E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhe fantazia punon...



Shkencëtarë, filozofë e politologë shpikin sisteme dhe krijojnë teori për të rregulluar realitetin. Kur mjete për një botë të rregullt ekzistojnë, atëherë ç’duhet fantazia a krijimtaria? Ndoshta sepse për artistët e poetët sistemet janë thjesht burgje të shpirtit, të cilat çojnë jo vetëm në manipulimin e dijeve, por ndikojnë edhe në krijimin e makinërisë burokratike, që e shpërfill mendimin ndryshe, asimetrinë apo shumëllojshmërinë, për hir të kimerave ideologjike pa lidhje me shpirtin njerëzor.

Astrit LULUSHI (SHBA)

Njeriu me shpirt të lire - krijuesi, artisti, poeti - nga natyra është jokonformist, disident. I prirur drejt të pazakonëshmes, ai ruan individualitetin e vet, ndërsa e përgjithëshmja i duket pafrymë, por e bën të qajë.
Edhe e vërteta nuk është e përgjithëshme. Ajo i ngjan arsyes, e cila është e paaftë të demonstrojë ekzistencën e diçkaje, prandaj vepron si instrument për renditjen e ideve dhe imazheve abstrakte, duke i bërë ato të kuptueshme. Të kuptosh do të thotë të kesh gjetur të vërtetën, por edhe të komunikosh; dhe arsyeja vepron duke përdorur një lloj gjuhe simbolesh, që e lehtësojnë këtë komunikim të njeriut me natyrën, realitetin e botën.
1.
Kur njeriu lexon një libër të urtë si Bibla a Kurani, atij i bëhet sikur dëgjon Zotin që komunikon me krijesat e veta. Në këtë rast, çdo gjë mbështetet në besim, ndjenjë e nevojëshme për t’u njohur me realitetin, sepse besimi - dashuria - për një person a objekt, është në gjendje të zbulojë natyrën e vërtetë të gjithçkaje.
Njeriu nuk ka ndonjë ndjenjë të veçantë për formulat, përkufizimet, rregullat, ligjet e sistemet. Ato u ngjajnë hieroglifeve me shumë kuptimeve, por nuk arrijnë të komunikojnë të veçantën, jokonformisten. Individualja është e madhërishme, thotë Gëte. Ndërsa e përgjithëshmja është e ftohtë, e ngurtë; e të gjithëve por e askujt; ajo nuk përcjell përvojën e vërtetë që përftohet nëpërmjet ndjenjave të krijuara nga prekja e drejtpërdrejtë.
Anglezi David Hume thoshte se nuk mund të hante një vezë apo të pinte një gotë ujë, nëse nuk do të besonte në ekzistencën e tyre. E si mund të ecë një njeri, nëse thellë mendon së është i paralizuar? Në fakt, njëri prej Qyprillinjve, si gjeneral ottoman, humbi rastin për të marrë Vjenën, vetem pse i ishte fiksuar se i kishtë hyrë një mizë në kokë. Ai u bë i sëmurë, sulmi nuk ndodhi dhe Perëndimi është ky që është sot, falë një prej Qyprillinjëve të njohur.
2.
Ligjet e rregullat mund të jenë të dobishme në çështje praktike, por ato nuk ndihmojnë se si të kuptohet natyra, kultura, arti, ndjenjat.
Poetët e përshkruajnë botën e tyre me gjuhën e pasionit, frymëzimit dhe imagjinatës. Thuhet se i gjithë thesari i njohurive dhe gëzimeve njerëzore mbështetet në imagjinatë. Kjo është arsyeja përse gjuha e njeriut primitiv, e ndjeshme, shprehëse, spontane, është poetike, jolineare, pa një rrjedhë logjike.
Nisur nga kjo, historianët thonë se poetikja është gjuha fillestare e qenieve njerëzore, ashtu si kopshtaria është më e lashtë sesa bujqësia; piktura më e lashtë sesa shkrimi; kënga më e lashtë sesa recitimi; proverbi më i lashtë sesa përkufizimi; shkëmbimi me mall më i lashtë sesa shitja me para.
Shkencëtarë, filozofë e politologë shpikin sisteme dhe krijojnë teori për të rregulluar realitetin. Kur mjete për një botë të rregullt ekzistojnë, atëherë ç’duhet fantazia a krijimtaria?
Ndoshta sepse për artistët e poetët sistemet janë thjesht burgje të shpirtit, të cilat çojnë jo vetëm në manipulimin e dijeve, por ndikojnë edhe në krijimin e makinërisë burokratike, që e shpërfill mendimin ndryshe, asimetrinë apo shumëllojshmërinë, për hir të kimerave ideologjike pa lidhje me shpirtin njerëzor.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›