E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ne ndërtojmë të ardhmen - populistët e ‘rrugës së vetme’ janë skllevër të dogmës së Enverit”

29-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha prezanton kandidatët e mazhorancës në Dibër

Kreu i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri i vendit Sali Berisha, ka vijuar turin e prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleancës për Qytetarin” në rrethin e Dibrës, konkretisht për bashkinë Peshkopi, Bulqizë dhe Klos. Fillimisht Berisha u ndal në qytetin e Peshkopisë ku dhe prezantoi kandidatin për kryetar të bashkisë së mazhorancës, Ilir Krosi.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë qytet Kryeministri i ka garantuar Dibranët se qeveria do të mbështesë çdo projekt për zhvillimin e Dibrës, e cila sipas tij po shndërrohet në epiqendër të fuqishme të zhvillimit rajonal. Në këtë drejtim, Berisha premtoi se gjatë mandatit të ardhshëm do të asfaltohen të gjitha rrugët rurale të qarkut Dibër. “Fitoren e 8 majit do ta shndërrojmë në asfaltimin e të gjitha rrugëve të qytetit e komunave të rrethit të Dibrës, ndërtimin e rrugës që lidh qytetin me rrugën e Arbrit, përfundimin e rrugës së Arbrit, lidhjen e të gjitha komunave të rrethit të Dibrës me akset kombëtare, përfundimin e rrugës Macukull-Luzni. Në katër vitet që vijnë, ne do të përfundojmë ujësjellësin e Sopikut, do të garantojmë ujë 24 orë për Peshkopinë, fshatrat e komunat e saj”, u shpreh kryeministri.
Falë investimeve të mëdha, tha kryeministri, qeveria do ia dalë të shndërrojë ëndrrat në realitet. Këtu Berisha përmendi projektin e madh të qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë vend të zhvilluar brenda vitit 2017. “Shumë e shpejt do të jetë dita, kur Shqipëria të renditet në grupin e vendeve me industri të zhvilluar, kur Shqipëria të renditet në një ndër vendet me moshën dixhitale më të avancuar, kur Shqipëria të renditet në një nga vendet me arsimin më të zhvilluar”, tha Berisha.
Shqipëria nuk ka një vend tjetër, me ujë, dritë e diell, me një tokë më pjellorja që mund të bëhet, prandaj u bëri thirrje fermerëve të Dibrës që të guxojnë, të dhjetëfishojnë, kopshtet, pasi i garantoi qytetarë se qeveria do të financojë çdo rrënjë dhe se siç po ndërtohen rrugët më të mira, do të arrihet që Dibranët të kenë sistemin e vaditjes ndër më të mirët që ekziston.
Gjithashtu, duke u fokusuar te projektet e qeverisë, Berisha i bëri thirrje kreut të socialistëve, Edi Rama që të mos i provokojë shqiptarët me sloganet e “rrugës së vetme”, pasi atë rrugë ata e braktisën 20 vjet më parë. “Vija për herë të parë në Dibër dhe u dashurova me klimën, peizazhin e njerëzit e saj. Por, të dashur të rinj e të reja, çdo ditë punoja me zemër të thyer, me një brengë të thellë në shpirt, sepse ato burra e gra, ato nëna e baballarë, gjyshe e gjyshër që unë mjekoja në spitalin tuaj, ditën që dilnin nga spitali më refuzonin recetën dhe me thoshin se ilaçet nuk i blenin dot. Unë përpiqesha t’u jepja zemër atyre dhe ata menjëherë më bënin llogarinë, se aq sa merrnin në kooperativën bujqësore nuk u mjaftonte për copën e bukës së misrit. Kjo ishte rruga e vetme. I nderuar zoti Edi Rama mos i lëndo qytetarët shqiptarë me hijen e asaj rruge, se nuk ka ndërmend ta ndjekë asnjë prej tyre”, deklaroi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›