E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pritje të shuarjes së strukturave paralele serbe në veri

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë paralajmëruar që deri në fund të muajit shtator do të mbyllen të gjitha zyrat e strukturave paralele serbe në veri të vendit, në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha për Radion Evropa e Lirë se janë marrë disa veprime që në këto zyra të mos pranohen lëndë të reja. “Po ashtu, do të fillojë edhe mbyllja e gjykatave. Ne presim që brenda muajit shtator të bëhet një mbyllje e tërësishme dhe integrimi i plotë deri në fund të vitit. Natyrisht, ka tendenca për shtyrje, por jemi të bindur që integrimi do të ndodhë sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona”, tha Kuçi.

Kurse, autoritetet policore bënë të ditur se zyrat e MUP-it serb, të cilat deri më tash kanë funksionuar në veri, janë mbyllur krejtësisht. Njëri nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës, Barahim Sadriu deklaroi se nëntë zyra policore, sa kanë qenë duke funksionuar, tashmë janë mbyllur.

“Bazuar në informacionet tona, por edhe në verifikimet që kryhen në terren nga EUELEX-i dhe grupi për verifikimin e kësaj veprimtarie, nëntë zyra operative të policisë serbe që kanë qenë duke vepruar, më nuk janë funksionale, janë të mbyllura dhe nuk janë në funksion”, bëri të ditur Sadriu, duke shtuar se zyrat e tjerë janë çështje që shkojnë në mënyrë graduale konform planit të integrimit në atë pjesë.

Mbyllja e këtyre zyrave ka ardhur pas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›