarët e Fatmir Xhindit. Miqtë dhe dashamirësit e Anduelit e kanë mbështetur atë në thirrjen publike për drejtësi, ndërkohë që është shteti ai që duhet të flasë aktualisht.
Autoritetet lokale policore nuk flasin për këtë dosje dhe thonë se nuk i janë rikthyer asaj prej muajsh, ndërkohë që hetimet janë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku familjarët mendojnë me të drejtë se fshihet edhe autorësia. “Përveçse shteti, askush tjetër nuk di për vrasjen e Fatmir Xhindit. Autorin duam, asgjë më shumë”, kanë riapeluar një ditë më parë familjarët e deputetit të vrarë. Pak ditë më parë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, është shprehur se vrasja e Fatmir Xhindit e ka një emër.
#