E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje që Romeo të përdhunojë Xhuljetën

(Një psherëtimë për banalitetin)

Sa për të shembullzuar se çfarë titujsh na servir zbuluesi i vezës së letërisë bulevardeske, po japim vetëm disa: "Mes gruas dhe dashnores", ""Krimet e nje gruaje", "Putana e vogël", ""Karriera e një prostitute", "Dashnorja e të gjithëve", "Bukuria e përdhunuar", "Kurvat e Parisit", "Pallati i kanibalëve", "Një burrë dhe dy gra", "Dashuri kanibalësh", etj. E kështu, pas titujve të tillë, "Romeo e Xhuljeta" e Shekspirit mund të botohet shumë lehtë me titullin "Përdhunimi i Xhuljetës”. Dhe nuk është ndonjë çudi ta gjejmë ndonjë ditë, pasi në treg kemi edhe tituj të tillë: "E dashura e priftit" të Stendalit, si dhe “Vajza e dashnores sime” me autor Gi dë Mopasan… Kur nuk ka kritikë letrare, lexuesi masivizohet dhe shija e tij shprishet, burgoset në libra të dobët. E pasi burgoset, lexuesi edhe plaçkitet. Kështu përgatitet dalëngadalë morgu i letërsisë së vërtetë, izolimi i vlerave dhe tjetërsimi i lexuesit.

Granit ZELA

Marrëzitë dhe ngjarjet e pabesueshme, që nuk i rrok mendja njerëzore, në kohë krize e kaosi bëhen të zakonshme, pasi një absurditet zëvendësohet me një absurditet tjetër, ato shtresohen mbi njëra tjetrën duke krijuar një mal hijerëndë sharlatanizmi, që ia zë hisen e dritës shoqërisë dhe rrjedhave normale të zhvillimit shoqëror.
Gjer më sot, në trekëndëshin shtëpi botuese, autor, lexues, kemi dëgjuar shpesh kujën ankestare të shtëpive botuese për mospërkrahje nga shteti, se janë në prag të falimentimit, nuk fitojnë aq sa duhet, se edhe pas panaireve të libri shitjet nuk janë në treguesit e pritshëm etj. Por nuk kemi dëgjuar të flasin për të drejtën e shkrimtarëve shqiptarë, që të paguhen për veprat e tyre në bazë të ligjit. Nuk kemi dëgjuar publikisht që qoftë edhe njëra prej tyre të ketë refuzuar për ta botuar një libër, për mungesë të vlerave estetike, çka tregon se për disa botues paraja, fitimi dhe jo dashuria për librin, është qëllimi i parë dhe i fundit.
Pyetjet që shtrojmë janë: Cila shtëpi botuese ka falimentuar gjer më sot, për shkak të kaosit dhe krizës së leximit të librit, i cili, sipas tyre, nuk është aq masiv sa duhet? Përgjigja është e thjeshtë: asnjë.
Me këtë ne nuk duam të themi që shtëpitë botuese të mos zhvillohen e pasurohen, por duam të them se në këtë kaos e varfëri ekonomike, kur shtëpitë botuese ndjehen të kërcënuara, shkrimtarët janë dhjetë herë më shumë të kërcënuar e të pashpërblyer, dhjetë herë më të dhunuar nga mënjanësimi dhe pamundësia.

