E Diel, 1 Nëntor 2026

PD ka interesat e veta

Gazmend Oketa

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa thekson se çështja e sistemit zgjedhor më tepër se një çështje e majtë apo e djathtë, është një çështje midis interesave të partive të vogla dhe atyre të mëdha.

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa thekson se çështja e sistemit zgjedhor më tepër se një çështje e majtë apo e djathtë, është një çështje midis interesave të partive të vogla dhe atyre të mëdha. Për Gazmend Oketën ndërkaq, është ende shpejt për të folur mbi koalicionet e mundshme parazgjedhore, pasi më parë duhet të shihet vendosja e sistemit e mandej të vlerësohet. Në një intervistë me “Korrierin”, Oketa thotë se, përpara se të merren vendimet e duhura, ka afërsisht “edhe një vit e gjysmë për të konsumuar nga mandati”, ndaj ai gjykon se “është pak herët për të folur për strategjinë e zgjedhjeve të vitit 2009”.... -Nëse e djathta nuk do të përfaqësohet në zgjedhje në koalicion, mendoni se mund të cenohet për shkak të rrjedhjes së votave dhe kështu mund të përfitojë e majta? “Është shumë herët për të folur. Përsëris, fillimisht duhet të presim se cili do të jetë sistemi zgjedhor, ndërsa më pas, në funksion të tij, forcat politike të djathta do të marrin vendimet e duhura. Plus që kemi afërsisht edhe një vit e gjysmë për të konsumuar nga mandati ynë dhe kështu gjykoj se është pak herët për të folur për strategjinë e zgjedhjeve të vitit 2009”. -Kohët e fundit debati politik është përqendruar rreth problematikës së reformës zgjedhore, konkretisht mbi sistemin zgjedhor. E majta po përjeton një krizë përmes divorcit LSI-PS. Mendoni që një gjë e tillë mund të ndodhë edhe tek e djathta, duke pasur parasysh që aleatët e PD-së nuk janë fort të kënaqur me çfarë po ndodh me këtë reformë, për moskoordinim qëndrimesh dhe me deklaratën e kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit PD-ja do të pranojë çdo sistem që do të propozojë PS-ja? Gazmend Oketa: “Për sa u takon çështjeve të së majtës, nuk na takon neve të ndërhyjmë dhe të japim komente, këshilla apo rekomandime. Gjithsesi, çështja në fjalë nuk duhet parë thjesht si çështje mes të majtës apo të djathtës. Më tepër është një çështje që duhet parë si një çështje interesash partish të vogla apo partish të mëdha. Kur them çështje interesash partish të vogla apo të mëdha, gjithmonë në qendër të tyre duhet të qëndrojnë interesat e qytetarëve, interesat e votuesve, duhet të qëndrojë interesi që vota e shqiptarëve të japë një produkt të padeformuar. Është tepër herët ndoshta, për të folur për divorce të majta apo të djathta, pavarësisht deklarimeve. Është një komision parlamentar i ngritur për të punuar për reformën zgjedhore. Mendoj se të gjithë opinionet dhe propozimet për sistemin zgjedhor, për mënyrën se cili sistem do të zgjidhet, cili do të jetë pragu, me lista të hapura apo të mbyllura, të gjitha këto janë çështje që duhet të diskutohen në këtë komision dhe prej andej të vihet me një propozim konkret para Kuvendit. Në rast se do të fillonim të gjithë jashtë këtij komisioni të jepnim opinione të ndryshme në media, atëherë kuptohet që do të vështirësonim punën e këtij komisioni dhe do të largonim arritjen e një përfundimi sa më konsensual. Gjithsesi, mendoj se kemi ende kohë për të gjetur një zgjidhje më të mirë të mundshme në funksion të interesave të qytetarëve, të votuesve dhe më pas të vijnë interesat e partive politike, qofshin këto të mëdha apo të vogla”. -Mos është pak e nxituar të thuash se “kemi ende kohë”, pasi komisioni është në mandatin e tij të tretë dhe produkti i tij është pothuajse asgjë dhe se ka mbetur një muaj nga ky mandat i tretë? “Kur them se kemi ende kohë, është paksa relative. Them se kemi ende kohë, për faktin se çështjet të cilat duhet të diskutojë ky komision tashmë janë zvogëluar. Është një numër shumë i kufizuar variantesh për të zgjedhur dhe në funksion të këtyre varianteve që janë për të zgjedhur dhe në funksion të faktit se partitë politike tashmë, secila e ka të qartë atë variant që ajo mbështet, apo atë variant që do të propozojë. Them se kemi ende kohë, për faktin se mjafton që ky komision të ulet dy apo tri ditë