E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranverë shqyrtohet nisja e bisedimeve për MSA-në me Kosovë

Komisioni Evropian mbështet plotësisht hetimet e EULEX-it lidhur me dyshimet për krimet e kryera në periudhën e konfliktit në Kosovë, sikurse edhe ato që kanë dalë nga raporti i Dick Martyt, ka deklaruar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Füle.

Në fjalimin drejtuar deputetëve, Füle ka theksuar se në pranverë pritet një numër i raporteve, mbi bazë të të cilave Këshilli do të shqyrtojë nëse do të miratojë nisjen e bisedimeve me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ai shtoi se këtë vit duhet të shihet edhe përparimi në dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën.

Duke folur për vendet e tjera në Ballkan, Füle theksoi se Komisioni Evropian do të publikojë në pranverë raportin e fundit të monitorimit për Kroacinë, dhe se Këshilli do të shqyrtojë nëse është bërë përparim i mjaftueshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim me Serbinë dhe Maqedoninë.

Varësisht nga përparimi, është i mundur edhe një raport për Shqipërinë, ka shtuar Füle./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›