Rojet moderne të "Moby Dick"
"Më kishte shpëtuar jetën në det. E pamë njëri-tjetrin në sy dhe e besova që më kuptonte, edhe pse ishte vetëm një balenë". Pasioni i kapitenit Paul Watson filloi me një shikim dhe një premtim, që gjatë gjithë jetës do të luftonte për të mbrojtur balenat. Tridhjetë vjet më vonë kapiteni lufton akoma për të ndaluar gjuetinë e paligjshme ndaj tyre në ujërat e ngrira të Antarktidës. Historia e tij e veçantë tregohet në një serial televiziv me shtatë episode që do të transmetohet në kanalin në "Animal Planet". Për tre muaj, një grup televiziv ka ndjekur nga afër aventurat e kapitenit Watson dhe ekuipazhit të tij, ndërsa përpiqen të ndalojnë gjuetinë e ndaluar të anijeve japoneze, që në kundërshtim me ligjet vrasin këto krijesa në detet e Jugut. Armiqtë e Watson-it janë anijet norvegjeze, japoneze, daneze dhe jo vetëm ato që dhunojnë ligjet ndërkombëtare, për sa i përket gjuetisë, duke vënë në rrezik ekosistemin. Të rrezikuara nuk janë vetëm balenat, por edhe delfinët dhe shumë specie të tjera që rrezikojnë të zhduken dalëngadalë. Mishi i balenave përfundon në pjatat e restoranteve ekskluzivë dhe vaji i tyre shërben edhe si lubrifikues për raketat balistike. Por, këto janë fakte që diheshin. Kjo histori ka lindur mijëra vjet më parë, kur u zbuluan vetitë e këtyre kafshëve që këndojnë dhe dashurojnë, kanë një tru aq të madh sa ai i njeriut dhe katër lobe ndryshe nga tre që kanë pjesa më e madhe e gjitarëve. Qindra vjet më vonë, pas epokës kur kockat e balenës shërbenin për korse dhe sapunë, e mbi të gjitha vaji për dritat dhe motorët që nisën revolucionin industrial, balenat, gjuetia e të cilave po bëhet me mjete gjithmonë e më të sofistikuara, vazhdojnë të ngordhin, pavarësisht zbulimit të naftës. Nëse nuk do të ishte për "Sea Shephard Conservation society", që Watson ka themeluar në vitin 1977, plot pesë vjet pasi kishte qenë mes themeluesve të parë të "Greenpace", vitin e fundit në botë do të kishin ngordhur 500 balena më shumë. Sot, numri i tyre në botë është ulur shumë dhe adhuruesit janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t‘i mbrojtur. Watson dhe ata që e shoqërojnë kryejnë operacione të vërteta patrullimi, në disa raste bashkë me rojet bregdetare. Patrullojnë, lokalizojnë dhe sulmojnë. Kërkojnë vazhdimisht anije që më pas t‘i bllokojnë dhe ndalojnë. Lufta mes jetës dhe vdekjes bëhet çdo ditë e më e ashpër. Ka pasur shumë raste kur edhe i kanë kërcënuar. "Na quajnë terroristë ekologjikë, na quajnë piratë. Na quani si të doni, por ne nuk do t‘i lëmë këto kafshë që të vdesin". Për të vrarë një balenë duhen të pakën 25 minuta. Ulërima, ankesa, kthesa dhe manovrime në det. Ndërsa "shokët" largohen drejt thellësive të errëta të detit, kush ngordh ngelet i vetëm gati për t‘u ngjitur në anijet, ku gjenden edhe njerëzit që i bëjnë copa-copa. Kapiteni Watson, që shoqërohet prej më shumë se 30 vullnetarë të ardhur nga e gjithë bota, përpiqet me gjithë shpirt ta ndalë këtë masakër. Diplomacia nuk është arma e tyre më e fortë. "Nuk jemi të dhunshëm, por jemi