E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në nderim të Bekim Fehmiut

Për të kujtuar aktorin më të njohur shqiptar, shoqata italiane Trentino con il Kossovo’ organizon në Pejë ekspozitën “Bekim Fehmiu – Pasuri e humbur në heshtje” dhe tribunën “Bekim Fehmiu - Pasuri bashkëkohore”.

Për nder të aktorit të njohur shqiptar Bekim Fehmiu, në Pejë do të hapet një ekspozitë e fotografisë si dhe do të mbahet një tribunë. E tërë kjo do të bëhet në organizim të shoqatës italiane ‘Trentino con il Kossovo’, e cila në Shtëpinë e Kulturës në Pejë, sot (e premte), në ora 19:00, do të bëjë hapjen e ekspozitës së fotografisë “Bekim Fehmiu – Pasuri e humbur në heshtje”, ndërsa një ditë më vonë, në sallën e asamblesë komunale të Pejës, në ora 15:30, do të mbajë tribunën “Bekim Fehmiu - Pasuri bashkëkohore”, në të cilën do të flasin Gradimir Gojer, Teofil Panqiq dhe Enver Petrovci.

Ekspozita ‘Bekim Fehmiu – pasuria e humbur në heshtje’ ka lindur si pjesë e një projekti më të gjerë me emrin “Dialogu, kujtesa dhe elaborimi i konfliktit”, i cili realizohet në territorin e Bosnjë Hercegovinës, Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i këtij projekti, sipas organizatorëve, është që përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme, të promovojë trashëgiminë e përbashkët kulturore të këtyre territoreve por edhe që të krijohen kushtet për bashkëpunim dhe vendosje të dialogut në mes të bashkësive që jetojnë në këto hapësira.

Kjo ekspozitë është rezultat i punës së të gjithë pjesëmarrësve dhe pjesëmarrëseve në projekt, që përmes rishikimit të përbashkët të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes, ta vendosin dialogun dhe të shkëmbejnë përvojat ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

“Hulumtimi, mbledhja dhe vetë ideja e ekspozitës është pjesë e një procesi të përbashkët, i cili është realizuar me përkrahjen e ekspertëve të kësaj fushe.

Në këtë ekspozitë është prezantuar materiali i cili është mbledhur në të tri territoret në të cilat implementohet projekti dhe ai përfshin intervistat e revistave me Bekim Fehmiun në periudhën 1967 – 2001, pjesë të librit, dokumente nga jeta private e Bekim Fehmiut, fotografi, posterë të filmave, por edhe shënime audio dhe video. Duke përfituar më së shumti nga ajo që Bekim Fehmiu ka thënë për veten dhe jetën e vet në intervistat e revistave dhe kujtimet të cilat janë publikuar në vitin 2001, kjo ekspozitë në një mënyrë e prezanton tregimin e Bekim Fehmiut për veten e tij”, thuhet në një njoftim të dërguar nga organizatori.

Nëpërmjet një përmbledhjeje kronologjike të jetës së Bekim Fehmiut që nga fëmijëria e hershme deri te vitet para vdekjes, kjo ekspozitë na flet për njeriun i cili duke i tejkaluar kufijtë e kulturave nacionale ka arritur që ta ruajë gjithë kompleksitetin dhe llojshmërinë e personalitetit të vet, por njëkohësisht na ka dërguar edhe porosinë se pasuria e një individi qëndron në aftësinë e tij që ta pranojë diversitetin.

Bekim Fehmiu është konsideruar si aktori më i suksesshëm shqiptar, i cili deri në vitin 1998 kur për herë të fundit paraqitet në film, ka luajtur më shumë se 70 role me çka ka lënë gjurmë impresive në kinematografinë jugosllave dhe botërore. Gjatë karrierës së tij të pasur, Bekim Fehmiu bëhet aktori i vetëm ndërkombëtar nga vendet komuniste, i cili në perëndim ka xhiruar gati 20 vite para rënies së murit të Berlinit.

Ai ka bërë vetëvrasje më 15 qershor të vitit 2010, ndërsa hiri i trupit të tij është shpërndarë në lumin Bistrica.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›