Ne, në qytetërimin perëndimor
Një frymë e re në debatin e vjetër të elitës së inteligjencës shqiptare rreth traditës sonë qytetërimore. Vepra “Shqiptarët në qytetërimin perëndimor”, me autor z. Bardhyl Ukcamaj trajton harmoninë ndërfetare, shprehur përmes deklaratës së Monsinjor Rrok Mirditës gjatë vizitës së Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali i Dytë në Shqipëri
Ditët e fundit, fondit të studimeve shqiptare i shtohet një vepër serioze “Shqiptarët në qytetërimin perëndimor”, me autor z. Bardhyl Ukcamaj. Me një edukim solid në universitet amerikane, z. Ukcamaj (i njohur në jetën politike shqiptare në fillimet e lëvizjes antikomuniste) sjell me këtë studim një frymë të re në debatin e ri e të vjetër të elitës së inteligjencës shqiptare rreth traditës sonë qytetërimore. Mendoj se ky libër studimor është në interesin e të gjithë atyre (shqiptarë apo të huaj), të cilët janë të interesuar për kulturën e shqiptarëve. Është një prurje, që e pasuron fondin e kulturës sonë të shkruar, si një ndër studimet serioze në këtë fushë të botuar në letrat shqipe (post komunizëm) në dijeninë time. Këtë studim autori ja dedikon mikut të tij , njërit prej personaliteteve shqiptare më të shquar të gjysmës së dytë të shekullit XX, françeskanit atdhetar, At Zef Pllumit. Parathënia është shkruar me një elegancë të spikatur nga Imzot Rrok Mirdita. Një punë cilësore është bërë edhe nga botuesi Myftar Gjana (shtëpia botuese “Princi” ), i cili është edhe redaktor i këtij botimi studimor. Ky libër siç shkruan vetë z. Ukcamaj, nuk ka asnjë qëllim mohues ndaj prurjeve të tjera në kulturën shqiptare (atyre lindore), thjesht autori nuk është përpjekur t'i analizojë. Në hyrje shkruhet: “Ky libër është një përpjekje disavjeçare për të kuptuar, së pari vetë autori (i lindur në epokën e regjimit ateist), rolin që ka luajtur kristianizmi ose më saktë, kultura katolike, në shtratin e kulturës sonë kombëtare; cili është vendi i kulturës së shqiptarëve në universin e kulturës evropiano-perëndimore; cilat janë kontributet shqiptare në këtë kulture”. Në këtë libër praktikuesit e asnjërit nga besimet tradicionale shqiptare nuk do të gjejnë thuajse asgjë që ka lidhje me teologjinë, pasi ky nuk ka qenë qëllimi i autorit. Prej paragrafit të parë dhe deri në kapitullin e fundit mund të thuhet se ky studim është i pasur me referenca të studiuesve seriozë të huaj dhe shqiptarë. Nuk ka kurrfarë anësie apo interpretime tendencioze, sforcime apo komente të pambështetura në burime shkencore për të arsyetuar tezën e mësipërme. Autori ka zgjedhur një kategori të caktuar të elitës shqiptare si objekt studimi, Klerin Katolik Shqiptar. Ka një pasqyrim të gjerë të veprimtarisë së Klerit Katolik, Kishës Katolike Shqiptare, gjithnjë në këndvështrimin e kontributit në rrafshin kulturor. E vërteta e historisë nuk është produkt i historianeve, por trashëgimi e popujve dhe individëve, ndaj për përcaktimin e saktë të identitetit dhe etnitetit kulturor, fetar, gjeopolitik, demografik etj., është mjaft e rëndësishme këqyrja e raportit të një kombi me kombet e tjerre, të një populli më të tjerët, afër tij apo në kurrikulat e trashëgimeve të sjella relikte mbijetesë e kujtesë në shekuj. Duke lexuar këtë libër studimor mund të konstatohet me lehtësi se historia e paraqitur në këtë studim përmes Klerit katolik Shqiptar është një histori e qytetërimit perëndimor. Sigurisht që kultura përcakton identitetin. Shkrimtari i madh, Kadare, shprehet se “Populli ynë nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese, identiteti i tij është i qartë, ai mbetet perëndimor”. Gjenden mirëlexueshëm fakte të trajtuara në botimin e z. Ukcamaj edhe teori të tjera nisur nga rrafshe ideologjiko-historike, të cilat gjithsesi referojnë larushinë e mendimeve dhe koncepteve të tjera në evoluim ose në kahe të ndryshme. Në libër është trajtuar edhe harmonia ndërfetare, shprehur përmes deklaratës së Monsinjor Rrok Mirditës gjatë vizitës së Atit të Shenjtë Papa Gjon Pali i Dytë në Shqipëri. “Atë i Shenjtë, edhe pse në shqiptarët jemi me përkatësi të ndryshme fetare, jam i bindur se nga të gjithë, brenda dhe jashtë atdheut jeni i mirëpritur. Dallimet fetare në Shqipëri nuk kanë penguar vëllazërimin e bashkëjetesën kombëtare edhe kur fanatizmi fetar është ndihmuar nga të huajt me qëllim me na ngatërrue e sundue”. Ky mision i artikuluar nga Monsinjor Mirdita, është vazhdimësi e parimeve universale katolike, deklaruar edhe në Koncilin II të Vatikanit, i cili përmbyll sesionin mbi Myslimanizmin me këtë paragraf: “Për të mirën e njerëzimit, kërkohet që të krishterët dhe myslimanët ta ruajnë e t’u japin lëvizje paqes, lirisë, drejtësisë shoqërore dhe vlerave morale”, ky kontekst vjen i shprehur edhe në punën e z. Ukcamaj. Në raportimin e tij bibliografik përmenden me të njëjtin nderim edhe kontribuuesit e shquar të kulturës dhe identitetit shqiptar me përkatësi tjetër fetare, si Hoxha Tahsin, vëllezërit Frashri, Naum Veqilharxhi, Kostantin Kristoforidhi etj., duke i dhënë një gjeografi elegante të dhënave të mbledhura e të përpunuara, me synimin që lexuesi të arrijë në përfundime e qasjet e veta, parë kjo si një vlerë-risi në letrat tona. Libri i zotit Ukcamaj boton fakte interesante, disa prej të cilave të botuara për herë të parë në epokën post komuniste dhe mendoj se do të jetë një ndihmëse edhe për një sferë më të gjerë të lexueseve kryesisht të rinj, por edhe mësimdhënësve të cilët duan dhe do të duhej të mësonin historinë e kulturës shqiptare edhe me ndihmën e teksteve serioze alternative.