E Diel, 1 Nëntor 2026

Në opera me të fundmen e Verdit

Në fund të muajit maj, një tjetër premierë do të shfaqet për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit. "Falstaff", vepra e fundit e kompozitorit Giuseppe Verdi, e konsideruar si një nga më të vështirat e njëherazi më të suksesshmet e repertorit operistik botëror, për herë të parë do të ngjitet në skenën shqiptare nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, i cili kësaj here do të realizojë edhe skenografinë e veprës. Ngjarja, e cila zhvillohet në Uindsor gjatë mbretërimit të Enrikut IV, në fillim të shekullit XV, do të sjellë në vëmendje historinë e të moshuarit Sir John Falstaff, i cili thur plane se si të bëjë për vete dy dama të bukura e të pasura: Alice Ford dhe Meg Page. Të dyjave u nis nga një letër dashurie identike me njëra-tjetrën. Me të marrë vesh, të indinjuara e tepër të zemëruara, të dyja damat mendojnë se si të hakmerren me të, duke i bërë një shaka, por edhe Mastro Ford dhe Doktor Cajus, të informuar nga shërbëtorët e Falstaff mbi idenë e padronit të tyre, vendosin t‘i bëjnë atij një shaka pa dijeninë e damave. Mrs. Quickly i dërgon Falstaff-it një mesazh nga Alice: sikur gruaja që ka marrë letrën e pret në shtëpi "nga ora dy deri në tre", kohë kur bashkëshorti i saj mungon. Ford prezantohet nën emrin fals Fontana, duke i kërkuar Falstaff-it ta ndihmojë me artin e tij joshës të bëjë për vete Alice-n derisa bukuroshja të vendosë të bëhet e tija. Falstaff natyrisht që pranon dhe i tregon zotit Fontana se pas gjysmë ore do të jetë në shtëpinë e saj. Fordi xheloz, fillimisht dëshpërohet, por më pas vendos se do të jetë në shtëpi ku do të zërë në kurth tradhtarët. Gjatë kohës kur janë në shtëpi, vijnë burrat dhe Falstaff mezi ia del të fshihet në koshin e rrobave të palara, të cilin burrat e kishin kontrolluar më parë. Por nuk mbaron me kaq. Një tjetër shaka therëse i është rezervuar Falstaff-it. Mëngjesin tjetër, Quickly, shkon në hanin ku Falstaff po "zhytet" në verë për shkak të dëshpërimit dhe i dorëzon atij një tjetër ftesë nga Alice. Kësaj here, takimi do të zhvillohet në mesnatë, nën një pemë ku ai do të jetë i veshur në të zeza si një gjuetar. Sipas traditës, në atë vend takohen shpirtra e zana. Edhe një herë, Falstaff bie në kurth: kësaj here, shakaja e zhvilluar nga burra e gra së bashku, parashikon që të gjithë banorët e Uindsorit të vishen si shpirtra... Në mesnatë shfaqet Falstaff, i cili e gjen Alice-n duke e pritur. Të gjithë nisin të tallen me Falstaff-in... Kështu vazhdon e përfundon në gëzim vepra e fundit e Verdit.

"Falstaff" është cilësuar nga kritika botërore si vepra që çeli epokën e shekullit XX. Ajo pritet të vijë në skenën shqiptare plot zhdërvjelltësi skenike dhe mizanskena të shumta. Kjo operë kërkon jo vetëm përgatitje të lartë vokale nga interpretuesit, por dhe përgatitje të lartë nga ana aktoriale. "Falstaff" është një komedi që mbështetet mbi fjalën. Ajo nuk është një vepër e mirëfilltë operistike me numra muzikorë të mbyllur, por është e gjitha e bazuar mbi dialogun dhe nuk ka ndarje mes pjesëve. E kompozuar nga Verdi në vitin 1893, "Falstaff" pritet të sjellë risi si në konceptimin muzikor, ashtu dhe në libret. Kjo vepër bazohet në komedinë e Shekspirit, "Gratë gazmore të Windsdorit", çka e bën edhe më të veçantë këtë vepër. Filozofia e kësaj shfaqjeje shprehet në fund të veprës, kur interpretuesit, të revoltuar nga ngjarjet thonë se "çdo gjë në botë është mashtrim, njeriu ka lindur mashtrues, mashtrues, mashtrues". "Falstaff" është vepra e fundit e kompozuar nga Giuseppe Verdi, mbi libretin e Arrigo Boito. Premiera e parë e kësaj shfaqjeje është dhënë më 9 shkurt të vitit 1893 në "La Scala" të Milanos.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›