Në ring për festë
Më 13 shkurt në Prishtinë do të mbahet turneu ndërkombëtar i boksit ‘Pavarësia 2011’, të cilin e organizon Federata e Boksit e Kosovës (FboxK), për nder të trevjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Drejtuesit e FboxK kanë bërë të ditur se përveç boksierëve kosovarë, në këtë turne do të marrin pjesë edhe boksierë nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia dhe Novi Pazari.
Sipas tyre, ka gjasa që në këtë turne të marrin pjesë edhe dy boksierë nga klub serb Nishi, Miljanoviq i kategorisë 75 kg dhe Fejza i kategorisë 60 kg. Organizatorët e turneut kanë treguar se në kuadër të këtij evenimenti do të zhvillohen dhjet duele, të cilat, sipas tyre, pritet të jenë mjaft interesante për shikuesit.
Në këtë konferencë mbajtur me media, FboxK ka zbuluar edhe emrat e boksierëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë turne dhe ata janë: Fatos Ferizi (56 kg.), Liridon Zeqiri (60 kg.), Gazmend Gashi (64 kg.), Burim Hasani (69 kg.), Egzon Muçolli (81 kg.), Flamur Elezaj (91 kg.) dhe Marigona Beadini (60 kg.).
Fitues i edicionit të parë të këtij turneu tradicional qe shpallur boksieri kosovar Rasim Shabani, ndërsa në vitin 2010 këtë epitet e pat fituar boksieri nga Shqipëria, Fatjon Sorra.