E Shtunë, 31 Tetor 2026

KANUNI DHE ETIKA E P¨RDORIMIT



Në romanin “Prilli i Thyer” lihet me kuptue se Kanuni i ndez vrasjet, duke shkaktuar gati një reaksion zinxhir të tyre, në atë shkallë sa me çue deri në shuarjen e familjeve, fiseve e viseve të tëra. Nuk e kam diskutuar ndonjëherë me Kadarenë, por mendjes e gjenisë së tij nuk mund t’i shpëtonin as interpretimet e mësipërme të Fishtës e të Gjeçovit, si njohësit më të thellë të Kanunit, as nenet e saktësuara të Kanunit të Skanderbegut, ose fjalët e urta si ato që përmenda më lart. Ka të ngjarë që Prilli i Thyer përcjell artistikisht kumt të ndryshëm për dy arsye. Arsyeja e parë mund të jetë estetike. Arsyeja e dytë mund të jetë politike.
Mehmet ELEZI
1.
Eshtë shtruar një pyetje ende pa përgjigje të plotë: pse talente të fuqishme ndonjëherë deri në kufijtë e gjeniut, sa janë në Shqipëri mbesin të panjohur, ndërsa nëpër botë marrin përmasat e veta? Kështu ka ndodhur jo veç me njerëz, po edhe me vlera. Ndonja 10-12 vjet të shkuara, gazeta Nju Jork Tajms pati botuar një shkrim me vlerësime interesante për Kanunin e Lekë Dukagjinit. Tashti vjen jo një shkrim, po një libër, që ka në qendër Kanunin. Dhe jo prej Amerike, po prej një vendi tjetër shumë të zhvilluar, por me qytetërim, tradita e madje racë krejt tjetër. Dijetari japonez Kazuhiko Yamamoto, profesor i universitetit Kyushu, ka botuar “Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore”. Libri vjen edhe në gjuhën shqipe në përkthimin e Dr. Selahedin A Velajt. Disa kopje të çuara dorazi prej SHBA qarkullojnë nëpër Tiranë.
S’e kam ndërmend me ba një përimtim (analizë) dhe as recension të librit, po dëshiroj me u ndalë në dy-tre nënvizime të autorit, të cilat janë të lidhura edhe me (mos)vlerësimin e Kanunit në shoqërinë e sotme shqiptare, madje me keqpërdorimin e tij nga politika e media.
Ky keqpërdorim është herë-herë i qëllimshëm, me synime bizantine që të kujtojnë gjysmën e dytë të qindvjetshit që shkoi. Ky keqpërdorim në raste të tjera bëhet prej mosnjohjes, prej njerëzish që nuk kanë haber ç’është Kanuni, s’e kanë shfletuar kurrë, s’e kanë prekur me dorë, por flasin a shkruajnë me sa kanë dëgjuar nga pjesa më e dyshimtë dhe e pafytyrë e një propagande që është marrë shumë me të. Këta njerëz janë viktima të dukurisë që Konica e quan “hipnotizimi nga përsëritja”. Një studente imja e gazetarisë, vajzë e përkushtuar, në detyrën mësimore që kish përgatitur bënte përgjegjës Kanunin edhe për ngjarje banale të kronikës së zezë, që me gjithçka mund të lidhen, veç me të drejtën dokesore shqiptare jo. Nuk e kishte pasur kurrë në dorë as rastësisht përmbledhjen e Gjeçovit dhe as ndonjë studim për të.

2.
Gjëja e parë interesante, që bie në sy në librin e Yamamotos, është ngjashmëria që gjen ai në strukturën etike të Kanunit në mes koncepteve etike të Kanunit (besa, nderi, buka, miku, gjaku, hakmarrja, të cilën e vështron më gjërë se si gjakmarrje) dhe koncepteve etike që gjinden te Homeri e më pas te Eskili e Sofokliu.
Përqasje ndërmjet mitologjisë greke e Kanunit, duke gjetur mjaft pika takimi ose që rezonojnë me njëra-tjetrën, bën edhe Kadareja te “Eskili, ky humbës i madh”. Natyrisht, kundroja e tij është tjetër.
Shtjellimi i dijetarit prej Lindjes së Largët për Kanunin dëshmon për kushedi të satën herë se kemi të bëjmë me të njëjtën kulturë të Ballkanit të moçëm. Pra, shqiptarët janë tepër të hershëm në trojet e veta. Më së pakti, bashkëkohës me grekët e vjetër e me Homerin.

