E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremtohet sot festa e Sulltan Novruzit

Ceremonitë Besimtarët bektashinj marrin një mesazh urimi edhe nga Presidenti i vendit, Bamir Topi

Besimtarët bektashinj kremtojnë sot festën e Sulltan Novruzit.
Kjo datë mbledh në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore autoritetet më të larta shtetërore dhe partiake, trupin diplomatik, si dhe mijëra besimtarë të tjerë. Në të njëjtën kohë, 22 marsi festohet edhe në teqetë e tjera bektashiane brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, prof.dr.Bamir Topi, i ka dërguar një mesazh Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit, në të cilin shpreh urimet më të mira me rastin e Festës së Sulltan Novruzit: “Me rastin e festës së shenjtë të Sulltan Novruzit ju shpreh ju dhe, përmes jush, të gjithë besimtarëve bektashinj shqiptarë, kudo ndodhen, urimet e mia më të përzemërta për ditë të mbara plot shëndet, begati dhe mirësi”!

Në këtë fillim pranvere, besimtarët bektashinj shqiptarë festojnë lindjen e Imam Aliut, që simbolizon për ta rigjallërimin e besimit te vepra dhe fuqia e Zotit e bashkë me të rigjallërimin e shpirtit dhe të shpresës për jetën, për të ardhmen. Edhe në këtë ditë, të gjithë shqiptarët janë bashkë për të kremtuar, e për t’i shprehur njëri-tjetrit urimet më të ngrohta dhe mesazhet e paqes, të dashurisë, të mirëkuptimit dhe të harmonisë, po ashtu të besimit te mirësia dhe te dashuria njerëzore.
“Gëzuar Festën e Sulltan Nevruzit!”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit.

Festa e Sulltan Novruzit përbën padyshim një kulm në besimin bektashian. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirur drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian. Dita e Sulltan Novruzit u festua ilegalisht nga besimtarët bektashinj edhe të tjerë, nën maskën e shtjellave astronomike që lidheshin me ditën e ekuinoksit pranveror. 22 marsi i vitit 1991 shënon riçeljen e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, me bekimin e mijëra besimtarëve bektashianë. 22 marsi i vitit 1992 përkon me ndarjen nga diktatura komuniste. Me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, 22 marsi është shpallur ditë feste kombëtare.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›