Në postet diplomatike amerikane ka shumë pak zezakë
Departamenti i Shtetit nuk ia ka dalë në përpjekjen e tij që të promovojë në poste të rëndësishme diplomatike afro-amerikanët. Kjo bëhet e ditur nga zyrtarë të departamentit. Kjo pavarësisht shtimit të diversitetit gjatë periudhës kur në krye të departamentit kanë qenë dy shefa me ngjyrë dhe faktit që aktualisht Presidenti është gjithashtu me ngjyrë.
Departamenti i Shtetit ka një numër të madh nëpunësish zezakë në përgjithësi dhe disa afro-amerikanë të shquar në pozicione të rëndësishme si Sisan E. Rice, ambasadore në OKB. Por zyrtarët thonë se janë të paktë ata persona që vijnë nga minoritetet që kanë poste shumë të rëndësishme poste që kanë të bëjnë me vijën e parë të punës në sfidat më të rëndësishme të kombit në Europë, Lindjen e Mesme apo Azi. Vetëm një ambasadë amerikane në Europë, drejtohet nga një ambasador zezak. Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim në shkallët e larta të Departamentit të Shtetit dhe zyrtarët janë në kërkim të mënyrave të reja për të sjellë afro-amerikanët dhe minoritete të tjera në pozicione të rëndësishme. “është thelbësore që të bëjmë progres në axhendën tonë në lidhje me diversitetin”, ka deklaruar Philip Gordon, asistenti i sekretares së Shtetit për Europën. Të dhënat më të fundit të Departamentit të Shtetit, ato të shtatorit, tregojnë se nga 32 diplomatët që drejtojnë misionet amerikane në Europë, vetëm njëri syresh, John L. Withers, ambasadori i Shqipërisë, është i zi. Megjithatë, Withers thotë se ai do ta lërë postin në vijim të vitit. Ndërsa ndër 10 ambasadorët amerikanë, apo shefat e misionit në Azinë Jugore, apo Qendrore nuk ka asnjë zezak. Në 18 kryediplomatët në Lindjen e Mesme sërish askush nuk është zezak dhe ka vetëm një të tillë në 17 që ndodhen në Azinë Lindore. Megjithatë, 11 në 37 misione në Afrikë drejtohen nga afro-amerikanë. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, departamenti ka zgjedhur 36 diplomatë të zinj për ambasadat në Afrikë, por vetëm 1 për ambasadat në Europë, por në vende të vogla si Islanda, Shqipëria dhe Sllovenia. Në përgjithësi, afro-amerikanët përbëjnë rreth 16.3% të nëpunësve të Departamentit Amerikan të Shtetit krahasuar me 12% të popullsisë amerikane. Por ndër zyrtarët e Shërbimit të Huaj që punojnë jashtë vendit 6.9% janë të zinj.
Latinët, aziatikët dhe amerikanët vendas janë gjithashtu jo të prezantuar siç duhet krahasuar me numrin e popullsive përkatëse në Shtetet e Bashkuara. Pakësimi i numrit të diplomatëve zezakë në vendet e rëndësishme të ambasadave i ka shqetësuar shumë diplomatët afro-amerikanë. “është një shqetësim që e kemi të gjithë”, deklaron Ruth A. Davis që është marrë me Shërbimin e Jashtëm në postin e drejtorit të Përgjithshëm nga viti 2001 deri në vitin 2003 dhe që doli në pension muajin e kaluar. “Ne do të donim që ta ndryshonim këtë situatë”, ka vazhduar ai. Nency Powell, drejtorja e përgjithshme e Shërbimit të Jashtëm tha se Sekretarja e Shtetit, Klinton ishte zotuar për shtimin e emërimeve nga minoritetet në poste të rëndësishme dhe se shpresonte që situata të përmirësohej pas emërimeve të reja të verës së ardhshme. Ky fenomen vjen nga një kombinim faktorësh, thonë zyrtarë dhe diplomatë të ndryshëm përfshi edhe faktin që shumë diplomatë të rinj zezakë kanë shkuar në ambasadat afrikane për shkak të interesave personale dhe sepse këto ambasada kanë qenë shumë më të gatshme për t’i rekrutuar. Withers, ambasadori në ikje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, tha se udhët e karrierës së veçuar kanë evoluar, duke i mbajtur afro-amerikanët dhe të tjerët larg posteve të këshilltarëve të lartë të zyrtarëve amerikanë, të atyre që ai i quan pozicione “të pëshpëritjes në vesh”. Johnny Young, katër herë ambasador që tashmë ka dalë në pension, tha se në fund të viteve ’90 pas 5 detyrave në Afrikë ai po shikonte një post në një tjetër kontinent, por në vend të kësaj e urdhëruan që të vazhdonte të qëndronte në rajon. Ai u bë ambasador në Bahrain, ku ishte edhe ambasadori i vetëm zezak në Lindjen e Mesme dhe më pas në vitin 2001 u caktua ambasador në Slloveni. Ai tha se kur shkonte në mbledhje me zyrtarë të lartë europianë ndodhej në dhoma të mbushura plot me të bardhë. Atëherë bënte shaka me kolegët duke thënë: unë jam e vetmja mizë e zezë në këtë enë me qumësht”.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë nisur me rekrutimin e diplomatëve që vijnë nga minoritetet, por disa diplomatë thonë se çështja është që ata të shkojnë në poste të nivelit të lartë.
#