agresivë", tregon kapiteni, që në jetën e tij nuk i ka bërë kurrë keq njeriu. "Të sulmosh objekte nuk quhet dhunë. Të shkaktosh dëme nuk është terrorizëm". Përkrah tij, burra dhe gra të devotshëm ndaj kësaj çështjeje, shumë vegjetarianë, shumë ambientalistë dhe thuajse të gjithë me një jetë të qetë dhe të rregullt. Ka avokatë, informatikanë, fotografë apo ushtarë. Një prej tyre, Christopher Aultman, një pilot helikopteri 38 vjeç, para se të bashkohej me grupin e "Sea shepard" ka kaluar 6 vjet në marinën amerikane. Veteran i luftës së parë të gjirit, ai e ka njohur nga afër efektin shkatërrimtar të miliona fuçive të shkarkuara në Gjirin Persik gjatë luftës. Nga ajo kohë, për të asgjë nuk ishte si më parë. Iu deshën vite para se të takonte kapitenin Watson-in, por dëshira e madhe për balenat ka kryqëzuar jetët e tyre. Ai e ka dhënë shumë herë ndihmën e tij gjatë aksioneve për mbrojtjen e balenave në Antarktidë. Amber është një vajzë afrikano-jugore, e cila që e vogël shpëton kafshët e keqtrajtuara, ndërsa tani që është e rritur punon me organizata të ndryshme për shpëtimin e balenave dhe fokave. Pasioni i bashkon të gjithë këta njerëz. Edhe pse secili ka cilësi të veçantë, kjo është karakteristika e vetme që nuk duhej të mungonte. "Nëse je i gatshëm të vdesësh për të mbrojtur balenat, atëherë je pikërisht për t‘u bashkuar me grupin tonë", tregon kapiteni. "Buxheti ynë vitin e kaluar ka qenë 3 milionë dollarë dhe kemi bërë 276 udhëtime". Jetojnë me donacione dhe kanë shumë sponsorë, mes të cilëve edhe aktorë të tillë si Shon Pen, Pierce Brosnan apo Richar Dean Andersen. "Njerëzit e famshëm shërbejnë më së miri për të dhënë një shembull. Këta që përmenda e bëjnë më së miri këtë punë". Pastaj janë edhe ligjet që duhet të mbrojnë balenat, por që sigurisht nuk mjaftojnë. Për këtë qëllim është kapiten Warson-i. Në det askush nuk i respekton. Ekzistojnë, traktate, bindje dhe pak sanksione. Komisioni Ndërkombëtar për Gjuetinë e Balenave (IWC) ka fiksuar kuota të caktuara rreth numrit të balenave, që vendet anëtare janë të autorizuara të vrasin. Në vend të parë të vendeve që vrasin balenat qëndron Japonia, e cila vetëm në 20 vitet e fundit ka vrarë 25 mijë të tilla. Gjahu i tepruar, pengimi i furnizimit natyral ushqimor, si dhe ngrohja globale e ulën dhjetëfish popullsinë globale të balenave në shekullin e 20. Në vitet 1960, numri i atyre me gungë ra nën 2000. Balenat e Antarktidës pothuajse u eliminuan tërësisht. Komisioni Ndërkombëtar i Gjahut të Balenave ndaloi gjahun e tyre më 1986-ën, por gjuetia e paligjshme vazhdon edhe sot. Japonia vazhdon praktikën e shumëkritikuar të gjuetisë së balenave për kërkime shkencore, që shkakton vrasjen e 60 balenave në vit. "Nëse nuk i shpëtojmë këto specie, do të humbasim oqeane dhe nëse oqeanet ‘vdesin‘, do të vdesim edhe ne gjithashtu. Është e thjeshtë. Çështje mbijetese. Nuk lufton sepse të pëlqen. Nuk lufton sepse e di që një ditë do të fitosh ose do të humbasësh. Ti bëj atë që duhet të bësh. Pasi e realizon qëllimin, nuk duhet të shqetësohesh për pasojat", përfundon Watson.