E Diel, 1 Nëntor 2026

Izet Haxhia, ekstradimi i afërt

Ish-truproja e Sali Berishës, i dënuar me 25 vjet burg për bashkëpunim në vrasjen e Azem Hajdarit, pritet të vijë para 2009-ës në Shqipëri

TIRANË - Ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha,  Izet Haxhia, personi i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit më 12 shtator të vitit 1998, do të mund të ekstradohet në Shqipëri në ditët e fundit të këtij viti. Tashmë, 42-vjeçari nga Tropoja, ish-oficeri i Gardës Kombëtare, i dënuar me 25 vjet burg për veprën penale të “vrasjes për shkak të detyrës”, figuron prej disa kohësh në listën e Interpolit dhe pritet të ekstradohet sa më shpejt në Tiranë për të vuajtur dënimin. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se procedurat për realizmin e ekstradimit të Haxhisë kanë nisur prej kohësh dhe finalizimi përfundimtar pritet të jetë fundi i 2008-ës. Pas refuzimit të kërkesës për azil politik, që Haxhia kërkoi para disa muajsh në shtetin turk, procedurat për ekstradim u lehtësuan më tepër. Ai u arrestua më 3 qershor të vitit 2006 në shtetin turk, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Hajdarit. Arrestimi i tij në atë kohë u bë i mundur falë një bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe Interpol Ankarasë në mesditën e datës 3 qershor, në Kushadasi të Turqisë. Menjëherë pasi bëri vrasjen, Haxhia u arratis përtej detit. Sipas informacioneve të policisë, ai jetoi në Stamboll deri në vitin 2004, ndërsa më pas lëvizi drejt Antalias, në Kushadasi, vend në të cilin dhe u arrestua. Haxhia ka qenë truproja e ish-presidentit Sali Berisha. Ai është akuzuar gjithashtu edhe për ngjarjet e 14 shtatorit të po atij viti, kur u sulmua Kryeministria. Madje, për këtë akuzë ai është hetuar nën masën e sigurisë arrest shtëpie. Izet Haxhia u  largua nga vendi në fillim të vitit 1999, kur hetimet për vrasjen e ish-deputetit Hajdari po implikonin edhe vëllezërit Haxhia. Vrasja Mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998, vetëm pak metra larg selisë së Partisë Demokratike, vritet me armë zjarri deputeti i kësaj partie, Azem Hajdari.  Sipas hetimeve që u bënë në atë kohë për ngjarjen, rezultonte se ishte një grup i organizuar nga Tropoja, kryesuar nga Fatmir Haklaj, me Jaho Mulosmanin, si dhe vëllezërit Ismet dhe Izet Haxhia, por edhe Naim Çangu. Një pjesë e tropojanëve kishin mbërritur në Tiranë dy ditë para vrasjes, më datë 10 qershor e janë parë që ato ditë kanë lëvizur dendur pranë selisë së PD-së. Ndërkohë që në momentin e vrasjes historike, tri makina janë pozicionuar pranë selisë së PD-së.  Personi që e ka kontaktuar i fundit ish-deputetin Hajdari ka qenë truproja e asaj kohe të ish-presidentit Sali Berisha. Ai ka takuar Hajdarin dhe i ka thënë se një grup tropojanësh kishin ardhur për ta takuar. Pasi ka dalë, Azemi i është drejtuar makinës me targa të Vlorës, i ndjekur nga dy truprojat e tij, Besim Çera dhe Zenel Neza. Por në ato momente, nga makina ka dalë fillimisht Fatmir Haklaj dhe më pas Jaho Mulosmani e Naim Çangu. Hajdari dhe ekzekutorët e tij fillimisht kanë shkëmbyer disa fjalë. Menjëherë pas kësaj, Fatmir Haklaj ka nxjerrë një automatik dhe ka qëlluar zjarr në drejtim të Hajdarit dhe truprojave të tij. Si pasojë e plumbave është plagosur dhe ka vdekur disa orë më pas deputeti Azem Hajdari. Ndërkohë ka mbetur i vdekur truproja Besim Çera, ndërsa Zenel Neza është plagosur rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›