E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA paguan sigurimin e futbollistëve në kombëtare

Presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter, ka premtuar të enjten se Federata Botërore e Futbollit do të paguajë sigurimin e futbollistëve në detyra ndërkombëtare, lëvizje që do t’i kënaqë klubet e mëdha evropiane.

Blatter tha në kongresin vjetor të UEFA-s se “mbulesa e plotë e sigurimit” do të hyjë në fuqi pas aprovimit nga shtetet anëtare të FIFA-së në mbledhjen e tyre në maj.

“Kjo është mbulesë e sigurimit për futbollistët, për klubet dhe asociacionet (kombëtare) për të gjitha ndeshjet e kalendarit ndërkombëtar të FIFA-së”, deklaroi Blatter para zyrtarëve nga 53 shtetet anëtare të UEFA-s. “Ju duhet të merrni parasysh interesin më të mirë të futbollistëve”, shtoi ai.

FIFA përcjell udhëheqjen e UEFA-s që kishte thënë në janar se do të paguante sigurimin e futbollistëve në Euro 2012 pas lobimit të fuqishëm nga Asociacioni i Klubeve Evropiane (ECA).

200 anëtarët e ECA-së insistuan në kërkesën e tyre pasi Bayern Munich humbi mesfushorin Arjen Robben për gjashtë muaj, kur reprezentuesi i Holandës u kthye i lënduar nga Kampionati botëror 2010 në Afrikën e Jugut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›