“Ubi Sunt” nga Ervin Hatibi
“Promenade Gallery” ekspozon për here të parë punët e artistit Ervin Hatibi. I njohur prej publikut shqiptar si shkrimtar, Ervin Hatibi i është shfaqur progresivisht publikut gjatë viteve të fundit edhe nëpërmjet artit pamor. Pasi ka ekspozuar në Paris, Ferrara, Shkup, Stamboll dhe së fundmi në Bienalen e Pragës, “Ubi Sunt” shënjon ekspozitën e parë personale të artistit në vendlindjen e tij. “Ubi Sunt” pasqyron një përzgjedhje të punëve të fundit të artistit inspiruar prej arteve funerare të epokës osmane. I tërhequr larg qendrave të qytetit dhe Shqipërisë vetë, poeti, tani edhe artisti pamor, rishfaqet me kujtime të fëmijërisë së hershme. “Më tepër për të mjegulluar se për të qartësuar punë, më mjafton të thuhet se kam kaluar gjithë fëmijërinë me dijeninë se shtëpia ku unë flija, ishte ndërtuar mbi një varrezë. (Varrezë jevgjish-specifikon im atë.) Në vitet ‘60, kur hidheshin themelet e pallatit të oficerëve mu përpara oborrit tonë, punëtorët flaknin kazmat të lebetitur sa herë sqepi i kazmës ngrinte për syri ndonjë kafkë apo zbulonte ndonjë dorë tjetër kockash ezmere që skërmiteshin mes baltës”, - shprehet autori Ervin Hatibi. Ekspozita titullohet "Ubi Sunt", kushtuar gurëve të varrit dhe do të hapet në “Promenade Gallery”, në qytetin e Vlorës. “Ubi Sunt”... i takon shprehjes latine "Ubi sunt qui ante nos fuerunt?", në shqipe "Ku janë tani ata që para nesh qenë?". Lidhur me këtë ekspozitë, Hatibi tregon se “për vite të gjata me radhë, pasditet sillnin me vete një alarm numërimi mbrapsht drejt zeros, kohë e përndjekur kur unë duhet të llogaritja veprimet e mia apo të memorizoja gjithçka në oborr deri në rënien e plotë të territ, i cili mi ftohte mollëzat sa herë tentoja ta përballoja - i mbyllur brenda katër mureve - qoftë edhe me mend, në pritje të dritës, e cila besoja se do ta çlironte më në fund oborrin nga gjithë ato pandehma që zgjateshin rregullsisht përtej kalldrëmit, duke zbehur aty-këtu me fasha paralele as-ajër-as-ujë rreth një metër e gjysmë drejt qiellit. Përfytyrimin mbushur me shufra të sapofikura neoni e ushqente, po aq sa filmat e lënë përgjysmë, (gjysma tjetër vazhdonte përnatë në oborr) një gur i vërtetë varri, një metër e gjysmë, i mbështetur në mur te një cep skajor i oborrit”. Ai shton se ishte fjala për një objekt qartësisht antropomorf, të cilën e përshkruan: “një kokë rregullsish rrumbullake brendashkruante (brendashkruan edhe sot e kësaj dite) një yll dymbëdhjetëcepësh, plus një tjetër tetëcepësh më thellë, vijon qafa e pastaj trupi”.
Në paraqitjen e idesë së ekspozitës është shkëputur një reflektim i Mitrush Kutelit, “Në Prizren, midis të vdekurve dhe të gjallëve”, maj 1943, ku ndër të tjera shkruan: “[…] Është fort e rëndë të vizitosh gjithë varret e një qyteti kaq të madh e kaq të vjetër, se janë të shumtë e të përhapur. Dhe shumë gjurma janë zhdukur. Po ne bëjmë sa mundim. Ja, të kalojmë së bashku Urën e Gurtë me harqe venetike, aty afër Xhamisë të Sinan Pashës, e të shkojmë ngadalë, nëpër disa rrugë shumë të ngushta e të dredhuara (mua këto më pëlqejnë më shumë se rrugët monotonisht të drejta, të hapura me litar, të qyteteve të reja) gjer te Xhamia e Bajrakliut. Përpara kësaj xhamie me minare çuditërisht të hollë, si fije kallmër, është një oborr dhe në oborr disa varre të vjetra zonjash e zotërinjsh, nga të fuqishmit e një kohe. Tani, kur asnjë dorë nuk zgjatet t'i përkujdesë, as varret, as qoshkun aty pranë, pllakat e mermerta kanë rënë poshtë, ku i shkel këmba dhe i bluan koha. Do dëshiroja fort të lexoj mbishkrimet, me nj'ato fantastike kaligrafi arabe […] Po nuk di, dhe jam i dëshpëruar se ndofta nuk do di kurrë. Megjithëkëtë më pëlqen t'i vështroj e t'i prek me gishtërinj. Sepse më duket se kur i prek me gishtërinj këto veprat e artit skulptural, i afrohesh shpirtit të artistit që i punoi. […]”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur prej datës 22 nëntor deri më 10 dhjetor 2009, në “Promenade Gallery” në Vlorë.
Ervin Hatibi (1974) është një nga poetët e brezit të ri, ose më mirë i brezit rinor të fundkomunizmit. Ismail Kadare ka thëne se Hatibi është vazhdimësia dhe e ardhmja e poezisë moderne shqiptare, pra një talent që e ka treguar veten që kur ishte veç 15 vjeç. Ervin Hatibi ka shkruar shumë poezi të "modeleve" të ndryshme, pra mund të gjejmë një potpuri stilesh në poezinë e tij. Dallohet për origjinalitet dhe përdorje të mrekullueshme të gjuhës shqipe.