E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shuan 144 milionë euro gjoba të biznesit

Amnistia fiskale zeron taksat e papaguara për 160 mijë drejtues automjetesh

Biznesi nuk do të paguajë gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet fiskale të papaguara në këto 15 vitet e fundit. Janë plot 15.7 miliardë lekë, apo rreth 144 milionë euro detyrime të papaguara, të cilat do t’i falen biznesit, në mënyrë që të arkëtohen 29.5 miliardë lekë që është pjesa e principalit. Përveç kësaj, rreth 160 mijë drejtues automjetesh të cilët që nga viti 2000 nuk kanë paguar taksën e regjistrimit të automjeteve do t’iu falen kamatëvonesat. Po ashtu, janë 283 milionë lekë kamatëvonesa të papaguara nga kontributi i sigurimeve shoqërore, të cilat nuk do të arkëtohen. Vendimi për faljen e detyrimeve të papaguara të hartuara nga Ministria e Financave është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Sipas vendimit të qeverisë, mësohet se në total shuma e borxhit që biznesi i ka administratës tatimore dhe saj doganore gjatë këtyre 15 viteve llogaritet në 45.2 miliardë lekë, apo rreth 370 milionë euro. Sipas Ministrisë së Financave, borxhi më i lartë është në tatime, i cili llogaritet në 37.2 miliardë lekë, ku sipas këtij projektligji, do të falen 6.5 miliardë lekë. Pra, biznesit do t’i falen 5.9 miliardë lekë gjoba dhe 586 milionë lekë kamatëvonesa. Sipas projektligjit të Financave, biznesi që ka detyrime në tatime do t’i falen 50 për qind kamatëvonesa dhe 100 për qind gjobat, me kusht që brenda këtij viti të paguhen detyrimet. Kurse nga borxhet e biznesit në administratën doganore do të falen 3.2 miliardë lekë të totalit të detyrimeve të prapambetura, ku 1.9 miliardë lekë janë penalitete, ndërsa 1.3 miliardë lekë janë interesa të papaguara. Në administratën tatimore do të falen gjobat dhe kamatëvonesat për automjetet e importuara dhe taksa për ditëqëndrimi, me kusht që principali të paguhet brenda vitit 2008. Pra, bëhet fjalë për automjetet e kontabilizuar që nga data 31.12.2000. Sipas draftit të Financave, ky borxh përfshin gjithsej 158 raste dhe kap një vlerë totale prej 43 milionë lekësh, ose 0.5 për qind të totalit të detyrimit. Por përveç gjobave dhe kamatëvonesave, mjaft kompanive do t’iu falen komplet detyrimet, pasi këto figurojnë si debitore pa titull ekzekutiv. E thënë ndryshe, ky borxh nuk i është njoftuar asnjëherë subjektit debitor, çfarë do të thotë që nuk është kthyer në titull ekzekutiv. Në total, ky borxh si në tatime ashtu dhe në dogana llogaritet në 1.2 miliardë lekë. Amnistia do të përfshijë edhe faljen e detyrimeve të papaguara në administratën doganore dhe atë tatimore të institucioneve shtetërore. Pra, këto shoqëri me kapital tërësisht shtetëror, do të përfitojnë nga projektligji. Në total falen rreth 848 milionë lekë detyrime të ndërmarrjeve shtetërore.

