E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha për fushatë në Dibër: Kam eksperiencën që më bën mua të mundur të mbaj çdo premtim

Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore prezantuan të shtunën kandidatët për deputetë në qarkun e Dibrës.

Kryetari i PD-së dhe lideri i koalicionit opozitar, Sali Berisha, tha se Dibra qëndron në themel të projektit të “Shqipërisë Madhështore” dhe i garantoi simpatizantët se do të jetë “shërbëtori” i tyre.

“Miqtë e mi! Në këtë moshë, në këto vite, në vjeshtën time të mrekullueshme, nuk më duhet pushteti. Nuk kam ambicie për para, as për luks, por kam një ambicie, por kam një qëllim, por kam një mision, të bëj gjithçka për të ndryshuar jetën tuaj.

Për të përmbushur me nder para jush, për të përmbushur me faqe të bardhë para jush këtë mision, unë kam edhe atë që të tjerët ma sulmojnë. Kam një eksperiencë, e cila më bën mua të mundur të mbaj çdo premtim timin, të realizojmë çdo premtim. Dhe u jap fjalën se ky program do jetë realitet për ju,” tha z. Berisha.

Duke zbuluar pjesë të programit politik dhe ekonomik, kryedemokrati tha se me ardhjen në pushtet do të kthejë drejtësinë dhe barazinë në shoqërinë shqiptare, “brenda 100 ditëve”.

“Miqtë e mi, PD-ja do vendosë minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar, për çdo pensionist që ka pensionin nën 200 euro, për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo student, për çdo jetim. PD do vendosë rrogën minimale 500 euro. PD dhe koalicioni i ardhshëm në qeveri zotohet para jush për kartën e konsumatorit, me të cilën rrogëulëtit dhe pensionistët do marrin ushqimet 20 përqind më lirë se të tjerët. Nafta, të cilën Kosova e merr nga Durrësi dhe e shet 40 përqind më lirë, do zbresë në çmimin që e shet Kosova dhe Maqedonia. Fermerët e Dibrës, këta njerëz të mrekullueshëm, do kenë mbështetje të fuqishme, 5 herë më të madhe se sot,” premtoi  nga Dibra, kreu i Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›