S’jemi kërkah
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) po bën përpjekje të vazhdueshme të inkuadrohet sa më shpejt në FIFA dhe UEFA. Por, a i plotëson Kosova kushtet për të garuar në gara ndërkombëtare?
Ekspertët e futbollit kosovar thonë se vendi ynë është shumë larg prej shteteve tjera anëtare të këtyre dy asociacioneve. Sipas tyre, në Kosovë nuk ekziston asnjë stadium i vetëm, i cili i plotëson kushtet normale për ta zhvilluar një ndeshje ndërkombëtare.
Këtë e dëshmon edhe fakti se Dinamo e Zagrebit e anuloi udhëtimin drejt Kosovës për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me përzgjedhjen e Superligës, pasi u njoftuan nga udhëheqësit e futbollit kosovar se stadiumi i kryeqytetit nuk posedon as kushte minimale për ta zhvilluar takimin e paralajmëruar për 19 shkurt.
Dështimi i kësaj ndeshjeje zhgënjeu çdo kosovar, sikurse edhe strategun Afrim Tovërlani. “Mediat kanë raportuar se ndeshja u anulua sepse s’ka pas kushte infrastrukturore m’u zhvillu ndeshja. Kjo është katastrofale dhe u plasua edhe jashtë marria e futbollit të Kosovës. Sigurisht se jemi mjaft të dëshpëruar”, deklaroi Tovërlani për Express.
Sipas ish trajnerit të Prishtinës dhe Trepçës ‘89, drejtuesit e futbollit kosovar nuk është dashtë ta ftojnë gjigantin kroat për ta zhvilluar ndeshjen para se të mendonin se a ka kushte që të zhvillohet ajo miqësore.
Trajneri prishtinas kujtoi se infrastruktura sportive në vendin tonë është katastrofale, derisa theksoi se FFK-ja duhet ta iniciojë përmirësimin e kësaj gjendjeje të rëndë.
“Nuk e di a ka ndonjë projekt FFK-ja me të cilin do të ndihmonte ndërtimin apo renovimin e ndonjë stadiumi, i cili do t’i plotësonte kriteret për ta zhvillu një ndeshje ndërkombëtare. Nuk e di a ka marrëdhënie të mira FFK-ja me Ministrinë e Sportit dhe me Kryeministrinë, në mënyrë që të harmonizohen planet për ta ndihmuar futbollin kosovar për të dalë nga kjo gjendje”, u shpreh Tovërlani.
Në anën tjetër, edhe trajneri i disa skuadrave kosovare, Fahredin Duraku thotë se vendi ynë ka mbetur shumë mbrapa prej anëtarëve tjerë të FIFA-s dhe UEFA-s.
“Kemi ngel mbrapa prej të gjitha vendeve të rajonit e lëre më prej shteteve më të forta. Me dështimin e kësaj ndeshjeje kemi dështuar të gjithë ne kosovarët, duke filluar prej Qeverisë, Federatës e kështu me radhë. Është e turp që Kosova nuk e ka një stadium dhe një hotel për m’i përmbush kushtet me zhvillu një ndeshje ndërkombëtare”, tha Duraku.
Ai mendon se me dështimin e ndeshjes së paralajmëruar për t’u zhvilluar më 19 shkurt, FFK-ja është kthyer një hap mbrapa në rrugën e saj drejt ndërkombëtarizimit.
“Një ndeshje e anuluar për Kosovën do të thotë një hap mbrapa pranimit në FIFA e UEFA. Anulimi i kësaj ndeshjeje do të jetë një argument i fortë i armiqve të Kosovës, të cilët do t’i thonë FIFA-s se nuk mund të pranohet Kosova sepse, pos arsyeve tjera, Kosova nuk ka as ku ta zhvillojë një ndeshje”, vazhdoi ai.
“FFK-ja duhet të punësojë shumë njerëz profesionistë dhe t’ua ndajë përgjegjësitë, sepse me një apo dy individë nuk mund të kryhen të gjitha punët. FFK duhet t’u bëjë presion institucioneve shtetërore për ta ndihmuar futbollin kosovar”, tha Duraku.
Në anën tjetër, drejtuesit e futbollit kosovar thonë se nuk e bartin përgjegjësinë që Dinamo anuloi udhëtimin drejt Kosovës, pasi klubi kroat është ftuar nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet ambasadës së vet në Kroaci. “Kur e kanë ftuar Dinamon, ata nuk e kanë ditur se në çfarë gjendjeje është stadiumi”, thotë Salihu.
Megjithatë, ai pohon se FFK-ja i plotëson kriteret për anëtarësim në FIFA dhe UEFA, ndonëse pranon se Kosova nuk është askund me infrastrukturë. “Si federatë i plotësojmë të gjitha kriteret, por klubet nuk i plotësojnë. Federata nuk mund të ndërtojë stadiume”, thotë ai.
“Anulimi i kësaj ndeshjeje është një alarm për Qeverinë, e cila rregullimin e stadiumit të Prishtinës dhe atë të Mitrovicës duhet t’i sheh urgjentisht si interes nacional”, vazhdoi Salihu i cili thotë se dështimin e ndeshjes me Dinamon FFK-ja do ta shfrytëzojë si argument të fortë që Kosova duhet të inkuadrohet në FIFA e UEFA.
“Kosova është në zemër të Evropës dhe do t’ia bëjmë me dije FIFA-s e UEFA-s se kemi mbetur të anashkaluar, sepse edhe te ne duhet ndërtuar stadiume sepse jemi pjesë e Evropës, sikurse gjitha vendet tjera”.
Kjo është hera e dytë që Dinamo e Zagrebit anulon vendimin për të zbarkuar në vendin tonë. Edhe para dy viteve, Dinamo është dashur të luante në Prishtinë kundër Trepçës ’89 për nder të pavarësisë së Kosovës, por më pas qeveria kroate i pat sugjeruar gjigantit kroat të mos zbarkojë në Kosovë shkaku i presionit të Serbisë.