E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë kuota ushqimore për fëmijët dhe pleqtë në azile



Shërbimi Social Shtetëror ka vendosur të rrisë kuotat ushqimore për individët që janë në institucionet në varësi të këtij shërbimi. Lajmi u bë i ditur dje nga drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, z. Mihal Naço, i cili bëri publik edhe shifrat e ndryshimeve që janë propozuar nga institucioni që ai drejton dhe që janë përfshirë tashmë në buxhetin e shtetit, të miratuar pak ditë më parë në Parlament.

Ndryshimet

Ndryshimet kanë të bëjnë me qendrat e fëmijëve dhe azilet e të moshuarve. Sipas drejtorit të Shërbimit Social Shtetëror, kuotat ushqimore ditore do të rriten me 60 lekë, çka do të thotë në disa raste rreth 20-30 për qind.

“Fëmijët 0-3 vjeç që jetojnë në qendrat tona rezidenciale përfitojnë kuotë ditore nga 230 lekë në 290 lekë, fëmijët e moshës 3-6 vjeç që nga 1 janari i vitit të ardhshëm nga 250 lekë rritet në 300 lekë, fëmijët e moshës 6-15 vjeç do të kenë kuotën ditore nga 260 lekë në 320 lekë”, – tha drejtori Naço.

Ndërkohë që rritje të këtij niveli janë parashikuar edhe për të moshuarit, të cilët rrinë në qendrat rezidenciale për moshën e tretë. Naço bëri të ditur se rritja është e ndarë në tri kategori, për qendrat rezidenciale, ato të zhvillimit social, si edhe për qendrat ditore polivalente.

“Për të moshuarit në azile, kuota ditore ushqimore do të rritet nga 220 lekë në 280 lekë, për personat që jetojnë në qendrat e zhvillimit social kuota ushqimore do të bëhet 330 lekë nga 270 që është aktualisht, ndërsa për qendrat ditore polivalente kuota ditore e ushqimit rritet në 210 nga 170 lekë që është aktualisht”, - tha drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço.

Institucionet

Shërbimi Social Shtetëror është institucion në varësi të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ky institucion ka si kompetenca kryesore kujdesin për të gjithë personat që qëndrojnë apo përfitojnë nga qendrat rezidenciale për fëmijë dhe të moshuar, qendrat polivalente dhe qendrat e zhvillimit social, si edhe për të gjithë personat që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Rritja e paralajmëruar nga drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, z. Mihal Naço dhe që është përfshirë në buxhetin e shtetit për vitin 2010, që u miratua gjatë javës së kaluar, do të nisë të zbatohet prej datës 1 janar 2010. Sipas Shërbimit Social Shtetëror, kjo rritje përcaktohet në shifrën prej 239 milionë lekësh të vjetra, që janë parashikuar për këto qendra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›