Rruga Durrës – Kukës dhe “Potemkini Rama”
Nga Fatos Hoxha*
Kryetari i partisë së Bashkisë së Tiranës, para disa ditësh shkoi në Kukës.
Në pamje të parë nuk ka asgjë të re.
Çdo njeri është i mirëpritur në kryeqytetin e mikpritjes dhe mikpritja e Kukësit doli në pah edhe një herë tjetër me ceremoninë përkujtimore me rastin e 10-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës.
Unë po flas për zotin Rama, sepse më bën përshtypje se dy herë që ka ardhur në Kukës, nuk ka ardhur andej nga vijnë të gjithë, por ka marrë avionin, ka zbritur në Prishtinë dhe ka mbërritur në Kukës.
Është pak më shkurt se rruga e zakonshme që bëjnë shqiptarët deri më tani, por të bëjë durim edhe dy muaj dhe në më pak se dy orë do të jetë në Kukës!
Ardhja e një njeriu, qoftë ky edhe kryetar partie, nuk është ndonjë lajm.
Lajm është ajo çfarë ai tha: “Rruga Durrës – Kukës i duhet kombit, por këtë rrugë do ta inaugurojmë ne”.
Është pak të them se në Kukës jo pak njerëz janë shtangur nga kjo deklaratë.
Rruga që shqiptarët do të udhëtojnë në më pak se dy muaj, është premtim dhe punë e bitisur e Partisë Demokratike.
Partia Socialiste vetëm sa voli taksat e shqiptarëve jo pak, por 200 milionë euro dhe nuk bëri asnjë metër punë.
Partia Socialiste gjatë gjithë kësaj kohe vetëm ka hedhur baltë mbi këtë rrugë, ka thënë se po shpenzohet shumë, se nuk na duhet me katër korsi etj., etj.
Çfarë është ky ndryshim radikal kursi, se rruga na duhet dhe pale-pale do ta inaugurojmë ne?!
Për ata që e njohin zotin Rama që në momentet e para të karrierës së tij, nuk ka asgjë të re.
A ju kujtohet se çfarë bëri Rama kur ish-Kryeministri Meta filloi të rrafshonte ndërtimet në parkun “Rinia”?
Ju e dini po aq mirë sa unë dhe po aq mirë sa ata që e mbajnë mend se zoti Rama iku jashtë shtetit.
Kur u qetësuan gjërat dhe u bë e qartë se nuk do të ndodhte hataja, zoti Rama u kthye me ca shirita ku shkruhej Bashkia e Tiranës dhe rrethoi me to parkun “Rinia”.
Këtë ka ndërmend siç duket, kur thotë: “Do ta inaugurojmë ne rrugën Durrës Kukës”?!
Po pse e shqetëson kaq shumë kjo rrugë zotin Rama, kaq shumë sa e shtyn në deklarata të tilla halucinante?!
Arteria e kombit, siç e ka cilësuar Kryeministri Berisha në muajt e parë të punës, e ka destabilizuar zotin Rama.
Ata që e kanë vizituar këtë rrugë thonë se Rama është i shqetësuar se kjo rrugë i rrëzon atë që mediat e kontrolluara prej tij e quajnë modeli “Rama”.
Modeli “Rama”, model i fasadës, modeli që një rrugë 200 metra e përuron 5 herë, një herë kur nis, një herë kur nis me të vërtetë, 3-4 herë gjatë punimeve, një herë natën, një herë kur mbaron, një herë kur paska mbaruar, po kemi për të mbjellë edhe 10 pemë që mundësohen nga Bashkia e Tiranës, një herë tjetër kur duhen vënë dritat dhe një herë tjetër kur kalon firma e pastrimit.
Apo një urë që po të shtrihet kryetari gjerë-gjatë nuk e zë, e përuron katër herë.
Zotit Rama i del në ëndërr kjo rrugë. Mendon se e ka bërë ai këtë vepër gjigande dhe mendon si të marrë median dhe të improvizojë mbledhjet e Partisë Socialiste në këmbët e urave gjigande në Kalimash apo në Thirrë.
Të kishte zoti Rama në plan për të mbjellë 11000 pemë gjatë rrugës, jo që nuk do të linte katund të Shqipërisë pa bërë dialog me pemët, por do të dilte edhe jashtë shtetit duke thënë se po bën namin e po mbjell pemë.
Rruga e madhe i nxjerr kallajin modelit politik të zotit Rama, model që për politologët nuk është i panjohur.
Është modeli “Potemkin”, një guvernator rus i kohës së Careshës Katrina, që leu fasadat e zonës së tij, ndërtoi pamje me kartonë dhe ngjyra (nuk jam i sigurt a ishte edhe zoti Potemkin piktor nga shkollimi) dhe arriti sukses të madh.
Por suksesi ishte i përkohshëm. Ai u rrënua politikisht më vonë, se sado të mundohesh të zbukurosh, realiteti është më i fortë se zbukurimi.
Ka qenë një gazetë në Shqipëri deri para dy vitesh, quhej “Express”.
Një nga gazetarët që ka punuar në këtë gazetë, më ka thënë se kjo gazetë u ble nga një njeri i zotit Rama dhe u mbyll vetëm pse shkroi artikullin me idenë që sapo përmenda, pra Rama si Potemkini.
Por ndryshe nga rasti i gazetës që zoti Rama pati dhe ndoshta ka ende fuqi ta mbyllë, zoti Rama nuk mund të mbyllë dot rrugën e shqiptarëve.
E vetmja gjë për të cilën lutet është të ndodhë diçka, që të mos inagurohet brenda afatit. Çfarëdo që të ndodhë rruga do të mbarojë dhe atë ditë të madhe do të dal në shesh edhe gënjeshtra e madhe e modelit “Rama”.
Unë jam gati të vë bast për këtë, jo se nuk e dini, por kur të shikoni edhe ju këtë rrugë, atëherë do të nënqeshni kur të mendoni sa punë ka bërë në 10 vjet kryetari i partisë së Bashkisë së Tiranës.
*Deputet i PD-së