3.
Siç dihet, ngjarjet e Iliadës e Odisesë i përkasin një shoqërie pa autoritet shtetëror. Ndërsa në kohën e dy tragjikëve të mëdhenj, Eskilit e Sofokliut, bashkëjetojnë shoqëria pa autoritet shtetëror dhe forma të këtij autoriteti, të përvijuara në qytet-shtetet e lashta greke. Pikërisht këtu hapet çështja e dytë interesante në librin e studiuesit japonez. Ai nënvizon se edhe Kanuni përbën një sistem vlerash që funksionon në shoqëritë pa autoritet shtetëror.
Tërthorazi ky nënvizim i jep përgjigje zhurmës që bëhet për gjallërimin e përfolur të Kanunit në Shqipërinë e viteve të kapërcyellit. Në të vërtetë, ky gjallërim i mëtuar është mjaft i diskutueshëm, të paktën në përmasat për të cilat flitet, pasi shumica e vrasjeve që i vishen Kanunit s’kanë kurrfarë lidhjeje me të nën këtë diell. Ato kryhen prej kriminelësh ordinerë me maska e çorape të zeza në krye, janë larje hesapesh midis grupeve keqbërëse etj. Por le të ndalemi për rastet, kur Kanuni mund të ketë vepruar përnjëmend këto kohë.
Duke qenë se Kanuni përfaqëson një shoqëri pa autoritet shtetëror, siç vë në dukje edhe Yamamoto, atëherë del se është pikërisht mungesa e autoritetit shtetëror në Shqipërinë e këtyre viteve ajo që i ka shtyrë njerëzit me ba zgjidhje sipas Kanunit. Gjallërimin e përfolur të Kanunit e ka nxitur largimi i kriminelëve “në drejtim të panjohur” nëpër duart ose me ndihmën e policisë, gjykimi i tyre i rremë, lirimi përkundrejt shumave të mëdha të pareve ose për shkaqe të tjera fort të dyshimta. Me një fjalë, një autoritet shtetëror praktikisht i paqenë.
Kjo do të thotë se zgjidhjet kanunore nuk shmangen me propagandë. As duke e sharë Kanunin. As duke e “reformuar” atë nëpër mbledhje ku vezullojnë kamerat, pasi Kanuni nuk është akt ligjor, të cilin mund ta ndryshojnë e ta shfuqizojnë sipas qejfit politikat e ditës e qeveritë jetëshkurta, që shkojnë e vijnë çdo dy apo katër vjet. Mbi Kanunin mund të lënë gjurmë vetëm epokat.
Përfundimi është si në një ekuacion të thjeshtë: për me e shmangë gjallërimin e Kanunit, që përbën një sistem vlerash (ose institucionesh) të shoqërive pa autoritet shtetëror, kërkohet që shoqëria të bëhet me autoritet shtetëror. Kur shoqëria të jetë e tillë, do të ndodhë një konkurrencë e lirë: në rrethak do të vihen ballë për ballë Kanuni në njërën anë dhe autoriteti shtetëror në anën tjetër. Nëse autoriteti shtetëror bëhet funksional, bindës, Kanuni zbehet e del prej skene vetvetiu, pa u ndie. Nëse vrasësit, kriminelët, (për)dhunuesit, hajdutët, grabitësit etj. kapen e dënohen sipas ligjit, kurrkush nuk do të mendojë më për vetëgjyqësi, e cila gjithsesi nuk është aspak komode a e dëshiruar për askënd.
Ja pra çelësi me ia mshelë derën Kanunit: forco institucionet e ligjit, vendos shtetin ligjor. Në këso rrethanash, Kanuni var kryet e rikthehet në sallonin e tij të nderuar të historisë. Do të mjaftohet me madhështinë që gëzoi në kohët e veta. Për këtë madhështi të kohëve të shkuara i jemi mirënjohës. Duke shërbyer si një tërësi e përqendruar pushtetesh pa aparat administrativ, për qindra vjet të vështira ai iu kundërvu fuqishëm si çudibërës autoritetit të pushtuesit. Iu kundërvu dhe përballë tij mbrojti me fuqi të pazakontë identitetin kombëtar shqiptar.

