Në sheshin 21 të Prishtinës, gratë promovojnë punën e tyre
Viti 2008 është i rëndësisë së veçantë, këtë vit shënohet gjashtëdhjetëvjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, si dhe është viti kur Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar 15 tetorin si “Dita Botërore e Grave Rurale”, dedikuar punës dhe kontributit të grave në zhvillimin e ekonomisë dhe të mirëqenies së familjeve të tyre dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Si në vendet tjera në zhvillim, edhe në Kosovë gratë rurale përbëjnë shtyllën e fuqisë punëtore të Kosovës e cila shumë here nuk duket.
Duke qenë në shtëpi duke bërë punë të rënda fizike në fermat familjare, duke udhëhequr ekonomitë shtëpiake dhe duke u kujdesur për fëmijët, familjet e tyre.
Ato kanë shumë pak qasje në teknologjinë bujqësore, kreditë apo shërbimet tjera ndihmëse për zhvillimin e bujqësisë për shkak te mungesës së pronësisë, shumica prej tyre u jepen meshkujve. Gratë i kontribuojnë shumë ekonomisë familjare.
Sipas shënimeve të Ministrisë së Bujqësisë nga viti 2001, 20% e grave kujdesen për gjedhet, 37% kultivojnë perime, 84% kujdesen për shpezët shtëpiake, 82% kujdesen për fëmijët në shtëpi si dhe 96% kujdesen për punët e shtëpisë.
Arsyet për pa-barazi gjinore në aktivitetet bujqësore dalin në pah nëse marrim parasysh pronësinë e burimeve ekonomike si toka, shtëpitë dhe pajisjet bujqësore, të cilat janë kryesisht në pronësi të meshkujve.
Nga 1, 000 të anketuar në anketën për Ekonomitë Bujqësore Shtëpiake të kryer nga Enti Statistikor i Kosovës (50% femra dhe 50% meshkuj), del se në shumicën e rasteve, femrat nuk kanë kurrfarë pronësie mbi burimet primare ekonomike.
Qasja në financimin rural është shumë e kufizuar për femra, gjë kjo që kontribuon në kufizimin e mundësisë së tyre për të luajtur ndonjë rrol të rëndësishëm në çështjet financiare apo në vendim-marrje.
Përderisa gratë nuk janë në qendër të vëmendjes të strategjive kosovare për zhvillimin e bujqësisë, prodhimet bujqësore nëpër ferma ne nivel kombëtar nuk do të ketë përparim.
U bëjmë thirrje të gjithëve, institucioneve dhe shoqërisë që të punojë në përshtatshmëri me legjislacionin ekzistues që mbron kualitetin efektiv të grave rurale në Kosovë sipas Ligjit për Barazi Gjinore.
Po ashtu, për të bërë rishikimin e legjislacionit i cili nuk kontribuon në arritjen e këtyre qëllimeve. Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë një mjedis i cili siguron ushqimin për popullatën dhe për këtë arsye është mëse e domosdoshme që të mbështeten gratë rurale në punën e tyre duke ju garantuar mundësi të barabarta për gratë dhe burrat.
h.i/NOA