E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzim Kruja: Humori shkodran po hesht

Pesëdhjetedy vite të jetës i ka kaluar në skenë. Gëzim Kruja e quan të lindur profesionin e humoristit, ndërsa do të përpiqet t’u dhurojë njerëzve të qeshura aq sa të mundet. I dekoruar vetëm pak javë më parë nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”, Kruja bën një analizë të ngërçit të humorit shkodran

Mbi gjysmë shekulli në skenë, Gëzim Kruja vazhdon ta ketë pjesë të jetës humorin. Së bashku me të tjerë, ai i përket atij brezi që e bënë të dallueshëm e të dashur humorin shkodran. Interpretues i mbi njëmijë roleve, pak kohë më parë Kruja u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Me shumë vite karrierë mbi shpatulla, ai shprehet se do të vazhdojë të bëjë humor sa të mundet, madje dëshiron që këtë profesion e njëkohësisht pasion ta trashëgojë tek i biri. Por Shkodra e humorit nuk është më e dikurshmja. Kruja pranon se ky qytet ka rënë në heshtje, ndërsa për këtë situatë mund të rendisësh edhe një sërë shkaqesh. Në një intervistë për “Shqip”, humoristi Gëzim Kruja tregon për jetën artistike dhe për humorin sot.

Ju jeni një nga njerëzit që e njihni shumë mirë humorin. Pse sot Shkodra nuk po përcjell humor si vite më parë?

është shumë e vërtetë që krahasuar me dekada më parë, sot humori shkodran ka mbetur në vend. Madje do thoja se 5-6 vitet e fundit duket sikur është në gjumë. Nuk i takon Shkodrës të rrijë e heshtur kur flitet për humor. Ky qytet duhet të mbajë të gjithë Shqipërinë me këtë zhanër. Sipas meje janë disa arsye që kanë sjellë situatën e sotme: nuk aktivizohet elementi i ri, mungojnë skenarët dhe ajo që është më e rëndësishme, mungojnë fondet.

A i ka mundësitë Shkodra të prodhojë humor si vite më parë?

Pa diskutim që Shkodra është një qytet që prodhon humor. Për nga vet natyra, qytetarët edhe në biseda të thjeshta me njëri- tjetrin nuk mund të mos hedhin nga një batutë. Por më shqetëson fakti që nuk aktivizohet elementi i ri. Shkodra ka shumë talente që duhen aktivizuar dhe afruar. Ne kemi ngelur me kujtimin dhe nostalgjinë e atij humori që bënim 40 vite më parë. Brezi ynë tashmë është i lodhur, ndaj drejtuesit e Estradës duhet të shohin nga elementi ri. Kjo do të bëjë që të ringjallet humori në Shkodër.

Deri kur do të vazhdoni të bëni humor?

Sot jam 72 vjeç, kam 52 vjet në skenë dhe do vazhdoj të bëj humor sa të kem mundësi. Gjatë kësaj kohe kam realizuar edhe turne jashtë vendit si në SHBA, në shumë vende të Europës, kam dëshirë të shkoj në Australi. Humori është pjesë e jetës sime. Kam dëshirë që këtë traditë familjare t’ia lë trashëgim djalit tim, të cilin e kam aktivizuar në shumë shfaqje dhe ka pasur shumë sukses. Teksa ju më pyesni nëse do të vazhdoj të bëj humor, më kujtohet një episod në Gjermani. Po shëtisja në Menshen, me xhaketën të mbërthyer mirë dhe me syze dielli, ndërkohë që një çift nga Tirana që jetonte atje thonë: sa ngjaka ky me atë Gëzim Krujën, me atë që ka pas bërë humor”. U ndala, i përshëndeta e u thashë: unë jam Gëzim Kruja, ai që ka bërë humor dhe ai që do vazhdojë të bëjë humor deri sa të jem i fortë.

Si profesionist i humorit, a ka një recetë për të arritur sukses në këtë gjini?

Për këtë pyetje, kam një shprehje që e përdor shpesh: ky lloj profesioni nuk mësohet, është i lindur. Mbaj mend kur u lirova nga ushtria në vitin 1960, u aktivizova me Estradën amatore dhe pas një shfaqjeje më dhanë fletë nderi. Të nesërmen më thirri regjisori i Estradës së Shkodrës, Paulin Sekij, i pari regjisor dhe për mua më i miri dhe më tha: “Gëzim, luaj si të duash e çfarë të duash se ju keni një mimikë që, edhe pa folur fare, ju flet fytyra”.

Tashmë janë bërë shumë vite karrierë. çfarë mbetet në mendjen tuaj?

Pothuajse në çdo shfaqje kam përjetuar momente të bukura. Por kujtoj gjithnjë fillimet e mia kur u aktivizova në Estradën e repartit ushtarak. Në libret ishte e parashikuar që të kishte edhe një femër në një rol dhe i them komandantit të repartit para të gjithë ushtarëve: “Komandant, na duhet një femër”. Aty shpërthen gazi. Për çfarë po flet - më tha komandanti. Po na duhet se ka një rol në skenë, iu përgjigjja. Me një fytyrë të egërsuar më tha: “Shkodrani dashka edhe femër, kërkon të na degjenerosh repartin”. Kjo kaloi me sportivitet por sa qesharake, aq e rrezikshme ishte kjo situatë për kohën. Gjithashtu në mendje më ka mbetur edhe roli i parë me estradën profesioniste, ku kam luajtur klounin me dy gjela. Por pa diskutim, vlerësimet nga qytetarët dhe akordimet e titujve të shumtë janë kënaqësi e veçantë e karrierës sime.

Kush është Gëzim Kruja

Ka lindur në Shkodër, në vitin 1939. Karrierën humoristike e ka nisur që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër. Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›