E Martë, 3 Nëntor 2026

Në ndjekje të adrenalinës, emocionet e hedhjes me parashutë nga qielli i Gjirokastrës

Qetësinë e qiellit të Gjirokastrës këto ditë e kanë trazuar uturimat e avionëve të vegjel sportivë, por magjinë ia kanë shtuar parashutistët që kërkojnë e shijojnë adrenalinën e hedhjes nga avioni.

Kamera e RTSH është ngjitur bashkë me ta në avion, në 4000 metra lartësi për të ndjekur pikërisht këto emocione, që për ne i përcolli Emi.

“Jam shumë e emocionuar, e kam shumë qejf dhe duhet ta provoj. Duhet të hidhesh pa e menduar dy herë” është shprehur e emocionuar Emi.

Tek Emi  që sapo ka përfunduar hedhjen  dhe ka prekur token tani fjala e urtë popullore  “ Sikur ke rënë nga qielli”, gjen vend më shumë se kurrë. Emocionet e përziera me adrenalinë e aventurë bashkë ia shtojnë forcën.

“Shumë emocionuese por ja vlente, ja këshilloj të gjithëve këtë eksperiencë të mrekullueshme, pamja ishte fantastike dhe çdo gjë tjetër. Në disa momente je tërësisht e lirshme dhe je duke fluturuar” tha Emi.

Parashutizmin ajo e ka provuar edhe më parë nga Llogaraja dhe adrenalinën në vena e këshillon si diçka që të gjithë duhet ta provojnë.

Për organizatorët e aktivitetit këtë sezon duhet vlerësuar pjesëmarrja gjithnjë e në rritje e parashutistëve dhe se këto aktivite e bëjnë Gjirokastrën dhe turizmin e saj më të njohur e të vizitueshëm.

Për bashkinë Gjirokastër Aerodrimi i Gjirokastrës, pilotët dhe parashutistët që vijnë po e bëjnë qytetin edhe më turistik edhe me relaksues.

Të shohësh Shqipërinë nga qielli, është një nga përvojat më mbresëlënëse. Peizazhet e pafundme të detit, qiellit, maleve e luginave të mrekullueshme, e bëjnë parashutizmin një nga sportet ekstreme më të preferuara në vend.

Gazetare: M. Mëhilli

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›