Italia financon 1 milion euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Dy kompani industriale të prodhimit dhe dy kompani eksportesh në vendin tonë kanë arritur të përfitojnë nga financimi italian për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME). Dje u nënshkruan kontratat e para për financimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme Shqiptare në kuadrin e Programit Italo-Shqiptar për Zhvillimin e NVM në Shqipëri. Nga fondi i financimit prej 30 milionë eurosh, dje janë firmosur kontratat e para për rreth 1 milion euro. Vetëm tre muaj nga dita e lançimit të Programit të Qeverisë Italiane dhe Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri, janë nënshkruar katër kontratat e para për kreditimin e butë me një shumë totale 1 milion euro. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ka marrë pjesë zv. ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Eno Bozdo, si dhe z. Saba D’Elia, - ambasador i Italisë në Shqipëri.
Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, zv.ministri Bozdo ka përgëzuar veçanërisht stafin e projektit, për një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe në një frymë mjaft të mirë bashkëpunimi dhe koordinimi, gjë e cila mundësoi realizimin e objektivave të programit në një kohë kaq të shkurtër. Për këtë qëllim, janë realizuar 12 fushata promovuese dhe sensibilizuese që përfshinë pothuajse gjithë rajonet e Shqipërisë, në koordinim mes dhomave të tregtisë dhe industrisë në qarqe, agjentët e sistemit bankar, biznesin e vogël e të mesëm, agjencive rajonale për zhvillim, si dhe kompanive të konsulencës. “Projektet të cilat ne nënshkruajmë sot, janë të konsultuara ligjërisht dhe financiarisht nga kompanitë shqiptare të konsulencave dhe të analizuara me profesionalizëm dhe të miratuara nga Bankat Partnere të Programit, duke krijuar kështu një cikël me standarde profesionale dhe bashkëkohore. Të katërta kompanitë, të cilat përfitojnë sot kreditimin e butë, do të investojnë në linja industriale prodhimi, dy prej këtyre kompanive janë kompani eksportuese. Vendimin e tyre për të investuar në teknologji prodhuese, për të rritur cilësinë dhe eficencën e prodhimit, e përshëndes në mënyrë të veçantë, sepse ky vendim është sinteza më e mirë e besimit të investitorëve në ekonominë dinamike shqiptare, besimin se ekonomia shqiptare, ashtu siç edhe përmendet në të gjitha raportet e njohura ndërkombëtare, do të vazhdojë të ketë rritje dhe përparim”, - tha Bozdo. Programi për zhvillimin e SME-ve në Shqipëri menaxhon një linjë kredie të qeverisë shqiptare, të ofruar nga qeveria italiane për 38 vjet dhe me një vlerë prej 30 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro do të shkojnë për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare. 2.5 milionë euro janë destinuar për ndërtimin e Fondit Shqiptar të Garancisë dhe pritet që skema pilot e funksionimit të tij t’i paraqitet Komitetit Drejtues të këtij programi brenda muajit maj 2009. Ky fond do t’i vijë në ndihmë sektorit privat shqiptar për të pasur një akses më të lehtë në linjën e kredisë specifikisht, por edhe në sistemin e kreditimit në përgjithësi. Pjesë e rëndësishme e këtij programi të ideuar nga qeveritë tona është asistenca teknike, seminaret dhe trajnimet e të gjitha grupeve të interesit si: të sektorit të SME-ve, sektorit bankar, Albinvestit, Agjencive Rajonale të Zhvillimit, shoqatave të biznesit etj. Ky proces ka përfunduar fazën e parë të tij pothuajse në të gjitha rajonet e vendit me objektiv promovimin, trajnimin dhe evidentimin e nevojave të këtyre grupeve. “Ky program shpreh faktin se biznesi i vogël dhe i mesëm është veçanërisht në vëmendje të qeverisë shqiptare”, - tha zv. ministri Bozdo. “Krahas reformave të mëdha rregullatore dhe fiskale, të cilat kanë gjallëruar ndjeshëm klimën e biznesit në Shqipëri, programi i sotëm përfaqëson një instrument tipik të financimit të SME, të mbështetjes për zhvillim të tyre. Ne tashmë kemi gati dy projekte të tjera, të cilat do të lançohen në fillimin e mandatit të dytë qeverisës, atë për ngritjen e inkubatorëve të biznesit, si dhe një fond të veçantë financiar në mbështetje të aplikimit të teknologjive të reja dhe inovatore”.
Zgjerohen hapësirat e bashkëpunimit me biznesin italian
Konfindustria shqiptare dhe biznesi italian i përfaqësuar nga kompania (CDO-ITALIA), synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes tyre, për zgjerimin e aktiviteteve të përbashkëta në dobi të biznesit shqiptar dhe atij italian. Administratori i Konfindustrisë shqiptare, Gjergj Buxhuku, dhe Vincenzo Papa, President i CDO-ITALIA, nënshkruan dje në Tiranë marrëveshjen për rritjen e bashkëpunimit dypalësh mes bizneseve të dy vendeve.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Saba D'Elia, përfaqësues të biznesit shqiptar dhe atij italian etj. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, palët bien dakord të mbështesin aktivitetet promovuese të biznesit dhe kompanive që operojnë në tregun shqiptar, në panairin "Matching 2009" që do të zhvillohet në fund të muajit nëntor në Itali. Duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë, zv.ministri Bozo u shpreh se "Matching 2009" do të jetë një mundësi më shumë për njohjen dhe prezantimin e biznesit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe zgjerimin e kontakteve biznes-biznes. Bozdo tha se “Matching” është një instrument dhe mundësi efikase që i jepet biznesit shqiptar për kontakte të reja, prezantim të potencialeve dhe produkteve të saj, përpara biznesit italian dhe atyre nga vende të ndryshme të botës. Forumi i biznesit nën logon “Matching” ka zhvilluar në Itali disa edicione, të cilat kanë rezultuar shumë të suksesshme. Edicioni i pestë i saj do të zhvillohet në datat 23-25 nëntor në Milano. Në këtë aktivitet parashikohet pjesëmarrja e 2500 bizneseve dhe organizimi i rreth 45.000 takimeve të tipit "Biznes to Biznes". Italia mbetet partneri kryesor i Shqipërisë jo vetëm në shkëmbimet tregtare, por dhe në investimet private. Ndërkohë që edhe prodhimet italiane në tregun shqiptar zënë një peshë të konsiderueshme, duke u renditur në vendin e parë në raport me vendet e tjera të rajonit ballkanik. Sipas Institutit Italian të Tregtisë me Jashtë (ICE), importet kryesore nga Italia në Shqipëri zënë 33% të totalit në tërësi. Ndërsa sipërmarrësit italianë zënë vendin e parë për sa u përket investimeve në vendin tonë në fushën e industrisë së lehtë, përfshi atë të konfeksioneve dhe të këpucëve, kryesisht në ndërmarrjet që punojnë me material porositësi, të cilat zënë 37.8% të totalit.