E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushtetarë dhe policë, të implikuar me drogën

Policia e Shtetit kërkon zhdukjen e fenomenit sivjet. Ngrihen shtabet në Fier, Vlorë e Berat

“Mes rasteve të kultivimit të bimëve narkotike që janë konstatuar gjatë vitit 2009, janë hasur raste të përfshirjes së punonjësve të Policisë së Shtetit, apo drejtuesve dhe punonjësve të administratës në njësitë e qeverisjes vendore”. Deklarata ka ardhur nga drejtori i rendit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ahmet Rrumbullaku, gjatë takimit të organizuar në Prefekturën e Fierit për nisjen e aksionit kundër kultivimit të bimëve narkotike për sezonin e këtij viti.

I pyetur nga gazeta “Shqip” për fatin e këtyre personave, Rrumbullaku tha se ata nuk janë më pjesë e administratës apo dhe policisë. Por, përgjigjja e drejtorit Rrumbullaku bie ndesh me realitetin, pasi në asnjë nga komunat ku është gjetur drogë nuk ka pasur largime punonjësish. Madje, edhe efektivë të policisë nuk rezultojnë të larguar nga puna, edhe pse kanë qenë të implikuar.

“Edhe pse Qarku i Fierit është hequr nga harta e kultivimit të bimëve narkotike sërish duhet aksion për parandalimin e atyre pak rasteve të regjistruara. Rrezikon që fenomeni i kultivimit, në rast së neglizhohet nga ne, të marrë përmasa shqetësuese”, tha drejtori i rendit, Ahmet Rrumbullaku.
Ndërsa kreu i Policisë së Fierit, Mërgim Hoxha, teksa renditi statistikat në ulje të rasteve të kultivimit për periudhën e fundit, pohoi se: “Vëzhgimi satelitor, aksionet policore, si dhe sensibilizimi i popullatës do të jenë nismat e këtij viti për të mos pasur më asnjë rast kultivimi”. Hoxha tha se për vitin 2009 janë regjistruar 13 raste të kultivimit të bimëve narkotike dhe kanë qenë 1687 rrënjë kanabis sativa që janë asgjësuar pas kontrolleve të policisë. “Zonat më shqetësuese që kanë kultivuar kanabis janë për rrethin e Fierit: komunat Cakran dhe Portëz, si dhe Bashkia Patos; në rrethin e Lushnjës fshatrat Rremas dhe Gradishtë, ndërkohë që në Mallakastër kanë qenë fshatrat Kutë dhe Hekal”, tha drejtori Hoxha. Ndërkaq, ai theksoi se drejtuesit e pushtetit vendor dhe inspektorët e fshatrave kanë rol kryesor në identifikimin e rasteve të kultivimit.

Prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, u zgjodh kryetar i shtabit rajonal të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, ndërkohë që nënkryetarë të këtij shtabi do të jenë drejtori i Policisë së Qarkut Fier dhe kreu i Këshillit të Qarkut.

Vlora dhe Berati kanë qenë dy qarqet e tjera ku janë ngritur shtabet për luftën dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Dje në Vlorë ka shkuar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, për të ngritur strukturat që do të punojnë për parandalimin e mbledhjes së bimëve narkotike. “Për herë të parë gjatë këtij viti do të aplikohen arritjet më të fundit të teknologjisë në zbulimin e parcelave të mbjella me kanabis. Ne po përpiqemi për të luftuar këtë fenomen dhe për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kanabisit”, tha mes të tjerash Burgaj. Ai tha se, ndaj këtij fenomeni që kriminalizon shoqërinë shqiptare, nuk do të ketë asnjë tolerancë. Për këtë qëllim, ai kërkoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e njësive të qeverisjes vendore. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të njësive të qeverisjes dhe të institucioneve vendore, prefekti i qarkut, Hasan Halili, u ndal te domosdoshmëria e bashkëpunimit të të gjithë faktorëve në nivel lokal për t’i dhënë fund përgjithmonë dukurisë së kultivimit dhe të trafikimit të bimëve narkotike.

Po dje, një shtab i luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike u ngrit në Berat. Në takim morën pjesë drejtori i krimeve të hapura pranë Ministrisë së Brendshme, Edmond Rizai, drejtues të policisë së Qarkut të Beratit, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Rizai u tërhoqi vëmendjen drejtuesve të policisë që të bashkëpunojnë me të gjithë faktorët për parandalimin e kësaj dukurie, duke vendosur një marrëdhënie të mirë mes policisë, komunitetit dhe pushtetit vendor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›