E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të UNESCO’s

Isopolifonia tashmë është bërë pjesë e UNESCO’s dhe mbrohet nga kjo organizatë. Ndërkohë, Eposi i Kreshnikeve ende s’do të mund të mbrohet, ngase UNESCO ende s’e njeh Kosovën. Ministri shqiptar i Kulturës, Aldo Bumçi pret që Eposi i Kreshnikëve të bëhet pjesë e UNESCO’s gjatë vitit të ardhshëm.

Projekti të cilin Shqipëria, në bashkëpunim me Kosovën, duhej të dorëzonte në fund të muajit mars, do të shtyhet. Kjo, për shkak se UNESCO ende nuk e merr parasysh mendimin e as shtetin e Kosovës, meqenëse kjo e fundit ende nuk është anëtare e OKB’së.

Gjatë një konference për shtyp, që u mbajt të martën në Tiranë, ministri shqiptar i Kulturës, Aldo Bumçi, deklaroi se aplikimi i Shqipërisë dhe Kosovës për mbrojtjen e Eposit të Kreshnikëve në UNESCO do të jetë i përbashkët. “Studiuesit e të dy vendeve kanë bërë një punë përgatitore të mirëfilltë për pranimin e kësaj tradite shpirtërore në UNESCO. Kjo traditë është më e përhapur në Kosovë, kështu që me ritmin e njohjeve të Kosovës si shtet do të arrihet shumë shpejt që të aplikojmë së bashku”, pohoi Bumçi.

Në këtë prononcim ministri la të kuptohet se Kosova dhe Shqipëria do të aplikojnë në UNESCO ndoshta vitin e ardhshëm.

Ndryshe, Eposi legjendar i Kreshnikëve përbëhet nga këngë të ndryshme epike. Këto këngë kryesisht shoqërohen me lahutë, që është një prej instrumenteve kryesore muzikore të trashëgimisë shpirtërore.

Nga ana tjetër, iso-polifonia shqiptare është bërë pjesë e Trashëgimisë Botërore dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 2005.

Të martën ndërkaq nga ministri Bumçi është bërë e ditur se, tash e tutje iso-polifonia shqiptare do të ketë bazën e saj të të dhënave, përmes të cilës do të mund të gjenden në internet (nëpërmjet web-faqes isopolifonia.com) shumë muzikë, imazhe, video dhe transkriptime të kësaj trashëgimie shpirtërore shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›