4.
Gjëja e tretë interesante lidhet me përfundimin e profesor Yamamotos se Kanuni nuk e nxit dhunën e përgjakshme, në të kundërt, e ndal atë. Ai vëren se “kodi dokesor i një shoqërie të tillë, i përfaqësuar në mënyrë tipike nga Kanuni, mund t’i paraprijë dhe të mbizotërojë mbi konfliktet, duke mos lejuar përshkallëzimin e tyre e, si rrjedhojë, duke parandaluar rrëshqitjen e shoqërisë në kaos”.
Ky përfundim i një studiuesi të paanshëm përbën një të vërtetë të madhe shpesh herë të shkelmuar. Neni i prerë i Kanunit gjaku do gjak fton gjithkënd me u përmbajtë e mos me vra. Ai paralajmëron se në ia derdhësh gjakun dikujt, të njëjtën gjë do të bëjë edhe ai me ty, prandaj matu mirë nëse e do jetën tënde. “Gjaku kërkon gjak, gjaku ndal gjakun”, thuhet shprehimisht në Kanunin e Skanderbegut. Prej këtu edhe fjala e urtë: “U muer gjaku, do të varet pushka”: u muar gjaku, mbyllen vrasjet. Dhe fjala tjetër e urtë, aq e bukur edhe si metaforë: “Duhet nji pendë buej me i rrudhë gishtit” (me e tërheqë këmbëzën e pushkës kundër tjetrit).
Po ashtu, neni gjak për gjak nënkupton se gjakësia quhet e mbyllur sapo merret një gjak, duke mos lënë kështu shteg për zinxhirin e vrasjeve. “E kërkuemja e gjakut prej shpisë së dorërasit mbarë nuk ka kenë. Këtë e dëshmon edhe fjala e Kanunit “Gjaku për gisht” (Vërejtje e Sh. Gjeçovit, Akademia e Shkencave e RPSSH, E Drejta Zakonore Shqiptare). Nëse vrasjet ndokund kanë vijuar, kjo s’ka të bëjë me Kanunin, por me të kundërtën e tij; është shtrembërim e shpërdorim i Kanunit në rrethana të caktuara.
Këtë Fishta e thotë shkoqur qysh më 1933, në parathënien e botimit të parë të Kanunit të mbledhur e të kodifikuar prej Gjeçovit. Kjo parathënie është njëherësh një sprovë (ese) e shkëlqyer për qytetërimin shqiptar, parë edhe në raport me qytetërimet e tjera. “Vrasja ndërmjet dy familjeve hasme nuk shtyhet në nji numër të pacaktuem”, shkruan Fishta. Në të kundërt, “të vramen gjakësin dy familjet marrin e japin njena me tjetrën si me gjithë familjet e tjera të bajrakut, mostjetër, në atë masë sa shtetet e qytetnueme të Europës mbas Luftës Botnore”.

5.
Në romanin Prilli i Thyer Kadareja mban qëndrim të kundërt me sa u tha më sipër. Aty lihet me kuptue se Kanuni i ndez vrasjet, duke shkaktuar gati një reaksion zinxhir të tyre, në atë shkallë sa me çue deri në shuarjen e familjeve, fiseve e viseve të tëra. Nuk e kam diskutuar ndonjëherë me Kadarenë, por mendjes e gjenisë së tij nuk mund t’i shpëtonin as interpretimet e mësipërme të Fishtës e të Gjeçovit, si njohësit më të thellë të Kanunit, as nenet e saktësuara të Kanunit të Skanderbegut, ose fjalët e urta si ato që përmenda më lart.
Ka të ngjarë që Prilli i Thyer përcjell artistikisht kumt të ndryshëm për dy arsye. Arsyeja e parë mund të jetë estetike. Me skemën e përshtatur në roman vepra bëhet shumë më interesante, thellësisht tronditëse, përmasat dramatike rriten rrungajë, shkojnë shpërthyeshëm deri në kufijtë e një tragjedie popullore, për të mos thënë kombëtare. Nëse vrasjet (në libër) do të mbylleshin një me një, “gjak për gjak”, me gjithë talentin planetar të Kadaresë nuk jam i sigurt nëse Prilli i Thyer do të dilte më shumë se një prill i thatë. Prilli i Thyer është roman, është vepër artistike, nuk është as studim as sprovë. Shkrimtari krijon figurën letrare, luan me faktet, pra punon me mjete të tjera nga shkencëtari, i cili mbështetet vetëm te të dhënat e ftohta e te logjika e tyre, pa i lënë kurrfarë shtegu fantazisë.
Arsyeja e dytë mund të jetë politike. Kanuni ishte diabolizuar pafundësisht nga diktatura dhe nga vetë diktatori drejtpërdrejt, si ama e mizorive dhe e gjithë të ligave të dheut. E Kadareja e kishte ta pamundur me dalë krejt hapur në kundërshtim me skajimin zyrtar të kohës. Vetë shkrimtari ka pohuar se i duhej paguar një taksë diktaturës, për të pasur mundësinë me shkrue e me i botue veprat. Dhe ky qëndrim mund të jetë pjesë e kësaj takse.

