E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në shtator nis edicioni i tretë i 'Bunker Fest'

Edicioni i tretë i festivalit "Bunker Fest" do të mbahet në datat 8-9 shtator në Pezë, rreth 30 minuta larg qytetit të Tiranës. Në këtë festival muzikor janë ftuar edhe grupe dhe DJ nga rajoni, të cilët për dy ditë do të performojnë muzikë pa ndalim.

Prej disa kohësh, ky lloj eventi ka tërhequr edhe të rinjtë nga Kosova. Ky festival po promovohet edhe në vende të ndryshme të botës si Spanjë, Itali, Angli, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë.

Zanafilla e këtij festivali ka nisur dy vjet më parë, kur një grup të rinjsh nga Tirana, së bashku me një grup holandezësh, nisën punën për të xhiruar një dokumentar për bunkerët në Shqipëri. "Kërpudhat e betonit" ishte logoja që i vendosën bunkerëve, të cilët duhej të shndërroheshin në prova të gjalla të një pjese të errët të historisë së Shqipërisë, duke i përdorur për qëllime të tjera.

Dokumentari me holandezët, përveç evidentimit të numrit të madh të bunkerëve në Shqipëri, kishte për qëllim edhe promovimin e idesë së valorizimit të tyre, duke i përdorur për funksione të reja. Disa bunkerë, të cilët gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri kishin mbushur plot e përplot vendin, tashmë janë shndërruar në bare, në "tattoo shop" etj. Ideja e këtij festivali është pikërisht promovimi i kësaj iniciative.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›