E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në profesionale 50% e nxënësve

Topi, dje në gjimnazin Petro Nini Luarasi

Vëmendja kthehet tek arsimi profesional. Për kreun e qeverisë, Sali Berisha, ai është më pranë tregut të punës dhe duhet t’i jepet prioritet.Dje, në nisjen e vitit të ri shkollor, Kryeministri theksoi se do të merren masa për të rritur frekuentimin e nxënësve. Jo pa qëllim ai uroi nxënësit nga shkolla e mesme profesionale Hoteleri-Turizëm, pasi një nga objektivat e qeverisë është rritja e numrit të nxënësve që zgjedhin këto lloj shkollash”. Sot fillon gara më e rëndësishme, ajo e dijes. Uroj që viti i ri shkollor të jetë plot arritje e suksese. Do të bëjmë gjithçka që raporti i frekuentimit të shkollave profesionale dhe atyre të përgjithshme të jetë 50-50″, deklaroi Berisha. Kreu i qeverisë tha se studimet e fundit tregojnë se numri i fëmijëve që lexojnë libra jashtëshkollorë është i lartë në krahasim me shumë vende në Europë. Një dukuri që tregon për një nivel të lartë arsimimi, tha Kryeministri, i cili shtoi se të njëjtat arritje

Berisha, dje në shkollën e Hoteleri-Turizmit

janë evidentuar edhe në lëndët shkencore. Nxënësit i përshëndeti dje edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. “Unë dëshiroj që në këtë ditë të shënuar, të uroj një vit të ri shkollor të mbarë për të gjithë nxënësit shqiptarë, kudo ata shkollohen, në qytete apo në fshatra, dhe jam i bindur që kjo ditë, sikurse dihet, mbart me vete jo vetëm emocionet, jo vetëm ankthin që natyrshëm të ofron sfida e arsimimit, por mbi të gjitha mbart me vete entuziazmin për të rifilluar një cikël arsimimi më cilësor, entuziazmin për të qenë konkurrues në jetë, por mbi të gjitha entuziazmin për të qenë fitues”, tha Topi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, uroi nga shkolla “Skënder Çaçi” të gjithë nxënësit për nisjen e vitit të ri akademik. Kreu i Bashkisë premtoi se do të merren masa për gjendjen në shkolla, pasi në to ka ende shumë probleme. “Do ta përqendrojmë punën për sigurinë në shkolla, për vendosjen e sinjalistikës, për përmirësimin e higjienës, si dhe për planifikimin e 6 shkollave të reja në kryeqytet”, tha Basha. Fillimi i vitit të ri shkollor u  shoqërua dje me trafik të rënduar në Tiranë. Kaosin e shtuan edhe më shumë vizitat e qeveritarëve në shkollat që ndodhen në pjesë të ngarkuara të kryeqytetit. Pavarësisht pranisë së madhe të Policisë Rrugore, akset kyçe kanë qenë të bllokuara deri në mesditë. Rruga pranë “pallatit me shigjeta” dhe rrethrrotullimi i Doganës janë zonat me trafikun më të rënduar. Gjithashtu, gjendja e trafikut paraqitet e rënduar në rrugën pranë shkollës “Vasil Shanto” dhe në Laprakë.

SHKODER, Një shkollë e re për banorët e zonës informale
SHKODER – Dita e fillimit të vitit të ri akademik 2011-2012 ka sjellë në Shkodër kryetaren e parlamentit, Jozefina Topalli. Ndër të tjera ajo ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e një shkolle të re në zonën informale të lagjes “Mark Lula” në Shkodër. Me një investim prej 1.5 milionë dollarësh, kjo shkollë 9-vjeçare do të ngrihet në një sipërfaqe prej 5 mijë m2, do të jetë e pajisur me 24 shumë klasa, laboratorë kompjuterike dhe me mjedise moderne sportive dhe social-kulturore. Kryetarja e Kuvendit duke e cilësuar një ditë të veçantë dhe të gëzueshme, inaugurimin e një shkolle të re në çdo qytet të Shqipërisë.

KORÇë, Fëmijët e një kopshti, mësim në oborr
KORÇE – Rreth 130 fëmijë nga kopshti numër 10 i qytetit të Korçës kanë zhvilluar orët e tyre të mësimit në ambientet e një prej lulishteve të qytetit dhe në oborrin e kopshtit. Mungesa e kushteve higjieno-sanitare në ambientet e këtij kopshti ka bërë që nga ana e inspektoratit të higjienës të kërkohet mbyllja e tyre deri në një rikonstruksion të plotë të ndërtesës. Ndërsa drejtoresha e kopshtit, Liljana Hysolli, pohoi se janë në pritje të një ambienti të ri, kryebashkiaku Niko Peleshi ka reaguar për rastin. Sipas tij, bashkia ka marrë me qira një ambient në qendër të qytetit, deri në rikonstruksionin e plotë të kopshtit.

ELBASAN/ Higjiena, dy shkolla rrezik mbylljeje
ELBASAN – Rreth 35.000 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme kanë nisur të hënën vitin e ri shkollor në 215 shkolla të qarkut. Po dje, Drejtoria e Shëndetit Publik në Elbasan pas një kontrolli të imtësishëm ka paralajmëruar mbylljen e dy shkollave deri në plotësimin e kushteve higjieno sanitare. Sipas drejtorit Bujar Kllogjeri mësohet se bëhet fjalë për shkollat  e fshatit Papër dhe Shalës, të cilat do të mbyllen provizorisht nëse brenda një afati të caktuar kohe nuk plotësohen standardet e nevojshme. Po dje, 75 fëmijë romë në shkollën “Hamit Mullisi” kanë marrë dhuratë tekstet shkollore, falë vendimit të Ministrisë së Arsimit.

“Regjistrohuni edhe nëse sju pëlqen dega”
“Regjistrohuni edhe në rast se nuk ju pëlqen dega ku keni fituar. Keni mundësi të spostoheni në një preferencë më të mirë”. Ky është apeli që specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve u bëjnë kandidatëve për studentë. Në rast se nuk kryejnë këtë proces, ata dalin automatikisht nga listat paraprake dhe nuk do të jenë pjesë e listës përfundimtare. Afati i fundit i regjistrimit është data 18 shtator. “Me mbylljen e kësaj faze mund të mbesin vende bosh, pasi një pjesë e kandidatëve, edhe pse janë shpallur fitues në një degë, preferojnë të studiojnë jashtë vendit ose zgjedhin një universitet privat. Mbi bazën e pikëve bëhet një rishpërndarje e studentëve sipas kuotave të përcaktuara, deri në shpalljen e listës përfundimtare të fituesve”, thonë specialistët. Lista përfundimtare do të shpallet më 25 shtator. Sa i përket regjistrimit përfundimtar, kandidatët të cilët në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit të ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore nga programi i studimit, ku ishin regjistruar më parë. “Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26-30 shtator 2011, prej orës 08:00 deri në orën 18:00 të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve të përcaktuar në pikën 17.1 dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve të shpallura nga AKP dhe të dërguara nëpërmjet MASH-it”, ka përcaktuar Ministria e Arsimit. Për regjistrimin kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë dosjen individuale. Ajo do të përmbajë dëftesë pjekurie (në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi ose dokument me fotografi, i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore), dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit dhe 2 fotografi. Në dosje duhet të përfshihet edhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.550 lekësh, paguar në një nga bankat e nivelit të dytë.

Banka e Shqipërisë harton lëndë të re për gjimnazistët
“Financat personale në duart tuaja” është lënda më e re me zgjedhje që i është shtuar kurrikulës mësimore të gji

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›