Falen kamatëvonesat nga taksat e papaguara për 23 mijë automjete në Tiranë

Amnistia fiskale do të shuajë kamatëvonesat për 160 mijë drejtues automjetesh, të cilët nuk kanë paguar taksën e qarkullimit të automjeteve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në Tiranë do të përfitojnë 23 mijë drejtuesish automjetesh, kurse në qytetin e Durrësit përfitojnë rreth 10 mijë drejtues automjetesh. Sipas të dhënave, ka rezultuar që shumë prej këtyre makinave nuk ekzistojnë më, pasi janë të shkatërruara, apo dhe se për shkaqe të tjera ato nuk janë fare në përdorim, por që targa e tyre është ende regjistruar në data-base. Pra, e thënë ndryshe, kjo do të thotë që edhe kjo kategori makinash figurojnë të regjistruara, ndërkohë që ato nuk janë në qarkullim. Atëherë, në këtë rast, projektligji i Ministrisë së Financave parashikon që të falen detyrimet për ato makina që nuk janë në qarkullim. Në faljen e detyrimeve do të përfshihen edhe ato raste kur automjetet janë blerë, por që nuk kanë qenë në qarkullim për një kohë të caktuar, ndërkohë që pronari i automjetit kërkon që ta nxjerrë në qarkullim, por në këtë rast data-base i Ministrisë së Transporteve ka gjeneruar taksën e përvitshme të qarkullim rrugor. Nisur nga kjo situatë, drafti i Financave parashikon që, të gjithë ata persona që e kanë të regjistruar këtë makinë, por nuk e kanë pasur në qarkullim, pronarit do t’i falen detyrimet e taksës vjetore të qarkullimit vjetor bashkë me interesat dhe kamatëvonesat që ka gjeneruar kjo taksë, me kusht që ai të shkojë në Drejtorinë e Përgjithshme e Transportit dhe të dorëzojë targën dhe lejen e qarkullimit. Kjo procedurë do të sjellë që të saktësohet në regjistrin zyrtar që automjeti është çregjistruar. Kurse për makinat të cilat janë në qarkullim, por kanë detyrime të papaguara, pronarëve të automjeteve do t’iu falen të gjitha detyrimet e papaguara deri në vitin 2004, me kusht që të paguhen detyrimet e vitit 2005, 2006 dhe vitit 2007. Sakaq, drafti parashikon që, për të gjithë ato automjete që janë në qarkullim dhe pronarët e tyre kanë shumë vite detyrime të papaguara, nëpërmjet këtij ligji ata duhet të paguajnë detyrimet vetëm për 3 vitet e fundit, pra nga viti 2006 deri në vitin 2008. Pra, nga e gjitha ajo shumë që një drejtues automjeti mund të ketë pa paguar, nëpërmjet projektligjit të faljes ai mund të paguajë vetëm për 3 vitet e fundit që të jetë në qarkullim të rregullt.

Falen 283 milionë lekë kontribute të papaguara

Falja e kontributeve të sigurimeve shoqërore do të përfshijë faljen e kamatëvonesave dhe të gjobave. Projektligji parashikon që falja e detyrimeve të shtrihet në të gjithë subjektet, ato shtetërore dhe private, përfshirë dhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Në total janë evidentuar 6169 subjekte me detyrime të papaguara, që arrijnë në 283 milionë lekë. Projekti parashikon faljen 100 për qind të gjobave të vendosura dhe kamatëvonesat e llogaritura deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij projektligji. Gjithashtu, është parashikuar që kjo falje të përfshijë edhe subjektet, të cilët i kanë paguar detyrimet e kontributeve para hyrjes në fuqi të projektligjit të ri të faljeve. Është fjala për subjektet të cilët aktualisht iu kanë mbetur pa paguar gjobat dhe kamatëvonesat. Detyrimet e subjekteve debitore janë të trashëguara në vite dhe të cilat po bëhen pengesë për të paguar detyrimin bazë, i cili nuk mund të falet, pasi ka lidhje me pensionin.

Biznesi me shumë borxhe në tatime

Sipas Ministrisë së Financave, borxhi më i lartë është në tatime, i cili llogaritet në 37.2 miliardë lekë, ku sipas këtij projektligji do të falen 6.5 miliardë lekë. Pra, biznesit do t’i falen 5.9 miliardë lekë gjoba dhe 586 milionë lekë kamatëvonesa. Sipas projektligjit të Financave, biznesi që ka detyrime në tatime do t’i falen 50 për qind kamatëvonesa dhe 100 për qind gjobat, me kusht që brenda këtij viti të paguhen detyrimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›