rresht dhe besoj se do të jepte një produkt final. Duke e parë, në këtë mënyrë u shpreha se kemi kohë në dispozicion. Në rast se komisioni do të vazhdojë të punojë duke mos u mbledhur rregullisht, atëherë kuptohet se ndoshta edhe një vit do të ishte pak”. -Vetë PD-ja ka pjekur një ide se cilin sistem zgjedhor parapëlqen? Kjo gjithmonë duke iu referuar edhe deklaratës së kryeministrit Berisha, se PD-ja do të pranojë çdo sistem që do të propozojë PS-ja. “PD-ja nëpërmjet kryetarit të saj, kryeministrit Sali Berisha, është deklaruar se mirëpret çdo propozim të opozitës për sistemin zgjedhor. Në funksion të kësaj deklarate mirëpresim propozimet e opozitës dhe theksoj se është komisioni parlamentar, është përfaqësuesi ynë atje, i cili do të mbrojë interesat e forcës politike së cilës ai i përket, PD-së”. -Cili është interesi i PD-së? “E rëndësishme për ne si PD është një sistem zgjedhor, i cili të pasqyrojë në fund të tij ekzaktësisht vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër, të mos harrojmë se reforma zgjedhore ka edhe elemente të tjerë për të cilët qeveria po punon intensivisht, siç është regjistri elektronik i Gjendjes Civile, që përfundon në mesin e këtij viti, pajisja e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaportat biometrike. Më datë 28 të këtij muaji hapet tenderi i shumëpritur për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe pasaportat biometrike. Ndërkohë, po punohet për sistemin e adresave. Të gjithë këto elemente të marrë së bashku, do të krijojnë një infrastrukturë të përshtatshme, e cila e kombinuar dhe me një sistem zgjedhor sa më të përshtatshëm, besoj se do të shënojë një hap të ri, cilësor dhe drejt standardeve për zgjedhje pa diskutim të lira, demokratike dhe brenda standardeve evropiane”. -PDK-ja është shprehur tepër kritike ndaj zgjedhjes së sistemit zgjedhor. Kryetari i saj, Nard Ndoka, ka deklaruar se mund të rishikojë pozicionin e saj në aleancën me PD-në, nëse nuk do të përcaktohet një sistem, i cili të marrë bekimin e të gjitha partive të koalicionit. Madje ka deklaruar se mund të bëjë edhe aleanca me parti të tjera, qoftë edhe të majta, si me LSI-në. “E shpreha se, më tepër se një çështje e majtë apo e djathtë, është një çështje midis interesave të partive të vogla dhe atyre të mëdha. Natyrisht, secila nga forcat politike do të tentojë drejt asaj zgjidhjeje që ajo mendon se është më e përshtatshmja qoftë për qytetarët, duke mos paragjykuar propozimet e partive të vogla, qoftë më e përshtatshmja për interesat e tyre. Kështu, në deklarimet e zotit Ndoka apo të zotit Meta, ndoshta nuk ka ndonjë gjë të re apo që të përbëjë një risi në politikën shqiptare. Janë zhvillime që kanë ndodhur sa herë që në tryezën politike është hedhur për diskutim Kodi Zgjedhor apo reforma zgjedhore. Mjafton të kthehemi pas me kujtesë, ku në të gjithë rastet kur është diskutuar sistemi zgjedhor apo Kodi Zgjedhor, vazhdimisht ka pasur, le të themi “koalicione”, midis partive të vogla, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Apo më saktë, ka pasur gjithmonë akuza, të cilat kanë rezultuar gjithmonë të pavërteta për të dyja forcat më të mëdha politike. Është i njëjti rast dhe besoj se duam apo s’duam duhet t’i kthehemi komisionit të reformës zgjedhore, ku është vendi që të gjitha partitë mund të shprehin objeksionet e tyre, propozimet përkatëse dhe do të ishte një rast ideal, pothuajse i pamundur, që një sistem zgjedhor të kënaqte interesat e të gjithë spektrit politik. Do të uroja që kjo të ndodhte, por gjithsesi ndoshta është shumë, shumë e vështirë që të kemi një sistem të tillë, ku të gjitha partitë të jenë të kënaqura me këtë lloj sistemi”. -­Thatë se partitë mbrojnë interesat e tyre. Duke qëndruar tek sistemi zgjedhor, flitet që sistemi i ardhshëm zgjedhor do të jetë njëri që i përket familjes së proporcionalit, ku paritë përfaqësohen më vete, nëse nuk paraqiten në grup të vetëm si koalicion. PD-ja duke parë vetëm interesin e saj, duke përqafuar një sistem më së shumti për interesin e saj, mos ndoshta “shkel me këmbë” edhe partitë e tjera aleate? “Absolutisht, këto janë më tepër komente apo hipoteza që teorikisht edhe mund të qëndrojnë, por