E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mendjen e pedofilit

Abuzimi ndaj të miturve, një veprim që nuk ta rrok as mendja, por që ndodh jo rrallë. Çfarë ndodh në kokën e një pedofili kur vendos të sulmojë një fëmijë. Rrëfimi i rrallë i një personi nën akuzë

"Nuk shkova menjëherë për të sulmuar fëmijën. Krijova një raport besimi ditë pas dite. I vogli filloi të besonte tek unë dhe pas pak filloi të më përqafonte. Kështu, kur të abuzoja me të, t‘i dukej diçka normale". Një pedofil e përshkruan kështu aktin mizor që ka kryer me një 9-vjeçar. Burri që nuk ka mbushur ende 40 vjeç, para se të përfundonte në burg për dhunë seksuale, kishte kryer gjeste që në të shkuarën quheshin "aktet e epshit" kundrejt një vajze të vogël që e ndiqte në rrugë. Muaj më vonë adoleshentja e pa sërish në rrugë. Vrapoi menjëherë në një dyqan dhe i telefonoi policisë. Për këtë ngjarje të tmerrshme burri (në atë kohë një djalosh) u ishte besuar shërbimeve sociale. Në 2001-shin, pasi doli nga qendra e rehabilitimit, ai e vazhdoi sërish vesin e tij. Viktima e radhës ishte një djalë 9-vjeçar, që duke e frekuentuar vazhdimisht, ky i fundit pandehte se e kishte shok.

Dënimi prej katër vjetësh, duke i shtuar edhe dy raste të tjera, ku i dyshuari kryesor ishte 40-vjeçari, e mbajti në burg deri në vitin 2006. Më pas kaloi 11 muaj në një spital psikiatrik gjyqësor dhe tani që është i lirë ndjek një program që u dedikohet abuzuesve dhe që drejtohet nga një psikoanalist. Në këtë shoqatë kurohen 95 përgjegjës për aktet e dhunës, por numri total i të pranishmëve është 1080. Edhe pse tashmë gjërat për të kanë ndryshuar, burri preferon që të mbetet anonim.

Tregimi i pedofilit fillon me këto fjalë: "Aktin e parë e kam kryer në 1998-ën, ngacmoja një vajzë 14-vjeçare. Në fakt ajo më kishte thënë se ishte 10 vjeçe. Mosha e vërtetë e saj u zbulua gjatë procesit gjyqësor dhe nuk e kuptova pse më kishte gënjyer. Ishte pasdite, e pashë teksa ecte në rrugë dhe iu vura pas. Diçka brenda meje më shtyu që t‘i shkoja pas. E ndalova në rrugë, e pyeta si quhej dhe ecëm së bashku drejt shtëpisë së saj. Nuk më kujtohet nëse më kishte pushtuar një ndjenjë e veçantë, por ndjeva nevojën që ta ndiqja dhe ta prekja. Nuk dëshiroja që të kisha një marrëdhënie seksuale, as që bëhej fjalë për këtë. Nuk mendoja se veprimi që bëra do të quhej abuzim. Pas pak çastesh fillova ta prekja dhe e pyeta nëse mund të vazhdoja. Më tha jo dhe unë u tërhoqa. Në të shkuarën kisha pasur impulse të tilla, por nuk e di me saktësi se kur kanë filluar. Mund të them vetëm diçka, që kur kam qenë i vogël dikush tjetër ka abuzuar me mua. Por nuk dua të flas për këtë temë. Është një histori që ka dalë në shesh ndërsa bashkëbisedoja me një doktoreshë. Isha i madh dhe kisha bërë disa seanca me psikologët, por nuk kishin shkuar dhe aq mirë, sepse në vitin 2001 bëra një tjetër abuzim".

Pas këtij tregimi doli në pah një version tjetër i asaj që ka ndodhur në të vërtetë. Burri jep një version tjetër, ndërkohë që në dokumentet gjyqësore (e thekson ai vetë) janë pasqyruar veprime të tmerrshme dhe për më tepër të kryera brenda gjashtë muajve. Gjithashtu në dokument ishte shkruar me të zezë momenti kur burri kishte parë për herë të parë në rrugë djalin e vogël dhe kishte vendosur që ai të ishte viktima e tij.

"Kisha zënë shoqëri me një koleg në vendin e punës ku punoja dhe ndodhte që të shkoja shpesh për ta takuar. Aty e njoha edhe djalin, ishte një i afërmi i mikut tim. Një ditë tjetër e pashë ndërsa hapte dritaren e shtëpisë së tij. M‘u duk sikur tek ai pashë veten, sytë e tij ishin si të mitë kur isha i vogël. Që prej asaj dite fillova të mendoja për të dhe gjatë fundjavave shkoja për të takuar kolegun tim, me shpresën se do ta takoja aty. E ëma ishte e divorcuar dhe jetonte me dy djemtë. E njoha edhe atë dhe mes nesh lindi një raport besimi. Herën e parë që e preka po luanim me top, ne të dy vetëm. Në një moment e gjuajta topin brenda hyrjes së pallatit. E bëra me qëllim, që të shkonim ta merrnim të dy së bashku. Kur u futëm në hyrje fillova ta gudulisja që të kishim një kontakt fizik. Më pas e lëshova".

"Hera e dytë ka ndodhur dy javë para se të më arrestonin. Do të takoja shokun tim, i cili atë ditë nuk ndodhej në shtëpi. Nëna e viktimës sime më pa dhe më ftoi brenda në shtëpi që të pija diçka. Ishte hera e parë që shkelja në apartamentin e tyre. Hyra brenda, filluam të bisedonim, pimë nga një kafe dhe pas pak çastesh ajo shkoi për t‘u larë. Unë mbeta vetëm në kuzhinë së bashku me fëmijët. U ulëm në divan dhe filluam të shihnim televizor. Djali i madh m‘u ul te gjunjët dhe unë nuk rezistova. Ai as nuk qau e as nuk bërtiti. Rrinte aty, i palëvizur".

Ishte momenti i dhunës. Zëri i tij ishte i ftohtë, ashtu siç ishte shqetësimi i asaj pasditeje: "Kur u largova, nuk e kërcënova, por i thashë të mos i tregonte askujt. Ndërkohë ishte kthyer e ëma dhe unë, duke përshëndetur fëmijën, i thashë: më premton që do të sillesh mirë? Dhe ai e kuptoi menjëherë se për çfarë bëhej fjalë".

"Brenda vetes po pëlcisja. Doja ta ndaloja këtë instinkt, por vullneti im nuk ishte i mjaftueshëm". Tashmë ai është pjesë e një organizate që ndihmon kurimin e pedofilëve. "Tashmë unë jam i pjekur, por para se të hyja në burg e dija se isha një djalosh 16-vjeçar". Teza e tij është kjo: "Pedofilët janë si viktimat e tyre. Luajnë, mendojnë dhe sillen si fëmijë. U transmetojnë fëmijëve emocione që i bëjnë të ndihen të sigurt, që nuk u ngjajnë si armiq, por është krejt e kundërta".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›