Demaku frymëzon kampionët

Kampioni i Kosovës, Prishtina, do ta nisë mbrojtjen e titullit para tifozëve të saj ‘Plisave’. Qysh në xhiron e parë ekipi bardh e kaltër do ta ketë një sprovë
pasi për kundërshtar do ta ketë Trepçën e super përforcuar gjatë kësaj vere.
E për t’i motivuar futbollistët e tij para ndeshjes së parë të sezonit të ri, trajneri i ri i bardhekaltërve, Ejup Mehmeti – Kapiti, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë.
Ai në stërvitjet e së martës ka ftuar në stadium shkrimtarin dhe autorin e disa librave të mendimit pozitiv Daut Demakun, që ta mbajë një ligjëratë para futbollistëve dhe për t’i frymëzuar ata.
“Para ndeshjes së parë të sezonit e kam ftuar në stërvitje Daut Demakun dhe ai iu përgjigj pozitivisht ftesës sime. Demaku ka folur para futbollistëve dhe ishte një orë shumë e këndshme. Futbollistët u kënaqën dhe kjo vërehej edhe në fytyrat e tyre”, tregon Kapiti për Express.
“Demaku gjatë ligjëratës u tha futbollistëve se loja fitohet para nisjes së ndeshjes dhe jo gjatë saj. Shpresoj që lojtarët kanë përfituar nga ai në aspektin psikik”, shtoi Kapiti i cili zëvendësoi trajnerin Jusuf Tortoshi.
Derisa e ekipet huaja kanë psikologë në radhët e tyre, kjo është hera e parë në futbollin e pas luftës në Kosovë që një skuadër angazhon një njeri për t’i trajnuar lojtarët në aspektin psikik.
Prishtina dhe Trepça synojnë ta nisin mbarë
Në anën tjerët, Prishtina, e cila sezonin e ri do ta nisë me tetë përforcime të ardhura gjatë kësaj vere, nuk ka synim tjetër përveç fitores në takimin e së mërkurës kundër Trepçës.
“Jam i kënaqur me përgatitjet dhe me angazhimin e lojtarëve. Jam mundu që pika kulminante e përgatitjeve të jetë të mërkurën. Se sa kam arritur ta realizoj këtë do ta shohim kundër Trepçës. Jam i sigurt se do të arrijmë rezultat pozitiv, por shpresoj që edhe fati të jetë në anën tonë”, deklaroi Kapiti, ekipi i të cilit llogaritet pretendenti kryesor për ta fituar titullin e kampionit.
Ndërkohë, Trepça, e cila sezonin e kaluar ishte e rrezikuar të binte nga Superliga, ishte aktive gjatë kësaj vere. ‘Xehetarët’ kanë përforcuar radhët e tyre me 12 futbollistë dhe objektivat për sezonin e ri janë tjera.
Këtë e pohon edhe trajneri Shefqet Kurti, i cili paralajmëron se në Prishtinë do të shkojë për pikë. “Jam shumë optimist se në Prishtinë do të nxjerrim rezultat pozitiv. Në çdo lojë shkojmë për rezultat pozitiv dhe në Prishtinë nuk do mbrohemi, por do te sulmoj, do të tregojmë një lojë burrash”, theksoi Kurti.
Të mërkurën do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera. Në Gjakovë, Vëllaznimi pret Kosovën e Vushtrrisë, derisa Drita do të jetë nikoqire e Hysit. Të enjten do të luhet ndeshja e fundit e xhiros së parë ndërmjet Lirisë dhe Ferronikelit.
Superliga- Xhiroja e parë
E mërkurë
Prishtina – Trepça
Vëllaznimi – Kosova (V)
Drita – Hysi
E enjte
Liria – Ferronikeli
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 17:00