* * *
Pas viteve 90-të lexuesi shqiptar, i rraskapitur nga socrealizmi, ishte i etur për "mollën e ndalueme" të letërsisë botërore. Kjo dëshirë e ethshme për të shijuar të ndaluarën, për të qenë në të njëjtin hap me kohën europiane të letërsisë, solli një vërshim të madh përkthimesh, të cilat me ngutin e botimit ngjajnë me atë lumin, që krahas ujit të dobishëm, sjell edhe baltë me shumicë. "Përkthime" e "shqipërime", "prurje në shqip" e "shfytyrime", profesionalizëm e amatorizëm, një yrysh që kishim shpresë e besonim se do të disiplinohej me kalimin e viteve, pasi koha nuk ta lejon pastaj alibinë për padije e mungesë të përvojës.
Mirëpo… Ajo çka dëgjojmë e lexojmë në media për ndonjë shtëpi (sa)botuese, na tregon se edhe sot ka ende shtëpi të tilla (sa)botuese që vazhdojnë qetësisht të grabisin shkrimtarët, të tëhuajtin e të plaçkisin lexuesin. Megjithëse është denoncuar në “Fiks Fare”, në një treg-bordurë të Tiranës një shtëpi vazhdon ta dënojë me vdekje shkrimtarin Teodor Drajzer, duke ekzekutuar veprën e tij në mënyrë sistematike. Kësaj nuk i thonë ta nxjerrësh në dritë shkrimtarin, por ta varrosësh. Në tregun tonë të librave, lexuesi gjen "Bukuri e përdhunuar", "Zonja e panjohur", Syzeza Karolinë", "Viktimë e dashurisë së gabuar" të autorit Teodor Drajzer, tituj që nuk i gjen në mbarë palenitin. Do të thoni ju se psëre vetëm lexuesit shqiptar i jepen, mos vallë shtëpia botuese ka blerë të drejtën e autorit, duke ia dhënë këtë kënaqësi vetëm lexuesit tonë?
Përgjigja është jo. Këto tituj të Teodor Drajzerit ekzistojnë në shqip dhe në asnjë gjuhë tjetër të botës, sepse është pjellë e mendjes së botuesit, i cili titujt origjinalë të librave i ka zëvendësuar me tituj të letërisë masiviste, duke u dhënë konotacion erotiko-pornografikë, kontribut i paparë në iluminimin e lexuesit tonë. Në numrin e kaluar të gazetës sonë ne sollëm një shkrim të Kantit për iluminizmin por që të arrihen kufij të këtillë nuk e kishim menduar.
Sa për të shembullzuar se çfarë titujsh na servir zbuluesi i vezës së letërisë bulevardeske, po japim vetëm disa: "Mes gruas dhe dashnores", ""Krimet e nje gruaje", "Putana e vogël", ""Karriera e një prostitute", "Dashnorja e të gjithëve", "Bukuria e përdhunuar", "Kurvat e Parisit", "Pallati i kanibalëve", "Një burrë dhe dy gra", "Dashuri kanibalësh", etj.
E kështu, pas titujve të tillë, "Romeo e Xhuljeta" e Shekspirit mund të botohet shumë lehtë me titullin "Përdhunimi i Xhuljetës”. Dhe nuk është ndonjë çudi ta gjejmë ndonjë ditë, pasi në treg kemi edhe tituj të tillë: "E dashura e priftit" të Stendalit, si dhe “Vajza e dashnores sime” me autor Gi dë Mopasan. “Një tragjedi amerikane” tash sabotonjësi ynë e sjell me titullin “Tragjedi njerëzore", duke krjiuar imazhin e rrejshëm se kemi të bëjmë me një vepër të papërkthyer më parë në provincopolin tonë.

* * *
Por për të gjitha këto, ia vlen vallë të shkruash?
Libra që janë përkthyer para nëntëdhjetës, janë "përkthyer" sërish nga përkthyes anonimë, pas një mundimi disasekondësh për të vënë emrin e tyre. Pra, kjo nuk përbën lajm. Fatkeqsisht.
Por lajm të keq përbën fakti se një lexues, i cili dëshiron të lexojë veprat e Drajzerit dhe blen serinë e librave të tij në shqip, në fund, pasi ka paguar jo pak para për të pasuruar bibliotekën vetjake, kupton se në fakt ka blerë vetëm një libër të këtij autori, pasi i njëjti është botuar me tituj të ndryshëm, sikur të ishte libër tjetër, ndëkrohë që është po ai! Në treg sot kemi edhe romanin "Zonja e panjohur" të teodor Drajzer, edhe romanin "Syzeza Karolinë", që janë i njëjti libër. Edhe "Dy vëllezër për një grua", edhe "Mallkuar dita që më lindi", që janë gjithashtu i njëjti libër. Pra, lexuesi, ai që do ta ndiej magjinë e stihinë e letërsisë dhe artit letrar, befas kupton se është plaçkitur në mënyrën më të ulët nga botuesi, në mënyrën më mizore prej atij që duhej të ishte mecenat i artit dhe jo mercenar i parasë, fitimit të paligjshëm dhe mashtrimit.
Pa le pastaj banaliteti i pacilësueshëm i përkthimit, një tragjedi më vete.
Pa u zgajtur në këtë mënxyrë, në vend të një epitafi po sjellim vargjet e poetit:

O ti, qe poezia të dha duart,
Që as me prozën nuk re dot n'ujdi,
Dëgjon si po bërtet poet Marciali? -
"O ndihmë! Ndihmë! Më perktheu ai!"

Kur nuk ka kritikë letrare, lexuesi masivizohet dhe shija e tij shprishet, burgoset në libra të dobët. E pasi burgoset, lexuesi edhe plaçkitet. Kështu përgatitet dalëngadalë morgu i letërsisë së vërtetë, izolimi i vlerave dhe tjetërsimi i lexuesit.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›