E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në prag të pandemisë botërore: Jo panikut



Ndërkohë që rastet e para të gripit të derrave dyshohen edhe në Ballkan, Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke u përgatitur për të kaluar në shkallën e gjashtë të alarmit, që do të thotë: pandemi botërore. Në komunikimin e djeshëm, OBSH-ja deklaroi se “sëmundja po përhapet në mënyrë të shpejtë”, por duke bërë thirrje njëkohësisht që të mos bllokohen kufijtë apo udhëtimet. Ndërkohë, paniku nuk i shërben kësaj situate, pasi krijon efekte negative, si në ekonomi ashtu edhe në jetën sociale të vendeve, sipas organizatës.

OBSH

Në informacionin e fundit të servirur nga OBSH-ja bëhet e ditur se deri në orën 17 të pasdites së djeshme, 11 vende ishin prekur në mënyrë zyrtare nga kjo sëmundje, ndërkohë që me dhjetëra të tjera kanë raste të dyshuara. Si pasojë, 257 persona janë prekur tashmë nga virusi A (H1N1), pra nga gripi i derrit.

“Vendet pasuese kanë raportuar për të prekur nga sëmundja, por pa pasojë vdekjen: Austria (1), Kanadaja (19), Gjermania (3), Izraeli (2), Holanda (1), Zelanda e Re (3), Spanja (13), Zvicra (1) dhe Mbretëria e bashkuar (8)”, – bëri të ditur OBSH-ja.

Gjithsesi, situata e deritanishme për organizatën botërore të shëndetësisë, nuk duhet të prodhojë alarme të kota, por duhet të paralajmërojë qytetarët për të marrë masa parandaluese. OBSH-ja këshillon shtetet që të mos vendosin pengesa në udhëtimet e rregullta e as të ndalojnë kalimin në kufij. Nga ana tjetër, sipas OBSH-së, është “e këshillueshme për personat që janë të sëmurë të shtyjnë udhëtimet ndërkombëtare dhe personat që kanë simptomat, pas një udhëtimi jashtë shteti, të kërkojnë kujdes mjekësor, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore”.

Sakaq, OBSH-ja udhëzon qytetarët që të mos ndalojnë përdorimin e produkteve dhe nënprodukteve të mishit të derrit, pasi ato nuk shkaktojnë infektimin nëse janë të gatuara mirë. “Individët janë të këshilluar të lajnë duart me sapun dhe ujë në periodicitet të rregullt dhe duhet të kërkojnë kujdes mjekësor, nëse u shfaqet çfarëdolloj simptome e gripit”, duke përfshirë këtu edhe gripin e zakonshëm sipas OBSH-së.

Jo panikut

Por, në çdo rast, pandemia botërore nuk duhet të shkaktojë panik në popullatë, sipas mjekëve dhe organizatave të specializuara. Kjo, pasi pandemi botërore do të thotë thjesht përhapje e sëmundjes në shumë shtete dhe nuk ndikon në numrin e personave që do të preken apo do të vdesin. Gjithsesi, në gripin më të rëndë që ka kaluar bota në shekullin e kaluar, kishte dhjetëra milionë të vdekur në mbarë botën në vitin 1918.

Nga ana tjetër, në pandeminë e fundit të gripit në vitin 1968, masat që morën shtetet në të gjithë botën, arritën të ndalonin përhapjen e sëmundjes dhe numrin e madh të të vdekurve. Kjo pandemi shkaktoi vdekjen e 700 mijë personave në gjithë botën, çka cilësohet si një shifër normale vdekjesh për shkak të çfarëdolloj gripi, në një bazë njëvjeçare.

Këshillat

Lani rregullisht duart me sapun dhe ujë

Mbuloni gojën kur kolliteni apo teshtini

Nëse ndiheni të sëmurë, kontaktoni me mjekun

Shmangni prekjen e fytyrës me duar

Shmangni takimet me persona të sëmurë

Simptomat

Temperaturë e lartë

Lodhje

Mungesë oreksi

Kollë

Dhimbje fyti

Diarre (jo në të gjitha rastet)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›