Në politikën tonë, ngërçi është një rebus djallëzor i Edvinit
Në leksikografinë tonë të re ka të drejtën e saj të ligjshme të hyjë edhe politika. Ma merr mendja se do të bëhen dallimet ndërmjet “ngërçit” dhe “mosmarrëveshjes”. Të dyja dukuritë kanë një cilësi të përbashkët: Kërkojnë zgjidhje. Veçse për marrëveshjet duhet dhe mjafton konsensusi ose bashkëpëlqimi, nëse duam të shmangim fjalën e huaj, siç mëtojnë gjuhëtarët. Po flasim për detyrën e arritjes së një zgjidhjeje. Ndërsa ngërçi (fr. impasse, - rrugicë qorre) është vështirësisht i zgjidhshëm. Madje i pazgjidhshëm, në më të shumtën e rasteve. Sepse është i sajuar për të qenë i tillë, i pazgjidhshëm. Është paragjykimi për të mos arritur zgjidhjen. Ose një pengmarrje. Ç’më jep, për zgjidhjen e një gjëje thuajse të pamundur? Shkurt: Është hilja në mes!
Nëse na duhet të japim shembuj, kemi rastin e ndryshimeve kushtetuese. Njëherë këto u bënë në vitin 2008, me këmbënguljen e Ramës. Ky kërkonte fitoren zgjedhore me çdo kusht e mjet. Ndryshimet kushtetuese të propozuara prej tij i kujtonte të dobishme për zgjedhjet e 2009-s. Pasi doli blof, mendoi (me tepër vonesë) se kishte ngulmuar në diçka të gabuar. Pra, i shkoi huq e gjithë ajo propagandë sfilitëse se zgjedhjet i kishte të fituara. Përndryshe, përse duhej ndryshuar sërish Kushtetuta? Por Kushtetuta nuk është si timoni i makinës. Ajo nuk mund të rrotullohet - herë në një anë, herë në tjetrën, - çast pas çasti. Nuk mund të thuhet (apo të lejohet të nënkuptohet): - Këtë herë nuk ia arrita dot qëllimit. Hajt ta ndryshojmë prapë! Në qoftë se Rama ndërhyrjen e parë në Kushtetutë e quan të gabuar dhe mazhoranca atë ndërhyrje e quante lëshim nga ana e saj, kjo forcë politike nuk mund të bjerë sërish në tolerancën e dytë gjersa të plotësohet qëllimi apo synimi i Ramës, në funksion të iluzionit që të fitojë zgjedhjet me çdo kusht. Sepse Kushtetuta nuk mund të vihet në shërbim të interesave partiake. Aq më keq të bjerë pré e synimeve vetjake të një individi! Dhe ja si gjendja ndodhet para një ngërçi.
Veçse, me të drejtë, faktori ndërkombëtar i komunitetit europian e ka si kusht thelbësor që marrja e statusit të kandidatit për anëtar në BE, shtron si detyrë konsensusin për zgjedhjet jokonfliktuale parlamentare të 1913-s. Është bërë zakon që të thuhet që palët (mazhoranca dhe opozita) të gjejnë gjuhën e përbashkët. Dhe premtohet nga instanca dashamirëse proshqiptare, predispozita për ta pasur Shqipërinë anëtare me të drejta të barabarta në këtë organizëm europian. Por, ndërsa fjala „palët“ përdoret për mirësjellje e si shfaqje paanësie, në këtë rast kuptohet se cila nga të dy forcat politike e ka futur në këtë situatë ngërçi, vendin. Kjo merret vesh te ne, por edhe jashtë nesh. Te ne dihet mirë se cili është personi i këtyre gjendjeve. Dihet jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga një pjesë e mirë e elitës përbrenda opozitës, që ia njohin huqet atij që është “fac totem” në familjen opozitare.
***
Një ngjarje hipotetike do të ishte e nevojshme për të evidentuar më kthjellët ato marifetet e Edvinit për t’ia marrë pushtetin e kryetarit të partisë, paraardhësit të tij. Jemi në ngritjen e një gjendjeje virtuale dhe doemos që do të përmendet fjala “sikur”. Pyetja është kjo: A mundet që Edvinit mos t’i jepej mundësia që të luante teatër me nenin 28 të statutit të PS-së? Le ta shohim. E zëmë se në 2005-n kryetari Nano do të thoshte: “M’i vodhën votat, zgjedhjet i fitova unë”! Njëherësh të supozojmë se do të organizonte lugetërit e lumit, mëkatarët e kohës së diktaturës (apo janë të paktë ata që mbrojtjen e mizorive të tyre e sigurojnë tek ombrella në trajtë strehe e PPSH-së, domethënë e PS-së). Me zellin e tyre vetëmbrojtës dhe me pare për shërbimin (si ato paret e pagatorit Fiqri Xibri, që zyrtarizoi korrupsionin për synimet politike të PS-së), organizohej fët e fët propaganda mashtruese sipas etalonit enverist, por duke inkluduar në këtë agjitacion e propagandë edhe neofitët, proselitët, a qelepirxhinjtë (quaji si të duash), përmes interesave të premtuara, për të vënë në moto, kështu, edhe zhurmnajën me togfjalëshin “Na vodhën votat”. Ato batakçillëqet e atyre që quanin komunistë promotorët e lëvizjes për ndryshimin e sistemeve (duke u shërbyer, në këtë mënyrë, komunistëve safì) do të na zgjonin krupën. Gjullurdia gjullurdi, por neni 28 nuk do të prekej, amà, në këtë hipotezë. Dhe ato shejtanllëqet e Edvinit natyrisht që do t’i merrte era!
Të gjitha zgjedhjet prej 2005, e gjer tek ato administrativet e 2011-s, kanë qenë në një progres të njëpasnjëshëm. Dhe kuptohet, më të mirat, më transparentet, më kompetitivet, kanë qenë ato të 2010-s. Tani, duke lënë mënjanë atë hamendësinë për të cilën folëm, na del se Edvini s’kishte asnjë vërejtje për zgjedhjet e 2005-s. Ç’hileqar! Ish-kryetari i PS-së, me vonesë e kuptoi se, duke mos e psikologjisur me mendjemprehtësí një aventurier, ia bëri të keqen vetes, por edhe fizionomisë së opozitës shqiptare që ka qenë një frenuese e zhvillimit në përgjithësi, paçka se pa ia arritur qëllimit. Nuk ka opozitë në të gjithë Europën e më gjerë, që të jetë obstruksioniste, destruktive, nihiliste dhe mosbashkëpunuese, édhe kur është fjala për çështje që i takojnë së mirës së përgjithshme.
E. Rama s’është (dhe s’ka për të qenë kurrë) për marrëveshje të ndershme, për konsensus. Ai sajon ngërçe për të arritur në marrëveshje të kushtëzuara, që s’janë marrëveshje të mirëfillta. Për sinqeritet marrëveshjeje as që bëhet fjalë! Tani është bërë i papranueshëm edhe për vetë opozitën, të cilën nuk do t’ia arrijë gjithmonë që ta brutalizojë, për ta vënë nën thundër! Gadafit tonë po i bie lakorja e parabolës së mujshive të veta.