6.
Duke e parë ftohtësisht Kanunin dhe sidomos duke u njohur me vlerësimet e disa dijetarëve të huaj të mrekulluar prej tij, vetvetiu buthton një pyetje: pse u vu në shënjestër aq barbarisht Kanuni për pesëdhjetë vjet rresht? Në një vështrim përgjithësues, sulmi ndaj Kanunit ishte pjesë e mësymjes së përgjithshme kundër vlerave kombëtare, për t’i shembur e shkatërruar përfundimisht. Duke marrë shkas prej disa neneve të tejkaluara për gruan (gruan, më shumë se Kanuni, e shpërfytyroi diktatura, duke e rrasur nëpër kanale e tunele me kazmë në dorë, deri në gju në baltë), pra duke zënë vang te disa nene të vjetruara, thelbi i Kanunit u shtrembërua me ligësi.
Thelbi i Kanunit nuk është gruaja, nuk është prona. Nuk është as gjakmarrja, të cilën, siç thamë, Kanuni nuk e nxit, përkundrazi, e frenon. Nuk di të jetë vënë në dukje deri sot, por Thelbi i Kanunit është pikërisht Vetëqeverisja (kanun, prej greqishtes së vjetër, shënon një vegël që shërben me heqë vija të drejta, prej ku ka dalë edhe kuptimi ligj). Noel Malcolm, në veprën e mirënjohur “Kosova, një histori e shkurtë”, shkruan se ata të cilët i kanë kuptuar ligjet - e këtu ai përmend Edith Durhamin - kanë parë se në hapësirat ku zbatohej Kanuni “në të vërtetë funksiononte një sistem i përpiktë i ligjit”. Citon Zonjën Durham: ““Kështu e ka lanë Leka” kishte më shumë ndikim se dhjetë urdhrat e Zotit, ndërsa predikimet e hoxhallarëve e të priftërinjve ishin të kota nëse binin në kundërshtim me Kanunin e Lekës”.
Bash ky thelb, Vetëqeverisja, bash kjo filozofi, filozofia e Ligjit të ngritur mbi gjithçka, edhe mbi “dhjetë urdhrat e Zotit”, kjo lloj demokracie e vjetëruar por gjithsesi Demokraci, që kishte mbijetuar në gjithfarë rrethanash për qindra vjet, ishte e rrezikshme e krejtësisht e papranueshme për një diktaturë. Ajo nuk duhej të mbijetonte më. Duhej shembur e rroposur ngrehina kanunore në tërësi, pa e përmendur kurrë arsyen e vërtetë të këtij shkatërrimi. Le të zihej vang te trajtimi i gruas a kudo tjetër, mjafton të shafitej e të fundohej në gropë.

7.
Edhe nga Japonia vijnë kumte që na kujtojnë se, më në fund, si shoqëri duhet të dimë me u çlirue prej “hipnotizimit nga përsëritja” e pafundme e diktaturës dhe e bijëzave të saj; duhet të dimë me i trajtue vlerat e qytetërimit tonë sipas karatëve që kanë.
Janë Vlera, rrënjët e të cilave janë të paktën po aq të moçme, sa më i moçmi i njohur deri më sot (sepse autori i Gilgameshit është anonim), Homeri. (2005)

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›