Në prill nis instalimi i kasave regjistruese
Financat, në mesin marsit tender për kasat. Biznesi VIP, i pari me kasa regjistruese
Në fillim të muajit prill do të nisë instalimi i kasave regjistruese tek bizneset e madhësive të ndryshme. Ministria e Financave ka përfunduar hartimin e termave të tenderit për firmën fituese që do të marrë përsipër mbarëvajtjen e këtij projekti. Termat hartuese të tenderit krijuan mjaft debate mes drejtuesve të financave, ku njëra nga arsyet ishte vonesa për instalimin e kasave regjistruese. Burime zyrtare të dikasterit të financave thanë për gazetën “Korrieri”, se në datën 15 mars do të përfundojë pranimi i ofertave nga ana e kompanive të cilat janë të interesuara për këtë projekt koncesionar. Më pas, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të shikojë çdo propozim në përputhje me kriteret e vlerësimit. Pas 15 ditësh do të shpallet kompania fituese, e cila në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të instalojë kasat regjistruese. Sipas Ministrisë së Financave, kriteret kryesore për të cilën do të përzgjidhet firma fituese janë që ajo duhet të ketë përvojë të ngjashme pune, biznes-planin e aktivitetit të shoqërisë, projektin për infrastrukturën e brendshme dhe mënyrën e lidhjes së saj me infrastrukturën e jashtme, cilësinë e pajisjeve fiskale dhe çmimi i kasave me preferencë çmimi më të ulët të shitjes. Si fillim parashikohet të jenë 40 mijë kasa regjistruese. Të parët të cilët do të pajisen me kasa regjistruese do të jenë bizneset me TVSH dhe tatim-fitimi, të cilët administrohen nga Dega e Tatimpaguesve të Mëdhenj (bizneset VIP). Bëhet fjalë për 600 biznese të mëdhenj, të cilët do të pajisen me kasa regjistruese në fillim të muajit prill. Ndërkohë që sipas planit të qeverisë, ishte parashikuar që për bizneset VIP të përfundonte në muajin maj instalimi i kasave regjistruese. Ndërsa bizneset me TVSH në qytetet Durrës, Kavajë, Lushnjë, Berat, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe do të përfshihen në etapën e dytë të instalimit të kasave regjistruese, proces ky i cili pritet të zgjasë deri 6 muaj. Ashtu edhe sikundër ka kërkuar biznesi i vogël, do të jetë i fundit që do të pajiset me kasa regjistruese. Pritet që procesi i instalimit të kasave regjistruese për biznesin e vogël të nisë në vitin 2009. Po ashtu, nga Drejtoria Tatimore përfshihet edhe një proces tjetër, që është ai i hedhjes së të dhënave të qarkullimit të atyre bizneseve që janë të pajisur me kasa regjistruese. Pra, e thënë ndryshe, të dhënat e qarkullimit të kasave të vjetra do të përfshihen në memorien qendrore fiskale. Gjithashtu, kapaciteti i memories fiskale për çdo kasë regjistruese duhet të sigurojë ruajtjen e regjistrimeve të së paku 1800 raporteve ditore dhe fiskale, maksimumi i 20 ndryshimeve të shkallëve tatimore dhe të 200 ndërhyrjeve për zhbllokime të software-ve. Përpara se të fillojë hedhja e të dhënave të qarkullimit, nëpërmjet pajisjes fiskale në memorien fiskale paraprakisht, duhet të futen të dhënat, si numri i identifikimit të tatimpaguesit, numri i identifikimit të regjistruesit elektronik (dy shifra për identifikimin e kompanisë shitëse të arkës, dhe 4 numra dhjetorë të tjerë), data, ora dhe minuta e fillimit të mbajtjes së regjistrimit të xhiros nëpërmjet regjistruesit elektronik dhe logoja fiskale. Nëse memoria fiskale pëson defekt, pajisja fiskale duhet të regjistrojë “Gabim”, si dhe të dhënat nuk fshihen në rast të mungesës së energjisë elektrike.