praktika e këtyre 17 viteve ka treguar se PD-ja asnjëherë nuk ka abuzuar me faktin e të qenit një parti e madhe. Përkundrazi, vazhdimisht ka hyrë në zgjedhje në koalicion me partitë e spektrit të djathtë dhe besoj se secila nga këto parti tek PD-ja ka gjetur një partner serioz, luajal, që ka respektuar marrëveshjet para apo pas zgjedhore, që ka nënshkruar me këto parti. Në rastin konkret, absolutisht nuk është ky objektivi i PD-së. Objektivi i PD-së është arritja e një sistemi zgjedhor sa më korrekt, sa më të ndershëm, i një sistemi zgjedhor i cili përfaqëson ekzaktësisht votën e qytetarëve shqiptarë dhe nuk e deformon këtë votë në momentin që rezultati del. Ky është objektivi kryesor i ynë dhe nuk është aspak zvogëlimi apo cenimi i interesave të partive të vogla”. -Mendohet që e djathta do të paraqitet në koalicion në zgjedhjet e vitit 2009? “Mendoj se është herët për t’u shprehur mbi një gjë të tillë. Për më tepër që kjo është një çështje që u takon kryetarëve të partive dhe nuk mendoj se duhet të prononcohem unë lidhur me këtë. Duhet të jetë tryeza e koalicionit të djathtë, e cila do të vendosë sesi do të shkohet në zgjedhjet e 2009-ës. Në funksion sistemit zgjedhor, mendoj se kryetarët e partive të koalicionit do të hartojnë dhe strategjinë sesi do të hyhet në zgjedhje, pasi kur shkohet në zgjedhje, objektivi kryesor është fitorja. Në funksion të këtij objektivi besoj se do të përshtatet edhe strategjia përkatëse”. -Përse tryeza e krerëve të partive të koalicionit mblidhet gjithnjë në kohë zgjedhjesh dhe jo në kohë paqeje, për të diskutuar rreth problematikave të qeverisjes, atyre ekonomiko-sociale etj? “Nga njëra anë arsyeja është shumë e thjeshtë. Duhet të kemi në konsideratë faktin që të gjithë kryetarët e partive të koalicionit të djathtë janë të përfaqësuar në qeveri dhe në atë tryezë janë prezentë për të gjithë problemet dhe diskutimet që bëhen lidhur me qeverisjen e vendit. Kuptohet, në raste specifike mjafton të kujtojmë periudhën parazgjedhore të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, kur ishte e nevojshme, kryetarët e partive të koalicionit të djathtë janë ulur e kanë biseduar me njëri-tjetrin dhe kanë marrë vendimet e duhura politike. Në situatë normale qeverisëse, duke qenë anëtarë të kabinetit qeveritar, duke qenë se kontaktet janë të përditshme, të shpeshta, atëherë bie pak pesha apo rëndësia e kësaj tryeze të krerëve të partive politike. Ndërsa kur u afrohemi zgjedhjeve, atëherë kuptohet se nuk mund të jetë tryeza e qeverisë ku mund të diskutohen çështje të tilla partiake”. -Nëse e djathta nuk do të përfaqësohet në zgjedhje në koalicion, mendoni se mund të cenohet për shkak të rrjedhjes së votave dhe kështu mund të përfitojë e majta? “Është shumë herët për të folur. E përsëris, fillimisht duhet të presim se cili do të jetë sistemi zgjedhor, ndërsa më pas në funksion të tij, forcat politike të djathta do të marrin vendimet e duhura. Plus që kemi afërsisht edhe një vit e gjysmë për të konsumuar nga mandati ynë dhe kështu gjykoj se është pak herët për të folur për strategjinë e zgjedhjeve të vitit 2009”. -Në lidhje me funksionimin e qeverisë, pak kohë më parë zëra nga mazhoranca, për shembull kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka thënë se qeveria ka nevojë për rifreskim. Kjo pas samitit të NATO-s. Cili është vlerësimi juaj? “Kjo është një pyetje totalisht për kryeministrin e vendit, i cili përzgjedh kabinetin qeverisës, përzgjedh anëtarët e ekipit me të cilët ai synon të realizojë programin e tij. Kështu, përgjigjen e saktë e jep kryeministri. Natyrisht, ministrat të cilëve ju u referoheni, duke qenë në pozitën jo vetëm thjesht të anëtarëve të kabinetit, por edhe të kryetarëve të partive të ndryshme, bëjnë prononcime të cilat i gjykojnë se duhen bërë në funksion të kohës dhe momentit, që ata gjykojnë se duhen bërë këto deklarata”. -Megjithatë, duke ditur se këtë e ka thënë kreu i PR-së, parti e cilësuar si strategjike me PD-në, kjo nuk është e vogël. “Absolutisht që nuk është një thënie e vogël. Por, gjithsesi, është një thënie që gjen konfirmim apo moskonfirmim vetëm tek kryeministri i vendit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›